HistoriMAIN

Pasardhësit e tiranëve / Çfarë ndodhi me bijtë dhe bijat e figurave më të liga të historisë?

Ndërsa të gjithë në shkollë kemi mësuar shumë gjëra mbi monstrat më të këqij të historisë së njerëzimit, është e rrallë të dëgjojmë ndonjë gjë mbi fatin e pasardhësve të tyre. Në fakt disa prej tyre, kanë ndjekur gjurmët e baballarëve të tyre të famshëm, duke u bërë udhëheqës dhe diktatorë brutalë, dhe duke i bërë padyshim “krenarë” prindërit e tyre.

Por ka edhe nga ata që kanë bërë gjithçka që munden, për t’u ndarë nga trashëgimia e të afërmit e tyre kriminel. Ja se çfarë ndodhi me fëmijët e diktatorëve si Benito Musolini, Josif Stalin dhe Mao Ce Dun.

Mbesa e Herman Gëring, Betina, e sterilizoi veten që të mos “krijonte një tjetër përbindësh”

Betina Gëring është mbesa e madhe e komandantit të dytë të Adolf Hitlerit, presidentit të Rajhshtagut nazist, Herman Gëring. Ajo jeton në Santa Fe, SHBA, ku merret me kultivimin e bimësisë medicinale. Në dokumentarin “Fëmijët e Hitlerit”, të regjisorit izraelit Shanoh Zevi, ajo thotë se bashkë me vëllain e sterilizuan vullnetarisht veten.

“Unë  mbylla tubat qëkur isha 30-vjeçe, pasi kisha frikë se mos sillja në jetë një tjetër përbindësh. Unë i ngjaj tamam atij nga sytë, mollëzat, profili. Dukem më shumë jo si mbesa, por si vajza e tij”- u shpreh ajo.

Vajza e diktatorit të Kamboxhias Pol Pot, Sar Patçata, bën një jetë normale

Në vitin 2014, Sar Patçata, vajza e vetme e diktatorit komunist Pol Pot, u martua në një ceremoni luksoze në ish-fortesën e rebelëve Kmerët e Kuq. Pas vdekjes së babait të saj në vitin 1998, Patçata u adoptua nga ambasadori i Kmerëve të Kuq në KB, Tep Kunal. Më vonë ajo u diplomua në letërsinë angleze në Malajzi, ku dhe u njoh me të fejuarin e saj, Saj Viçeka.

Pasi i ati u dënua me burgim të përjetshëm për “krime kundër revolucionit”, Patçata e kaloi jetën e saj në arrati, pa ujë të rrjedhshëm apo energji elektrike. Udhëheqësi i Kmerëve të Kuq vrau veten në burg po në vitin 1998 kur ajo ishte 12-vjeçe, duke e lënë atë të lirë.

Udaj Husein, u bë edhe më i lig se babai i tij Sadami

Udaj Husein ishte djali i parë i Sadam Huseinit nga gruaja e tij e parë, Saida Talfah, dhe trashëgimtari i pritshëm i perandorisë së babait të tij. Por ai e humbi shansin kur vrau shërbëtorin personal dhe provuesin e ushqimit të babait të tij, Kamel Hana Gegeo, gjatë një ahengu në vitin 1988.

Në një moment, Udaj ishte edhe kryetar i Komitetit Olimpik Irakian dhe i Federatës Irakiane të Futbollit. Ai i torturonte personalisht atletët që nuk fitonin në gara. Udaj mbeti çalaman pas një atentati ndaj tij në vitin 1996, kur 2 nga plumbat i mbetën në trup, për shkak të afërsisë me palcën kurrizore. Ndërkohë, thuhet se përdorte një kafaz hekuri me maja kundër armiqve të tij, dhe rrëmbente shpesh vajzat e reja irakiene për t’i përdhunuar. Ai dhe vëllai i tij Kusaj u vranë gjatë një përplasje me forcat amerikane në Mosul në vitin 2003.

Djali i madh i Fidel Kastros, “Fidelito”, vrau veten

Në janarin e vitit 2018, u raportua se djali i madh i Fidel Kastros, Fidel Angel Kastro Diaz-Balart, i njohur në familje si “Fidelito”, kishte vrarë veten. Sipas familjes së tij, ai vuante nga depresioni për pjesën më të madhe të jetës, dhe që nga vdekja e të atit në nëntorin e vitit 2016, gjërat vetëm sa ishin përkeqësuar.

Megjithëse Fidelito ishte lidhur prej kohësh me regjimin e babait të tij si një mbështetës i revolucionit Kuban, më vonë u tha se kishte mbetur i zhgënjyer, dhe po përpiqej të kufizonte përfshirjen e tij në qeverisje. Në mënyrë të veçantë, ai nuk pajtohej aspak vendimet e qeverisë komuniste në lidhje me krizën energjetike në vend.

Prindërit e tij u divorcuan kur ai ishte i vogël, dhe ai i kaloi vitet e para të jetës në SHBA me nënën e tij. Kur shkoi të vizitojë të atin në Meksikë, ku Kastro po përgatitej të përmbyste diktaturën e Batistës në Havana, Fideli nuk pranoi ta kthente më tek e ëma. Ai e mbajti pranë vetes, duke e kthyer më pas në Kubë.

Li Na, e bija e Mao Ce Dunit, mbeti një komuniste e devotshme

Li Na është vajza e revolucionarit komunist kinez Mao Ce Dun. Vetëm fushata e “Hopit të Madh Përpara” e të atit, ishte përgjegjëse për 15 deri në 55 milionë të vdekur për shkak të urisë. Vajza e tij Li Na lindi në vitin 1940. Ajo u diplomua në Universitetin e Pekinit në vitin 1965 për histori. Më vonë punoi për Gazetën e Ushtrisë Çlirimtare të Popullit, gazeta zyrtare e Republikën Popullore të Kinës. Deri në vitin 2007, ajo jetonte në Pekin në një kompleks apartamentesh modeste.

Vajza e Benito Mussolini, Eda u martua me një burrë që e rrëzoi të atin nga pushteti

Eda Musolini ishte vajza më e madhe e diktatorit italian Benito Musolini. Ajo u martua me  propagandistin dhe ministrin fashist Galeaco Çiano, që u gjykua për tradhti dhe u ekzekutua më vdekje në vitin 1944, për shkak se votoi pro rrëzimit të udhëheqësit fashist.

Pas ekzekutimit të tij, Eda u arratis në Zvicër duke marrë me vete edhe ditarët që përmbanin historinë e fshehtë të regjimit. Kur u rikthye në Itali në vitin 1945, ajo u arrestua menjëherë dhe u dënua me 2 vjet burg. Më vonë ajo botoi një autobiografi të titulluar “La mia vita” (Jeta ime) në vitin 1975, dhe vdiq në Romë 20 vjet më vonë.

Lana Peters, vajza e Stalinit u arratis në SHBA

Svetlana Alilujeva, që më vonë e ndryshoi emrin e saj në Lana Peters, ishte vajza më e vogël e Josif Stalinit. Kur ishte vetëm 6-vjeçe, e ëma vrau veten, duke e lënë atë dhe 2 vëllezërit në duart e babait diktator. Por gjatë Luftës së Dytë Botërore, vëllai i saj nga babai Jakovi vdiq ndërsa ishte i burgosur në një kamp nazist përqendrimi, teksa Stalini refuzoi ta shkëmbente atë me një gjeneral gjerman që ishte kapur rob nga sovjetikët.

Vëllai tjetër vdiq pak më vonë i alkoolizuar në moshën 40-vjeç. Peters u largua nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1967 drejt SHBA-së. Ajo shkroi 4 libra gjatë jetës së saj, dy prej të cilëve u bënë bestseller. Ajo u martua 3 herë, pati 3 fëmijë, dhe ndërroi jetë nga kanceri në moshën 85-vjeçare.

Monika Hertvig, vajza e Amon Get, njeriut që vriste gratë dhe foshnjat “për sport”

Babai i Monika Hertvig, komandanti nazist Amon Get, u var në litar në vitin 1946 pasi u shpall fajtor për vrasjen e dhjetëra mijëra njerëzve. Ai kishte qenë kapiten SS dhe komandant i kampit të përqendrimit Krakov-Płaszov në Poloni gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Monika, që ishte fëmija i tij i paligjshëm, ishte më pak se 1-vjeçe kur ai u ekzekutua. Në dokumentarin me titull “Innocence” (Pafajësia), nga regjisori izraelit Shanoh Zevi, Monika, pasi kërkoi për disa kohë të dinte se kush ishte babai i saj i vërtetë. Ajo arriti të takohej me njerëzit e tij më të afërt, dhe më vonë nisi të pajtohet me realitetin e prindit të saj të munguar, por edhe të krimeve të tij të përbindshme. / Ranker – Bota.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close