Bota

Pas 16 vitesh, zbulohen detaje të vrasjes së Arkanit!

arkani

Kanë kaluar 16 vjet, dhe vrasja e Arkanit mbetet po aq intriguese për publikun. Se cili është urdhërdhënësi i likuidimit të tij – ende nuk dihet. Më 15 janar të vitit 2000, përpara ndërtesës së “Intercontinental”, sot “Crown Plaza”, për rreth 17 orë kishin qëndruar dy makina, transmeton Telegrafi. Nga një Opel Kalibra kishte dalë Dragan Nikoliç Gagi dhe Milan Gjuriçiç Miki, të cilët edhe më herët kishin qenë të njohur për policinë.

Nga vetura tjetër, nga një Golf, kishin dalë Zoran Nikoliç Pegla, si dhe një anëtar i Çetës së dytë të Batalionit të Parë të Brigadës së Policisë së Beogradit, Dobroslav Gavriç. Pegla kishte qëndruar në parking, derisa tre të tjerët hynë në sallë, të përgatitur për të kryer një vrasje të trefishtë, përcjell Dnevni Avaz. Në hollin e hotelit kishte një “turmë të fshehtë”. Arkani ishte i ulur në një “separe” larg recepsionit. Në hotel kishte ardhur me gruan e tij, Svetlana Ceca Raznatoviç, motrën e saj Lidija Veliçkoviç, si dhe truprojën Zvonko Mateoviç.

Ndërsa motrat, të shoqëruara nga Mateoviç po bënin një shëtitje nëpër butiqe, Arkani, së bashku me shokët ishin të ulur në holl. Disa minuta pas orës 17:00, kishin hyrë brenda. Gagi dhe Miki. Ata i shtrënguan duart me Arkanin dhe u drejtuan për nga shkallët që çonin tek sallat për bankete, transmeton Telegrafi.

Gavriç u ul në një kabinë, disa metra prapa Arkanit. Një minutë më vonë, Gavriç u ngrit nga tavolina. Nga palltoja ai kishte nxjerrë një armë “CZ 99”. Tre plumba qëlluan Arkanin në pjesën e prapme të kokës. Në dyshemenë e hollit të “Intercontinental” ranë sende dhe vizitorët u shtrinë për tokë për t’u shpëtuar plumbave.

Policia në vendngjarje erdhi shpejt, por jo edhe autoambulanca. Ceca dhe Lydia, qanin dhe luteshin për ndihmë, duke tërhequr zvarrë Arkanin në dalje të hotelit. Ceca atëherë ishte duke u përpjekur për të bindur një oficer të policisë që me automjet zyrtar ta dërgonin Arkanin në spital. Ai e kishte refuzuar sepse nuk kishte leje nga mbikëqyrësi. Më në fund, me një BMW, Arkani ishte dërguar në Qendrën Emergjente. Atje ishte shpallur edhe zyrtarisht i vdekur. /Telegrafi/

Leave a Reply

Back to top button