Moska sulmon Erdoganin: “Financon ISIS-in”. Dhe akuzon SHBA se nuk godet asnjëherë terminalet e naftës në Siri. Obama reshtohet në krah të Turqisë: “Akuza absurde”. Dhe forcon mbrojtjen ushtarake në Europë
Shtetet e Bashkuara reshtohen në krah të Erdoganit. “Refuzojmë kategorikisht idenë që Turqia po punon me ISIS-in. Eshtë tërësisht absurde”, ka deklaruar Steve Uarren duke reaguar ndaj akuzave të Moskës, sipas të cilave Erdogani dhe familja e tij janë të përfshirë në “trafikun e paligjshëm të naftës” me terroristët e Shtetit Islamik.
“Turqia – këmbëngul zëdhënësi i Pentagonit – merr pjesë aktivisht në sulmet e koalicionit kundër xhihadistëve”. Deklarata të rënda që synojnë të rrisin stekat në situatën e tensionuar mes Barak Obamës dhe Vladimir Putinit. SHBA do të vazhdojnë, më pas, me forcimin e mbrojtjes në Europë, si përgjigje ndaj programeve ushtarake të Moskës, sidomos kundër rrezikut që paraqesin raketat bregdetare që po zhvillon Rusia.
Javën e ardhshme, Moska do u paraqesë gazetarëve informacionet mbi sasitë dhe rrugët e përdorura nga Turqia, për t’i dërguar Kalifatit armë, municione, pjesë përbërse eksplozivësh, sisteme komunikimi. Në dosje, e cila është paralajmëruar sot nga kreu i qendrës kombëtare të mbrojtjes, Mikhail Mizintsev, do të ketë edhe informacione mbi stërvitjet e militantëve në territorin turk.
“Askush nuk ka të drejtë të hedhë baltë mbi Turqinë, duke e akuzuar se blen naftë nga ISIS – ka replikuar Erdogani – nuk i kam humbur vlerat e mira, deri në atë pikë sa të blej naftë nga një organizatë terroriste”.
Provat në dorë të Rusisë, që kanë nisur të qarkullojnë tashmë, janë megjithatë të forta. Dhe nuk do të linin hije dyshimi mbi angazhimin e Turqisë në financimin e terroristëve të Shtetit Islamik. E megjithatë, SHBA as nuk e marrin në konsideratë dhe mbrojnë fort Sulltanin. Një pozicion që e dobëson edhe më shumë Perëndimin në luftën kundër terrorizmit islamik, por që do të shpjegonte dyshimet objektive të sulmeve amerikane në Siri. “Koalicioni ndërkombëtar i udhëhequr nga amerikanët – ka akuzuar zëvendës shefi i shtabit rus, Serghiei Rudskoi, gjatë një takimi të autoriteteve ushtarake – nuk kryen sulme ajrore kundër autocisternave dhe infrastrukturave të ISIS në Siri, për prodhimin dhe tregtinë e naftës”.
Përveç se të mbështesin Erdoganin, SHBA po rrisin praninë ushtarake në Europë. Një forcim i tillë është lajmëruar tashmë gjatë një dëgjese në kongres nga Brian McKeon, i drejtorisë për politika në Departamentin e Shtetit. Për momentin nuk janë sqaruar ende elementet specifike, por është justifikuar si një përgjigje ndaj refuzimit të Rusisë për t’iu përgjigjur shqetësimeve që ngriti Obama, në lidhje me shkeljen e marrëveshjes për ndalimin e raketave me rreze të mesme, me zhvillimin dhe eksperimentimin e raketave bregdetare. “Objektivi ynë parësor mbete i njëjtë: të sigurohemi që Rusia nuk do të sigurojë një avantazh domethënës nga shkeljet që i bën marrëveshjes – ka siguruar McKeon – në planin tonë kemi marrë në konsideratë ndryshimin e mjedisit strategjik në Europë dhe bëjmë bashkë, rritjen e kapaciteteve raketore të Rusisë, duke përfshirë dhe shkeljet e marrëveshjeve”.
“Po flasim për një sistem real, jo për kapacitete potenciale”, ka denoncuar funksionari duke nënvizuar që, sipas një vlerësimi, vendoosja e sistemit do të rriste risqet për aleatët europianë, e si pasojë “rrezikun e drejtpërdrejtë ndaj SHBA”./IlGiornale – Bota.al