Dhuna që ka pushtuar ambientet e Kuvendit të Maqedonisë, pas zgjedhjes së kryeparlamentarit Talat Xhaferi, e ushtruar nga mbështetës nacionalistë të VMRO-DPMNE-së së Nikola Gruevskit, ka lënë në gjendje të rëndë shëndetësore, por jashtë rrezikut për jetën, kreun e Lëvizjes për Reforma në PDSH, Zijadin Sela.
Mediet e shumta maqedonase e kosovare kanë arritur të publikojnë edhe foton e deputetit të Aleancës për shqiptarët, të gjakosur tërësisht në fytyrë, i cili tërhiqej zvarrë nga deputetë të tjerë për ta shpëtuar nga dhunuesit.
E pavarësisht thirrjeve të ambasadorëve të huaj në Maqedoni, drejtuar palëve politike, për vetëpërmbajtje dhe dialog në vend të dhunës, mbështetës të partisë në pushtet të Gruevskit vijojnë të mbajnë të rrethuar Kuvendin e Maqedonisë, duke hedhur edhe lëndë piroteknike.
Sipas njoftimeve më të fundit, policia po përgatitet për të ndërhyrë në Parlament për të nxjerrë prej andej deputetët dhe gazetarët e bllokuar nga protestuesit me maska të zeza në kokë.
Reagon Tirana zyrtare
Ministria e Jashtme e Shqipërisë, ka reaguar pas akteve të dhunës në parlamentin maqedonas.
“Po ndjekim me shqetesim të madh përshkallëzimin e situatës në Maqedoni dhe skenat e dhunës në ambjentet e Kuvendit ku raportohen sulme ndaj deputetëve.
Përplasje dhe skena të tilla dhune kundër përfaqësuesve të zgjedhur nga qytetarët e Maqedonisë janë të papranueshme dhe aspak të denja për një demokraci parlamentare. Dhuna nuk ndihmon kurrsesi në zgjidhjen e situatës së krijuar.
U bëjme thirrje të gjithë aktorëve politikë të tregojnë vetëpermbajtje, të mos përdorin retorika që përshkallëzojnë situatën e tensionuar dhe të angazhohen maksimalisht, me qetesi, e gjakftohtesi në një dialog të qenësishëm.
Gjithashtu, i bëjmë thirrje forcave të rendit të angazhohen në ruajtjen e rendit publik dhe sigurisë së gjithë qytetarëve dhe përfaqësuesve të tyre.
Qytetarët e Maqedonisë presin daljen sa më parë nga kriza dhe vijimësinë e procesit të funksionalizimit të institucioneve, në të mirën e tyre të përbashkët, të bashkejetesës e harmonisë ndëretnike si edhe të përparimit euroatlantik të vendit.
Mbështesim thirrjen e ambasadoreve të vendeve të BE-së dhe të SHBA-së për të shmangur dhunën dhe për të nisur një dialog të qënësishëm politik në Maqedoni”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme. /TemA