Nga Judy Dempsey
“Carnegie Europe”
Bombardimet e ditëve të fundit nga Rusia kundër frontit opozitar në Siri, përbëjnë një kujtesë brutale të rënies së ndikimit perëndimor në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut. Në Afganistan, fuqia në rritje ushtarake e luftëtarëve talebanë, të cilët tani janë në konflikt të hapur me forcat afgane të sigurisë, ka ekspozuar dobësitë e misionit të udhëhequr nga NATO në atë vend.
Që nga tërheqja e aleancës nga Afganistani në dhjetor të vitit 2014, pas një qëndrimi 11-vjeçar atje, vendi po anon drejt një tjetër lufte. Ndërkohë, vendimi i Shteteve të Bashkuara për të tërhequr trupat e saj nga Iraku në dhjetor të vitit 2011, kur qeveria në Bagdad ishte e paralizuar nga interesat sektare dhe forcat e sigurisë ishin të papërgatitura për t’u përballur pak më vonë me të ashtuquajturin Shtet Islamik, e ka zhytur vendin në një luftë të re.
Dhe mos harroni Libinë, ku në mars të vitit 2011 një mision i udhëhequr nga NATO, e keqpërdori mandatin e Kombeve të Bashkuara, me përgjegjësinë zyrtare vetëm për të mbrojtur, për të hequr qafe liderin e fortë libian Muamar Gedafin. Por NATO-ja nuk u vrau mendjen, që këtë detaj të shqyrtonte më vonë.
Vakuumi i krijuar, u mbush nga një bollëk fisesh rivale, forcash islamike, dhe një pjesë e vogël demokratësh të vërtetë. Ndërtimi i shtetit nuk është prioriteti i tyre, ashtu si nuk ishte as i NATO-s.
Njëzetetetë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, po ballafaqohen tani në mënyrë kolektive me 3 të vërtetat e pakëndshme, të cilat nxjerrin në pah mungesën e tmerrshme të strategjisë, largpamësisë dhe të kuptuarit e menaxhimit të krizave nga ana e Evropës.
E para është paaftësia e Evropëss, por edhe Shteteve të Bashkuara, për të ndërtuar shtete në rajonin e trazuar. E dyta është ndikimi i diskutueshëm i fuqisë së ashpër. Dhe e treta ka të bëjë me pasojat e luftërave:miliona refugjatë në lëvizje, që largohen nga zonat e konfliktit.
BE ka dhënë mbi 3 miliardë euro, në ndihmë të zhvillimit dhe të ndihmës humanitare në Afganistan ndërmjet viteve 2002-2013. Në atë kohë, afganët mund të mburreshin se shumë vajza po ndiqnin shkollën për herë të pare, dhe se sa shumë gra ishin në gjendje për të punuar. Por as BE-ja dhe as Shtetet e Bashkuara, nuk qenë në gjendje të ndërtonin institucione të forta shtetërore, të cilat mund të ruanin disa nga ato arritje. Kjo do të kërkonte dekada të tëra angazhimi, të cilat Perëndimi nuk ishte i gatshëm t’i investonte.
Tashmë, një përzierje e korrupsionit të rrënjosur thellë, traditave, rivaliteteve etnike, dhe forcave talebane, që nuk u zhdukën kurrë nga skena, po kthehet me një hakmarrje për të zhbërë ndërhyrjen e Perëndimit. Në fakt, u bë e qartë qëkur operacioni ushtarak i NATO-s në Afganistan do të zëvendësohej nga një mision i vogël të trajnimit, se shumë grupe rivale do të shfrytëzonin shpejt vakuumin e sigurisë që u krijua.
E njëjta gjë mund të thuhet për Irakun. Pushtimi ushtarak i udhëhequr nga SHBA-ja në vitin 2003, në fakt shkatërroi institucionet parakekzistuese shtetërore të vendit, dhe nuk u pasua nga një përpjekje të vazhdueshme për të ndërtuar institucionet e reja. Libia u shndërrua gjithashtu në një tjetër shembull tipik të asaj që ndodh si pasojë e neglizhencës.
Çështja e dytë ka të bëjë me efikasitetin i fuqisë së ashpër. Mjetet ushtarake mund të jenë të suksesshme, vetëm nëse ato pasohen nga një strategji tejet afatgjatë e ndërtimit të shtetit, që të synojë mbështetjen dhe institucionalizimin e demokracisë. Kjo është ajo që ka ndodhur në Gjermani dhe Japoni pas vitit 1945. Angazhimi i atërhershëm i SHBA-së ishte e pakualifikuar. Sigurisht, Lufta e Ftohtë luajti një rol vendimtar në bindjen e Shteteve të Bashkuara, për nevojën strategjike për të prodhuar stabilitet në Evropën Perëndimore e për të ndërtuar demokracinë në Gjermani dhe Japoni.
Sikur Shtetet e Bashkuara të neglizhonin ndërtimin e shtetit, fuqia e ashpër e Amerikës do të ishte konsumuar. Kjo do t’i shkakotnte dëme të mëdha Evropës së pas Luftës së Dytë Botërore, në drejtim të stabilitetit, prosperitet, dhe aftësisë për të mbrojtur veten kundër Bashkimit Sovjetik. Me pak fjalë, pa dualitetin e fuqisë së ashpër, dhe një politike afatgjatë të fuqisë së butë, vendet kanë pak ose asnjë shans për të qenë të qëndrueshme.
Në këtë kontekst, bombardimi i Rusisë kundër forcave opozitare ndaj regjimit të presidentit sirian Bashar Al-Asad, ka pak të bëjë me ditën pas konfliktit, në aspektin e rindërtimit të institucioneve shtetërore. Në fakt, vendimi i presidentit rus Vladimir Putin për të ndërhyrë ushtarakisht në Siri, mund të përsërisë të njëjtat gabime të vitit 1979, kur Bashkimi Sovjetik pushtoi Afganistanin për të mbrojtur aleatin e Moskës në Kabul.
Së fundmi, Evropa (pas Jordanisë, Libanit, dhe Turqisë), po mbledh tani ”frytet” e këtyre sipërmarrjeve ushtarake. Pikërisht për shkak se nuk ka institucione të qëndrueshme shtetërore që funksionojnë- për të mos folur për shpresat e vakëta për paqe dhe liri në disa vende të Lindjes së Mesme – mijëra refugjatë janë vënë në lëvizje.
Dhe në qoftë se ndonjë qeveri evropiane beson apo shpreson, se fushata e bombardimeve të Rusisë do të ndalojë fluksin e refugjatëve, ato janë duke mashtruar vetveten. Ky është realiteti i ri, të cilin qeveritë evropiane do të duhet ta pranojnë.
Megjithatë, eshtë e diskutueshme nëse pafuqia e Evropës në Lindjen e Mesme dhe lufta e saj për të përballuar krizën e refugjatëve, do të bëjë që qeveritë e BE-së të marrin parasysh dobësitë e mjerueshme të politikave të tyre mbi sigurinë, ndihmën dhe zhvillimin e vendeve të këtij rajoni.
www.bota.al