Presidenti amerikan, Barak Obama, e ka quajtur retorikë boshe fjalimin e mbajtur nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, përballë Kongresit amerikan, duke përkeqësuar edhe më tepër marrëdhëniet mes dy palëve.
Netanjahu përfitoi nga ftesa e republikanëve për të paralajmëruar presidentin amerikan për pasojat e një marrëveshjeje me Iranin, duke thënë se ajo nuk e pengonte Republikën Islamike të ndërtonte armë bërthamore.
Fillimisht fjalimi u bojkotua nga mbi 60 kongresmenë demokratë, ndërsa pas tij reagimi nga Shtëpia e Bardhë qe edhe më i ashpër.
“Për sa i përket çështjes kryesore, që është parandalimi i Iranit nga ndërtimi i armëve bërthamore, çka do ta bënte shumë më të rrezikshëm dhe do t’i jepte arsye për të ndërmarrë veprime edhe më të rrezikshme në rajon, fjalimi i kryeministrit nuk ofroi asnjë alternativë të vlefshme. Edhe zyrtarët e shërbimeve informative izraelite e kanë kundërshtuar Netanjahun për përparimet e Iranit në këtë drejtim”, transmeton OraNews.
Obama theksoi edhe një herë se një prej synimeve të tij në politikën e jashtme që prej marrjes së detyrës ishte ndalimi i Iranit në përpjekjet për të ndërtuar armë bërthamore, diçka që sipas tij, është arritur me sukses falë edhe sanksioneve të vendosura nga komuniteti ndërkombëtar, që e kanë vënë Iranin nën mbikqyrje të rreptë për t’ju përmbajtur marrëveshjes për mos pasurimin e uraniumit.
Presidenti nuk pranoi të takohej me Netanjahun për shkak të rregullave të qarta të politikës së jashtme amerikane për të mos u takuar me asnjë pushtetar në prag të zgjedhjeve në vendin e tij, që në Izrael mbahen më 17 mars.