Drafti i ri i marrëveshjes së paqes, i paraqitur nga Shtetet e Bashkuara, parashikon një armëpushim të kushtëzuar me lirimin nga ana e Hamasit, brenda 72 orësh, të të gjithë pengjeve, të gjallë ose të vdekur. Në këmbim, Izraeli do të lirojë 250 të burgosur palestinezë të dënuar me burgim të përjetshëm. Pasi të përmbushet kjo kërkesë e parë, do të nisë një tërheqje graduale e ushtrisë izraelite nga Rripi.
Kjo do të duhej të çonte më pas në çarmatimin e milicëve dhe në krijimin e një autoriteti të përkohshëm që do të marrë kontrollin e territorit, me IDF që do të tërhiqet duke krijuar megjithatë një perimetër sigurie derisa të jetë e sigurt mungesa e kërcënimeve terroriste. Ja çfarë thotë në detaje marrëveshja e propozuar nga SHBA.
1 Gaza e Lirë
Rripi do të bëhet zonë e lirë nga terrorizmi dhe radikalizimi dhe nuk duhet të përbëjë më kërcënim për vendet fqinje.
2 Rindërtimi
Gaza do të rindërtohet në dobi të popullsisë vendase, e cila ka vuajtur tashmë mjaft.
3 Përfundimi i luftës
Nëse palët pranojnë propozimin amerikan, lufta do të marrë fund menjëherë. Forcat izraelite do të tërhiqen përgjatë vijës së rënë dakord për t’u përgatitur për lirimin e pengjeve. Gjatë kësaj periudhe, të gjitha operacionet ushtarake, përfshirë bombardimet ajrore dhe artilerinë, do të pezullohen.
4 Pengjet
Brenda 72 orësh nga pranimi publik i marrëveshjes nga Izraeli, të gjithë pengjet, të gjallë ose të vdekur, do të kthehen.
5 Kundërshpërblimi
Pasi të lirohen pengjet, Izraeli do të lirojë 250 të burgosur palestinezë të dënuar me burgim të përjetshëm, plus 1.700 banorë të Gazës të ndaluar pas 7 tetorit 2023, përfshirë gra dhe fëmijë. Për çdo peng izraelit, eshtrat e të cilit do të kthehen, Izraeli do të dorëzojë eshtrat e 15 banorëve të Rripit që kanë vdekur.
6 Amnistia
Pasi të kthehen të gjithë pengjet, anëtarët e Hamasit që pranojnë bashkëjetesë paqësore dhe dorëzojnë armët do të amnistohen. Anëtarëve të Hamasit që duan të largohen nga Rripi do t’u garantohet kalim i sigurt drejt vendeve pritëse.
7 Ndihmat
Sapo të pranohet marrëveshja, ndihmat do të dërgohen menjëherë në Rripin e Gazës. Kjo përfshin rikthimin në funksion të infrastrukturave (ujë, energji, kanalizime), rikthimin në punë të spitaleve dhe furrave të bukës, si dhe hyrjen e pajisjeve të nevojshme për të hequr rrënojat dhe për të hapur rrugët.
8 Shpërndarja
Shpërndarja e ndihmave në Rripin e Gazës do të bëhet pa ndërhyrje nga të dyja palët, përmes Kombeve të Bashkuara dhe agjencive të tyre, Gjysmëhënës së Kuqe dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare.
9 Qeverisja
Gaza do të qeveriset nga një komitet palestinez teknokratik dhe apolitik, përgjegjës për menaxhimin e shërbimeve publike dhe bashkive për popullsinë e Gazës. Ky komitet do të përbëhet nga palestinezë të kualifikuar dhe ekspertë ndërkombëtarë, nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e një organi të ri ndërkombëtar tranzicioni, “Këshilli i Paqes”, i cili do të drejtohet dhe kryesohet nga presidenti Donald J. Trump, me anëtarë dhe krerë shtetesh të tjerë për t’u shpallur, mes tyre ish-kryeministri Tony Blair. Ky organ do të përcaktojë kornizën dhe do të menaxhojë financimet për rindërtimin e Gazës deri sa Autoriteti Palestinez të ketë përfunduar programin e tij të reformave, siç parashikohet në propozime të ndryshme – përfshirë planin e paqes të presidentit Trump të vitit 2020 dhe propozimin saudo-francez – dhe të mund të rimarrë në mënyrë të sigurt e efektive kontrollin e Gazës.
10 Zhvillimi
Do të hartohet një plan zhvillimi ekonomik “Trump” për të rindërtuar Gazën, duke thirrur një grup ekspertësh që kanë kontribuar në lindjen e disa prej qyteteve moderne më të begata të Lindjes së Mesme. Kjo do të krijojë vende pune, mundësi dhe shpresë për të ardhmen e Gazës.
11 Zona ekonomike
Do të krijohet një zonë ekonomike speciale me tarifa preferenciale dhe norma aksesimi për t’u negociuar me vendet pjesëmarrëse.
12 Pa detyrim
Askush nuk do të detyrohet të largohet nga Gaza dhe ata që dëshirojnë të ikin do të jenë të lirë ta bëjnë dhe të kthehen.
13 Çarmatimi
Hamasi dhe fraksionet e tjera pranojnë të mos kenë asnjë rol në qeverisjen e Gazës, as drejtpërdrejt, as tërthorazi, e as në ndonjë formë tjetër. Të gjitha infrastrukturat ushtarake, terroriste, përfshirë tunelet dhe impiantet e prodhimit të armëve, do të shkatërrohen dhe nuk do të rindërtohen. Do të ketë një proces çarmatimi të Gazës nën mbikëqyrjen e vëzhguesve të pavarur.
14 Partnerët rajonalë
Partnerët rajonalë do të ofrojnë garanci për të siguruar që Hamasi dhe fraksionet të respektojnë detyrimet e tyre dhe që “Gaza e Re” të mos përbëjë kërcënim për fqinjët ose popullsinë e saj.
15 Bashkëpunimi i sigurisë
SHBA do të bashkëpunojnë me partnerët arabë dhe ndërkombëtarë për të krijuar një Forcë Ndërkombëtare të Stabilizimit (FNS/ISF) të përkohshme për t’u dislokuar menjëherë në Gaza. ISF do të bashkëpunojë me Izraelin dhe Egjiptin për të ndihmuar në garantimin e sigurisë së zonave kufitare.
16 Garancitë
Izraeli nuk do ta pushtojë apo aneksojë Gazën. IDF do të dorëzojë gradualisht territorin e Gazës që mban nën kontroll, me përjashtim të një pranie sigurie që do të mbetet deri sa Gaza të mbrohet në mënyrë të përshtatshme nga çdo kërcënim terrorist.
17 Në rast mohimi
Nëse Hamasi vonon ose refuzon këtë propozim, plani do të vazhdojë në zonat e çliruara nga terrorizmi që IDF ia dorëzon ISF-së.
18 Dialog ndërfetar
Do të nisë një proces dialogu ndërfetar i bazuar në vlerat e tolerancës dhe bashkëjetesës paqësore, për t’u përpjekur të ndryshojë mentalitetin dhe narrativën e palestinezëve dhe izraelitëve.
19 Shteti Palestinez
Me ecurinë e rindërtimit të Gazës dhe zbatimin e programit të reformave të Autoritetit Palestinez do të krijohen kushtet për vetëvendosje dhe shtetësi palestineze, e njohur si aspiratë e popullit palestinez.
20 Mbikëqyrja
Shtetet e Bashkuara do të nisin një dialog mes Izraelit dhe palestinezëve për të rënë dakord mbi një horizont politik për bashkëjetesë paqësore dhe të begatë. / bota.al