Bota

Paralajmërimi: Mund të ketë përballje të rrezikshme ruso-amerikane!

screen-shot-2016-10-23-at-22-21-08

Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Perëndimit kanë hyrë në një luftë të re të ftohtë, që po përplas palët në pjesë të ndryshme të globit, në përpjekjen e Vladimir Putinit për të sfiduar hegjemoninë amerikane në çështjet ndërkombëtare.

Ky është mendimi i ish-ushtarakëve të lartë dhe ekspertëve të politikës së jashtme në Moskë, të cilët paralajmërojnë se riaktivizimi i dy kampeve të Luftës së Ftohtë mund të çojë në një përballje po aq të rrezikshme sa ajo e raketave në Kubë, e njohur ndryshe edhe si “Kriza kubane”.

“Nëse e krahasojmë me Luftën e Ftohtë, jemi diku mes nisjes së ndërtimit të Murit të Berlinit dhe krizës së raketave në Kubë”, thotë Gjenerali rus, Evgeny Buzhinsky.

Buzhinsky ka mbajtur postin e ish-shefit në departamentin e pakteve ndërkombëtare në Ministrinë e Mbrojtjes ruse dhe aktualisht drejton një qendër private studimore në Moskë për çështjet e sigurisë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

“E thënë ndryshe, po rrokullisemi drejt një përplasjeje gjithnjë e më të ashpër dhe për më tepër pa asnjë mekanizëm ndërkombëtar menaxhues të konfliktit”, thotë ai, raporton TCH.

Qëndrimi i gjeneralit të tërhequr rus përforcohet nga deklarata e fundit e Ministrisë së Jashtme në Moskë, e cila akuzoi Uashingtonin se po përpiqet t’i japë goditjen e fundit marrëdhënieve mes dy vendeve, duke iu referuar këtu propozimeve në Shtetet e Bashkuara për sanksione të reja ndaj Rusisë.

Nëse këto sanksione do të kalojnë, britanikja “The Telegraph” shkruan se Kremlini do të shkëpusë marrëdhëniet diplomatike dhe do të tërheqë ambasadorin, të paktën deri më 8 nëntor, kur në SHBA zhvillohen zgjedhjet. Pas kësaj date, Moska shpreson në një raport dhe dialog “më të sinqertë” me pasaardhësin e Obamës.

Presidenti Putin e bëri të qartë javën e shkuar se në kursin si po rrjedhin ngjarjet, përplasja me Shtetet e Bashkuara është e pashmangshme. Ai u pyet nga një gazetar rus se a ja vlente prishja e marrëdhënieve me Uashingtonin për Sirinë?

“Nuk bëhet fjalë për Sirinë, bëhet fjalë për një shtet që po përpiqet të diktojë qëndrimet e veta në mbarë botën”, u përgjigj ai.

Leave a Reply

Back to top button