“E di që duhet t’i japim Zotit atë që është e Zotit, por Papa nuk është Zot.” Kështu iu drejtua Napoleoni, Komitetit Klerikal të Parisit, më 16 mars 1811. Pak më vonë ai shpalli fundin e pushtetit temporal të Papëve dhe mori si të burgosur Papa Piun VII.
Më respektues ishte Giuseppe Mazzini, përfaqësues i Rilindjes Italiane, sipas të cilit “Roma pa Papët do të ishte vetëm një emër, një kujtim, një rrënojë, ashtu si qytetet e lashta të Tebës, Memfit, Palmirës.”
Për Ludovico Antonio Muratori, prift, por edhe historian dhe shkrimtar (1672-1750), “pa Papën, Roma dhe Italia do të ishin bërë provinca gjermane.”
E famshme është shprehja e atribuar Stalinit: “Sa divizione ka Papa?” (diktatori sovjetik ishte i shqetësuar për ndikimin e fuqishëm shpirtëror të Vatikanit).
Plot dashuri dhe nderim është gjykimi i shumë shenjtorëve për Papën dhe Papatin. Për Shën Ambrozin, “ubi Petrus, ibi Ecclesia” (“ku është Pjetri, aty është Kisha”).
Për Shën Françeskun e Salesit, mbrojtësin e gazetarëve, «tek Papa është i pranishëm Jezusi që flet, ashtu si në Eukarist është i pranishëm Jezusi që hesht». Dhe Shën Bosko, në fund të shekullit XIX, kur kriza mes Shtetit italian dhe Selisë së Shenjtë ishte më e fortë, shpallte me siguri: «Për çështjet e fesë, unë jam me Papën, dhe me Papën kam ndër mend të mbetem një katolik i mirë deri në vdekje.»
PASARDHËSIT E APOSTULLIT
Por kush është Papa, për Kishën dhe për botën? Si lind dhe zhvillohet historikisht figura e tij?
Ai është në të njëjtën kohë kreu i Kishës universale («katolike» do të thotë universale) dhe kreu i një shteti, edhe pse të vogël (më i vogli në botë), por me një autoritet të madh moral. Papa është një figurë komplekse. Si pasardhës i apostullit Pjetër në katedrën peshkopale të Romës, atij i takon plotësisht pushteti i juridiksionit mbi të gjithë Kishën.
Ai ka si detyrë kryesore të forcojë besimtarët në fe, domethënë t’u mësojë katolikëve të çdo kontinenti mësimet doktrinale, teologjike dhe etike; ai është mbajtësi i magjisterit, që e ushtron vetëm ose bashkë me peshkopët në Këshillin ekumenik dhe kryeson disiplinën kishtare.
Por ai është gjithashtu një autoritet që flet për një audiencë shumë më të gjerë se një miliard katolikë, që përkon me mbarë botën, për çështjet më të ndryshme, nga luftërat te kërkimi shkencor, nga lufta kundër urisë te mbrojtja e trashëgimisë mjedisore. Atij i takojnë titujt i Lartmadhnishmi Papë, Peshkopi i Romës, Zëvendësues i Jezu Krishtit, edhe pse zakonisht quhet Papa ose gjithashtu, Shkëlqesia dhe Ati më i Bekuar.
«MBI KËTË GUR DO TË NDËRTOJ KISHËN TIME»
Fjala “Papë” rrjedh nga greqishtja papas ose pappas (që do të thotë “atë”), siç quhen ende sot priftërinjtë në Lindje. Ky term u jepej deri në shekullin IX pa dallim të gjithë ipeshkvijve, por për ipeshkvin e Romës u përdor për herë të parë nga Marcellino (296-304). Nga viti 400, në Sinodin e Toledo-s, ky titull u bë ekskluziv për ipeshkvin e Romës, ndërsa për ipeshkvijtë e tjerë u ruajt termi episcopus. Termi tjetër që e përkufizon zyrtarisht Papën është Pontifik, që ka origjinë romake, nga pontifex, që do të thotë fjalë për fjalë «ndërtues urash»: në këtë rast ura mes tokës dhe Qiellit.
Baza biblike dhe historike e autoritetit të Papës si zëvendës i Krishtit dokumentohet nga fjalia e famshme që Jezusi i drejtoi princit të Apostujve, e cituar në Ungjillin sipas Mateut: «Ti je Pjetri dhe mbi këtë shkëmb do të ndërtoj Kishën time, dhe dyert e ferrit nuk do të mundin kundër saj. Unë do të të jap çelësat e Mbretërisë së Qiejve: gjithçka që ti do të lidhësh mbi tokë, do të jetë e lidhur edhe në Qiell; gjithçka që ti do të zgjidhësh mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në Qiell.»
Detyra e ngarkuar Pjetrit, «shërbesa petrine», kalon nga peshkatari i Galilesë, që u bë ipeshkëv i Romës, te pasardhësit e tij, për të siguruar vazhdimësinë e Kishës dhe, si barinj, për të udhëhequr besimtarët: «Ushqeji delet e mia.»
Në fjalët që Biri i Zotit i drejtoi Pjetrit ndodhet edhe shenja e papërsëritshmërisë e Papës, e autoritetit të tij ex cathedra: një autoritet që lindi vitin kur u shpall për herë të parë, me shumë gjasë më 30 pas Krishtit, dhe më pas u shpall solemnisht si dogmë nga Piu IX në vitin 1870.
Duke shfletuar Annuario Pontificion (një vëllim prej 2.500 faqesh), zbulohet se Papa, pavarësisht emrit të thjeshtë dhe familjar (që do të thotë “atë”), zotëron tituj të shumtë dhe shumë të rëndësishëm zyrtarë. Përveçse Zëvendësues i Krishtit dhe Papë i Lartë i Kishës universale, ai është Pasardhës i princit të Apostujve, Ipeshkëv i Romës, Primat i Italisë, Kryeipeshkëv dhe Metropolit i Provincës Romake, Sovran i Qytetit të Vatikanit dhe Shërbëtor i shërbëtorëve të Zotit.
Dikur quhej edhe Patriark i Perëndimit, por Benedikti XVI hoqi dorë nga ky titull, për të nxitur unitetin mes Kishave të krishtera.
Lista është heterogjene, sepse përmbledh kompetenca qartësisht fetare dhe të tjera dukshëm më menaxheriale e politike, si titulli i “sovranit”. Në fakt, Papa mishëron një nga rastet e rralla që kanë mbetur të sovranitetit absolut. Në personin e tij janë përqendruar të gjitha pushtetet: legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor (përveç atij fetar).
Monarkia papale është e tipit absolut dhe e përjetshme (përveçse në rast dorëheqjeje të interesuarit, i cili vendos me liri dhe ndërgjegje, siç ndodhi me Papa Ratzinger më 11 shkurt 2013).
DIKUR ZGJIDHEJ ME SHPALLJE
Sa i përket pushteteve të Papës, kufiri i vetëm i vendosur ndaj sovranitetit të tij qëndron në faktin që Papa aktual nuk mund të zgjedhë pasardhësin e tij. Kjo e drejtë i takon kardinalëve votues, pra atyre kardinalëve – sipas rregullave të reja të përcaktuara nga Pali VI në vitin 1975 – që janë nën moshën 80 vjeç në momentin e votimit.
Ata mblidhen për të zgjedhur Papën e ri duke u mbyllur në konklavë (nga shprehja latine cum clave, “nën çelës”), në kapelën e bukur Sistine, të izoluar nga pjesa tjetër e botës që askush të mos mund të ndikojë në vendimin e tyre: janë rreptësisht të ndaluara telefonat celularë, kompjuterët, radio dhe televizioni. Ka kaluar koha kur Papët mund të zgjidheshin edhe me shpallje.
Për më tepër, për shekuj me radhë në zgjedhjen e Papës së ri ka ndikuar edhe influenca e sovranëve të fuqive katolike europiane (Franca, Austria, Spanja dhe Portugalia), të cilat mund të ndikonin në konklavë me të drejtën e vetos (kundërshtimin e emërimit të një kandidati të caktuar). Por që nga viti 1904, nën Piun X, kjo e drejtë u hoq përfundimisht.
QYTETI NUK KA MË SHUMË SE NJË SHEKULL
Papa ushtron pushtetin e tij me bashkëpunimin e një serie kolegjesh, dikasteresh dhe zyrtarësh: Kolegji i Shenjtë i Kardinalëve dhe Kuria Romake, që përfshin Sekretarinë e Shtetit, Këshillat Papnorë dhe zyra të ndryshme, si dhe Nuncët Apostolikë në vende të ndryshme (pothuajse të gjitha) me të cilat ka marrëdhënie diplomatike.
Papa dhe të gjithë këta organizma, duke vepruar së bashku, marrin emrin e Selisë së Shenjtë, e cila është gjithashtu një subjekt i së drejtës ndërkombëtare që, megjithëse nuk i përket asnjë organizate supranacionale, është de facto e pranishme si konsulente me të drejtë fjale në shumë prej tyre, duke filluar nga Kombet e Bashkuara.
Dallimi midis Selisë së Shenjtë, ose Selisë Apostolike, dhe Shtetit të Qytetit të Vatikanit mbetet thelbësor: ky i fundit ekziston vetëm që nga viti 1929, me nënshkrimin e Paktit të Lateranit, tërësisht i integruar në strukturën urbane të qytetit të Romës, si një enklavë brenda territorit të Republikës Italiane.
Ndërsa me Selinë e Shenjtë nënkuptohet qeverisja dhe juridiksioni i Papës së Romës, i cili ka personalitet juridik të njohur në nivel ndërkombëtar, e dyta ka të bëjë me territorin mbi të cilin Selia e Shenjtë vepron për të realizuar veprimtarinë e saj apostolike. Si rrjedhojë, aty gjenden edhe administratat ekonomike. / bota.al