Bota

Papa Françesku feston 81 vjetorin. Për nder të tij një picë e madhe

Papa Françesku mbushi 81 vjeç. Edhe pse Vatikani nuk e feston, Papa mori fjalë të ngrohta dhe urime si dhe u organizuan aktivitete për nder të tij. Vatikani nuk feston ditëlindjet, por onomastitë, ditët e shenjtëve, megjithatë mesazhet e urimeve u derdhën lumë në të gjitha rrjetet sociale. Kur doli në dritaren e Pallatit Apostolik për lutjen e Angelus pa një pankartë të madhe që disa besimtarë e kishin sjellë në sheshin Shën Pjetër ku lexohej: “Urime Shenjtëri!”. Në fund të lutjes qindra besimtarë thirrën emrin e tij dhe e uruan. Ai si gjithmonë buzëqeshte dhe përgjigjej: “Faleminderit!”

Urime mori edhe nga presidenti Sergio Matarella që e përgëzoi për mesazhet e tij mbi rëndësinë e vënies së njerëzve në qendër të politikës, mbi rëndësinë e familjes, si dhe për dinjitetin në punë. Presidenti theksoi kurajon dhe vendosshmërinë e Papës për dialog dhe pajtim, për të shëruar plagë shoqërore dhe për të ulur tensione ndërkombëtare. Një grup studentësh të gastronomisë shtruan në Romë një drekë për të vobektit, në bashkëpunim me dioqezën e Romës.

Artisti urban Maupal, autor i disa grafiteve romane i uroi Papës me një vizatim në një tartë pastiçerie, në të cilën tregohet Papa që mban mbi shpinë një planet të plasaritur dhe të çarë. Në dorë Papa mban një valixhe ku shkruhet fjala “vlera” nga e cila dalin një shami e kuqe dhe blu, ngjyrat e San Lorenzo-s së Almagros, ekipi i tij i futbollit. Gazeta L’Osservatore Romano e uroi më një thënie në latinisht “ad multos annos” dhe sekretaria e komunikimit e uroi në 6 gjuhë.

Ishin më të vegjlit ata që u bënë protagonistë të kësaj dite. Papa foli para tyre për familjen, për gjyshërit, për të moshuarit, “Mos jini fëmijë pa taban, pa kujtimin e një vendi, pa besim, pa kujtime historie. Pa memorie nuk ka vlera”, – shpreh Papa. I rekomandoi fëmijët të hanin 4 metra picë që ishte bërë për këtë ditë. / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button