Bota

PARIS: Dhimbje, zemërim, sfidë

vivre

Nga Tom Burridge

Ndjesia e dhimbjes është e dukshme nëpër “xhepat” e Parisit. Realiteti i tmerrshëm ndihet në ajër, pranë bareve, restoranteve dhe sallës së koncerteve, ku plumbat u lëshuan pa dallim, dhe ku një grup kamikazësh vranë veten dhe të tjerët.

Trafiku, nxitimi dhe rrëmuja e zakonshme vazhdojnë. Por malet e luleve, mesazhet, flamujt dhe qirinjtë flasin për një tragjedi që ende nuk është përthithur tërësisht.

Christos, 33 vjeç, i lindur në Paris, beson se në një farë mënyre, sulmet e kanë ndryshuar një herë e përgjithmonë qytetin. “Eshtë një prej atyre gjërave që lënë një shenjë plage”, më tha, mes një atmosfere reflektimi të heshtur përjashtë barit le Carillon, dhe restorantit Petit Cambodge, ku u vranë 15 vetë. “Duhet të qëndrojmë të bashkuar dhe të jemi më të fortë se kurrë”.

Hutimi mbretëron kudo në qytet tani. Askush nuk i përgjigjet dot pyetjes së thjeshtë: përse?

Me nënë greke dhe baba kongolez, Christot mishëron identitetit kozmopolit të këtij qyteti. “Unë kam lindur këtu, ashtu si ata që e kryen këtë masakër. Prandaj ne nuk e kuptojmë dot, se çfarë u ndodhi atyre, që i shndërroi në këtë mënyrë. Kjo nuk është fe. Kjo është barbari. Kjo është luftë”.

“Kur je qenie njerëzore, nuk mund t’i kuptosh këto gjëra”, më tha Kim Samuelson, në mes të një trishtimi të parrëfyeshëm.

Por disa, si Marceli, janë të zemëruar.

Ai kishte shëtitur drejt shtëpisë, pranë Cafe Bonne Biere, në qoshen e rrugës së tij, pak përpara se kafeneja dhe piceria Casa Nostra përballë, të bëheshin shoshë nga plumbat.

“Jam pesimist”, thotë ai. “Për mua, është fillimi i një lufte”.

Në këtë qoshe të Parisit, pesë vetë u vranë dhe tetë u plagosën rëndë.

Në vendin ku nderohen viktimat, që tashmë mbulon trotuarin pranë dy vendeve gjithmonë të mbushur me njerëz, Lea Albertini qëndron, ashtu si shumë të tjerë, e heshtur përballë grumbullit të luleve.

Dy ditët e para i ka kaluar e mbyllur në shtëpinë e mikeshës së saj, larg prej lagjes së saj, e cila të premten u gjend e sulmuar.

“Nuk ndihem e sigurtë, pavarësisht gjithë ushtarëve në rrugë”, më tha ajo.

Por Karimi, i cili nu e anuloi një vizitë të planifikuar në Paris, nga qyteti i tij i Bordosë në jug, është i bindur se jeta duhet të vazhdojë. “Nëse pushojmë së jetuari, këta barbarë do të mendojnë që kishin të drejtë”, thotë ai.

Raphaelle Oudart mishëron ndjenjën e sfidës, për të cilën parizienët janë të famshëm.

Ditën ajo punon në një bankë, natën është një infermiere vullnetare në Urdhërin e Maltës.

Të premten, ishte një prej të parëve që mbërriti në Bataclan, ndërkohë që dëgjoheshin ende të shtëna dhe atentatorët ishin ende aty.

Raphaelle dhe kolegët e saj u gjendën përballë një skene lufte, ndërkohë që iu përveshën menjëherë punës për të shpëtuar të plagosurit, në mesin e gjithë asaj kasaphane.

Ashtu si shumë të tjerë në këtë qytet, ajo më pas “e jetoi të gjithë fundjavën” me frikën se të afërmit, apo miqtë e saj mund të kenë qenë mes viktimave.

Por ajo beson se Parisi do të ringrihet. “Parisi do të jetë gjithmonë Paris, çfarëdo që të ndodhë”, më tha teksa kthehej nga Bataclani, për herë të parë që nga nata e sulmeve. “Parizienët janë lënduar në zemër. Kjo nuk do të thotë që ne harrojmë, por jeta do të vazhdojë, pasi nuk duam që ata të mendojnë se kanë të drejtë”./BBCNews

Në shqip nga Bota.al

Leave a Reply

Back to top button