Nga Casey Hatfield-Chiotti “CNN”
Shpejt, imagjinoni një kështjellë:ajo ndoshta duket si Kështjella E Nojshvanshtajnit në Gjermani, frymëzimi për ndërtimin e Kështjellës së Bukuroshes së Fjetur nga Uollt Diznej. Çdo vit, më shumë se 1.5 milionë udhëtarë frymëzohen për të shkuar në këmbë apo me kalë në këtë kështjellë, që gjendet në faqen e një shkëmbi në Bavarinë rurale.
“Njerëzit kanë qenë gjithmonë të interesuar për njerëzit e famshëm e të fuqishëm si dhe shtëpitë e tyre”- thotë Cordula Mauss, përfaqësuese e zyrës për marrëdhëniet me publikun për Administratës Bavareze të Pallateve që zotërohen nga shtetit. “Menjëherë pas vdekjes së Ludvigut II në vitin 1886, turistët e parë erdhën për të parë se çfarë kishte ndërtuar mbreti i tyre si rezidencën e tij private”. Më poshtë po rendisim 10 destinacionet më të frekuentuara nga turistët nga mbarë botën, duke u bazuar mbi të dhënat e agjensive qeveritare dhe atyre private në industrinë e turizmit për vitin 2013.
1. Qyteti i Ndaluar (Pallati Muze), Pekin: 15.340.000 vizitorë
Çdo ditë, dhjetëra mijëra vizitorë shëtisin përmes Qytetit të Ndaluar në kryeqytetin e Kinës, për të parë kompleksin e madh me mure që dikur mbronte Pallatin Perandorak nga publiku, ndërsa strehonte perandorët kinezë dhe oborrin e tyre të gjerë. (Për të përballuar fluksin e madh, qeveria ka filluar të kërkojë shitjen paraprake të biletave gjatë festave dhe pushimeve, ndërsa ndalon mbajtësit e biletave vjetore të vizitojnë qytetin gjatë sezoneve të pikut). Ndërtesat e kuqe të ndritshme me në krye faltoret e veshura në ar, janë shembulli më tipik i arkitekturës tradicionale kineze, ndërsa Pallati Muze tregon artin, mobiljet dhe kaligrafinë e gjuhës kineze.
2. Muzeu i Luvrit në Paris: 9.334.0000 vizitorë
Muzeu më i madh dhe më i famshëm në botë – ku ekspozohen kryevepra si Mona Liza e Da Vinçit – i ka fillimet e veta si një pallat. Godina në formë U-je ka shërbyer si rezidencë e brezave të tëra mbretërish dhe perandorësh francezë, duke filluar nga shekulli XII, dhe mbeturinat e kalasë origjinale (të ndërtuar për mbretin Filipi II në 1190), mund të shihet edhe sot në bodrumin e muzeut. Ndërtesa është zgjeruar dhe rinovuar disa herë. Në krye të arteve dekorative ka një paraqitje e shkurtër të apartamenteve luksoze të Napoleonit III dhe bashkëshortes së tij Eugjenias, të ndërtuara ndërmjet viteve 1854- 1861.
3. Pallati i Madh Mbretëror në Bangkok, Tajlandë: 8.000.000 vizitorë
Zyrat mbretërore përdoren ende në brendinë e Pallatit të Madh, ndërsa vizitat shtetërore dhe ceremonive mbretërore, si ditëlindja e monarkut aktual Bhumibol Adulyadej mbahen atje çdo vit. Ky pallat ka qenë edhe rezidenca zyrtare e mbretërve tajlandezë në vitet 1782- 1925 dhe numëron godina të shumta, salla dhe pavione të vendosura rreth lëndinave të hapura dhe kopshteve të mirëmbajtura. Tempulli i Budës së Smeraldtë, është cilësuar si një nga vendet më të shenjta në Tajlandë. Buda i gdhendur nga një bllok i vetëm guri dekorativ xhade, dhe rrobat e tij, të bëra prej ari të kulluar, ndërrohen në një ceremoni mbretërore tri herë në vit, në përputhje me ndërrimin e 3 stinëve të vitit që njihen në Tajlandë.
4. Pallati i Versajës, Francë: 7.527.122 vizitorë
Kur Luigji XIV ndërtoi Versajën në fund të viteve ‘600, ajo u shndërrua në godinën që e kishin zili të gjithë monarkët e tjerë evropiane, dhe për këtë arsye ky vend të provokon një joshje të pagabueshme. Versaja vizitohet nga 7 herë më shumë njerëz se çdo vend tjetër historik në Francë (përveç Luvrit); dhe një aspekt që e ndihmon është distanca e shkurtër nga Parisi. Asnjë pallat tjetër në botë, nuk mund të krahasohet me madhështinë e Sallës së Pasqyrave, e dekoruar me shandanë, dhe dhomën e gjumit të Maria Antonetës, e zbukuruar me lule të qëndisura me dorë. Hapësirat e mëdha janë të lira në shumicën e ditëve më një tërheqje të madhe në vetvete, 50 shatërvanët, një kopsht i madh, një kanal i madh dhe zona të tjera si Vila e Madhe, ndërtuar për Luigjin XIV si një strehë nga jeta e oborrit, dhe Vila e Vogël e Maria Antonetës.
5. Pallati Topkapi në Stamboll, Turqi: 3.335.000 vizitorë
Me një mjedis të bukur me pamje nga Bosfori dhe Deti Marmara, Pallati Topkapi ka qenë rezidenca mbretërore për rreth 400 vjet, deri në rënien e Perandorisë Osmane në vitet ’20 të shekullit XX-të. Sulltani jetonte këtu me gratë e tij, konkubinat, nënën dhe fëmijët në harem, nën mbrojtjen e zjarrtë të eunukëve. Vizitorëve u rekomandohet të shohnin dhomën e të fshehtë të Muratit III, me një pishinë të brendshme, vratrën dhe muret e dekoruara në blu, si dhe pllakat
e bardha të shekullit të XVI-të. Pallati i Kuzhinave u rihap në shtator të vitit 2014, duke shfaqur porcelanin cilësor kinez dhe pajisje të shumta e të mëdha gatimi. Kompleksi përfshin gjithashtu oborret, fushëpamje, kopshte dhe Thesarin Perandorak. Një hark i veshur me gurë smeraldi dhe diamanti dërguar nga Sulltan Mahmud I Princit të Persisë, është vetëm një nga shembujt e dhuratave bujare që mund të soditen.
6. Pallati i Dimrit në Shën Petërsburg, Rusi: 3.120.170 vizitorë
Katerina e Madhe dhe Nikolla I, janë ndër monarkët rusë që kanë banuar në këtë pallat me ngjyrë të gjelbër dhe të bardhë të stilit barok, përgjatë lumit Neva nga vitet 1762-1917. Sot, pallati është një muze me një nga koleksionet më të mira në Evropë, duke përfshirë vepra nga Titiani, Rafaeli dhe Leonardo da Vinçi. Pjesa më e madhe e pallatit u shkatërrua nga zjarri që ra në vitin 1837, por pjesët e brendshme të restauruara bukur, flasin për shijet lukzose të elitës ruse. Holli i Shën Gjergjit (një dhomë e madhe ku gjendet froni mbretëror) përmban dy nivele dritaresh, kolonata të dyfishta rozë prej mermeri në stilin korintian, dysheme me parket, si dhe ornamente të praruara prej bronzi.
7. Kulla e Londrës: 2.894.698 vizitorë
Kjo kështjellë mesjetare që gjendet në bregun verior të lumit Tamiz, u ndërtua për të trembur londinezët e thjeshtë, dhe mbajtur larg pushtuesit e huaj. Pjesa e vjetër e strukturës, Kulla e Bardhë, daton që në shekullin XII-të. Ndërsa fillimisht ka shërbyer si seli mbretërore, kulla është bërë e njohur për përdorimin e saj si një burg dhe si vendi i ekzekutimeve të shumta, duke përfshirë mbretin Henri VI dhe Ledi Xhejn Grej. Miliona vetë dynden sot në kullë për të parë reliktet historike, si mes tyre edhe Kurorën me Xhevaire, skeptrin e sovranit që përmban Yllin e Madh të Afrikës, diamantin e prerë më të madh pa ngjyrë në botë. Në vitin 2014, hendeku i thellë i kullës u mbush me 888.246 tulla qeramike të kuqe në përkujtim të ushtarëve britanikë që vdiqën në Luftën e Dytë Botërore – një shembull i instalacioneve të artit dhe aktiviteteve që mbahen rregullisht.
8. Pallati Schönbrunn në Vjenë, Austri: 2.870.000 vizitorë
Godina më e vizituar e Austrisë është ky pallat i stilit Rokoko, i përdorur për të kaluar pushimet verore nga perandorët Habsburgas nga vitet ‘700 deri në vitin 1918. Nga 1.441 dhomat e tij, më e famshme është Dhoma e Pasqyrave, me dekorimet në ngjyrë të bardhë dhe ar në stilin Rokoko si dhe pasqyrat prej kristali, ku Mozarti thuhet se ka dhënë koncertin e tij të parë në moshën 6-vjeçare. Kopshtet e përpunuara të pallatit, mund të pretendojnë të jenë më të mëdhatë në botë me pemën e portokallit, dhe vendi i kopshtit të parë zoologjik (rreth vitit 1752). Një vizitë në këtë pallat, të siguron qasje në të gjitha 40 dhoma e hapura për publikun, duke përfshirë Sallonin Gobelin me tapiceritë nga Brukseli dhe Dhomën e Milionave, një zyrë e dekoruar me lule të rralla.
9. Alhambra y Generalife në Granada, Spanjë: 2.315.017
E rikonstruktuar dhe zgjeruar përgjatë shekujve, ky pallat në krye të kodrës dhe kompleksi i kështjellës kombinon fortifikimet, kopshtet, kishat dhe disa pallate, sidomos “Alhambra” dhe “Generalife”, rezidenca e mbretërve të Granadas dhe Andaluzisë. Të dyja ato janë shembuj të shquar të arkitekturës islame nga periudha mesjetare e Spanjës. Vizitorët duhet të resin të shohin arabeska të ndërlikuara, tavane të varur dhe plot dekoracione (muqarnas) dhe oborre me pishina dhe shatërvanë. Kopshte maure ‘Generalife’ kanë tipare pemët të mëdha, trandafilat, shelgjet dhe qiparisat. Numri i vizitorëve mbërrin kulmin në pranverë dhe verë; ndaj dhe për të shmangur turmat, është më mirë të planifikoni të shkoni në muajin janar.
10. Kështjella Shuri në Okinaua, Japoni: 1.753.000 vizitorë
Kështjella Shuri ishte selia e mbretërve të Rjukju për më shumë se 400 vjet. Kalaja u shkatërrua plotësisht gjatë Betejës së Okinauas në vitin 1945, dhe puna për rindërtimin e saj përfundoi vetëm në fillim të viteve ‘90. Elementët kryesorë përfshijnë tetë dyer të mëdha hyrëse në stilin kinez, plus kopshtet, një holl për studim dhe salla kryesore me pllaka në ngjyrë të kuqe. Ndërtesa përmban dy dhoma të mëdha ku gjendet froni perandorak, si dhe apartamente private të familjes mbretërore. Pellgje, ura dhe ishujt në miniaturë që përbëjnë kopshtet mbretërore, u shtuan në vitin 1799. /www.bota.al