Bota

Pasi të kuptohet ç’do të thotë Brexit, votuesit të shkojnë sërish në kutitë e votimit

Screen Shot 2016-07-11 at 15.04.43

Nga Entoni Gidens

Londër – Referendumi mbi Bashkimi Evropian u mbajt, dhe duhet të respektohet zëri i popullit. Kushdo që zgjidhet si kryeministri i ardhshëm, është i detyruar të hapë negociatat për të shqyrtuar se çfarë lloj marrëveshjesh mund të arrihen në të ardhmen me pjesën tjetër të unionit. Ai ose ajo duhet të pranojë, se këto negociata nuk do të jenë me “gogolin” Bruksel, por mbi të gjitha me 27 shtetet anëtare, reagimet e të cilëve ka të ngjarë të jenë dukshëm të përziera.

Një divorc miqësor është i pamundur, dhe problemet themelore do të përkeqësohen. Ne e shohim ndikimin e tyre të hershëm në kaosin që ka pushtuar politikën britanike. Origjina e pakënaqësisë që solli referendumin e Brexit, shpjegon mjaft mirë pse kjo ka ndodhur. Fjalimi

i kryeministrit tek Bloomberg, në të cilën ai shpalli angazhimin e tij për të mbajtur një referendum, nuk u nxit nga shqetësimi masiv publik në lidhje me BE-në, por nga nevoja për të shuar grindjet brenda partisë së tij në prag të zgjedhjeve parlamentare.

Ai ishte duke u përpjekur të mbronte udhëheqjen e tij, dhe mbante partinë të bashkuar. Nga kjo rrodhi edhe situata disi qesharake, në të cilën ai shpalli referendumin – dhe më pas e kaloi të gjithë kohën duke argumentuar se sa e rëndësishme ishte që Mbretëria e Bashkuar të vazhdonte të qëndronte në BE. Një vendim i kësaj rëndësie duhet të buronte nga shqetësimi i përhapur public, në vend se nga grindjet e brendshme partiake.

Për rrjedhojë janë krijuar probleme themelore të legjitimitetit, dhe ato do të dëshmohen si tejet toksike nëse nuk përballohen në mënyrë të drejtpërdrejtë në një moment të caktuar. Unë do të argumentoja se votuesit nuk duhej të ishin përfshirë në fillim. Për shkak të origjinës së tij tek konfliktet e brendshme partiake, referendumi nuk i ka qetësuar ndarjet në këtë vend, përkundrazi – siç e dimë të gjithë – ka shërbyer në rritjen e tyre, dhe madje ka krijuar tensione edhe aty ku kanë ekzistuar pak ose aspak më herët.

Antagonizmi midis veriut dhe jugut të Anglisë, ndërmjet të begatëve dhe të privuarve, ndërmjet vetë kombeve brenda Mbretërisë së Bashkuar, mes gjeneratave dhe midis “lidershipit tradicional” dhe njerëzve – janë bërë të gjitha shumë të dukshme dhe shumë është komentuar mbi to. Ata që mbrojtën alternativën e largimit nga BE, nuk qenë në gjendje të bien dakord se çfarë do të thotë realisht “Brexit”- dhe dallimet e tyre janë mjaft të thella. Ato nuk u sheshuan gjatë fushatës, por thjesht u maskuan.

Kjo është arsyeja pse fushata flirtoi në mënyrë të rrezikshme me të vërtetën, me dritat e saj kryesore që binin mbi disa nga premtimet e tyre kryesore, të nesërmen e fitores. Në njërën anë janë radikalët e tregjeve të lira, të cilët mendojnë se dalja nga BE do të mundësojë Britanisë të tregtojë në mbarë botën, dhe janë të gatshëm të braktisin tregun e përbashkët evropian. Ata kujdesen shumë pak për traditën apo të shkuarën, dhe në pjesën dërmuese janë intuitivisht pro-emigracionit.

Në anën tjetër gjenden që kanë nostalgji për zakonet dhe mënyrat e zbehura të jetesës, dhe që duan mbylljen e kufijve dhe rifitimin e sovranitetit të humbur. Ata janë armiqësorë ndaj biznesit të madh, dhe pretendojnë se mbrojnë njerëzit e thjeshtë. Këto dallime të mërzitshme ideologjike, shpjegojnë se pse nuk ka një plan koherent për atë që vjen më pas.

Ato gjithashtu përbëjnë degradimin e fushatës “Brexit” në një populizëm bosh – të karakterizuar nga deklaratat absurde të Boris Xhonsonit që në negociatat me pjesën tjetër të BE-së, do donte të kishte pjesën e tij të tortës dhe ta hante atë. E pra, unë mendoj se kjo e bën të lehtë tretjen. Populli britanik mund të bëjë gjykimin e duhur kur ka një plan të besueshëm në tryezë, një draft të fortë që të pranohet nga 27 shtetet e tjera të BE-së.

Dilema kryesore është e njohur, por mund të provohet e pazgjidhshme. Jo më pak se gjysma e eksporteve britanike shkojnë në pjesën tjetër të BE-së. Shumica janë shërbime dhe jo mallra. “Passporting” – mungesa e barrierave rregullatore për firmat e biznesit – është çelësi i këtij suksesi në rastin e shërbimeve. Megjithatë, diçka e ngjashme vlen edhe për prodhimin, ku rregullat e përbashkëta për prodhimin dhe paketimin mundësojnë një nivel të integrimit ekonomik dhe bashkëpunimit, që përndryshe nuk do të qe i mundur.

Siç ka vënë në dukje Profesor Majkall Dugan i Universitetit të Liverpulit, çështja kryesore nuk është prania apo mungesa e tarifave, por një nivel i ndryshëm bashkëpunimi. Sipas tij, “asgjë tjetër në planet nuk krahasohet me të”. Dalja nga tregu i përbashkët edhe në një periudhë afatmesme, do të jetë jashtëzakonisht problematike. E megjithatë, qëndrimi në union do të thotë thuajse me siguri pranimin e lirisë së lëvizjes.

Nëse ka një mënyrë për të dalë nga kjo dilemë, askush nuk e ka zbuluar ende. Shteteve të tjera me një lloj statusi të asociuar, si Norvegjia dhe Zvicra, u është dashur të pranojnë kompromise mjaft të pakënaqshme – dhe të dyja kanë nivele shumë më të larta të emigracionit për çdo banor sesa Mbretëria e Bashkuar. E përsëris, këtu po flasim për 27 shtete, disa nga të cilat do të rezistojnë ashpër për çdo kompromis që fut ujë.

Për shkak se ka asnjë plan apo strategji, qeveria – në çfarëdo forme që do të rishfaqet në shtator – do të ishte shumë qesharake të zbatonte Nenin 50 në të ardhmen e afërt, edhe nëse një ose dy prej kandidatëve për kryeministër do të premtonin në mënyrë të pashmangshme të vepronin kështu. Nga ana tjetër shtetet e tjera të BE-së, nuk do të negociojnë para se kjo të ndodhë. Dhe kjo është një dilemë e dytë themelore.

Dora e Mbretërisë së Bashkuar në këto negociata nuk është e fortë, veçanërisht në rast se ekonomia fillon të lëkundet ose shkon drejt një recesioni të drejtpërdrejtë, ndërsa investitorët  vonojnë investimet apo zhvendosin paratë e tyre diku tjetër. Një karikaturë popullore në mbarë botën tregon një njeri me një kapelë republike që hidhet nga një avion, duke tundur një flamurin britaik Union Jack – por pa patur parashutë.

Pikërisht pse nuk ka ndonjë plan, lipset një lloj i angazhimit të ripërtërirë dhe të gjerë publik nëse dhe kur një marrëveshje të mbërrihet me pjesën tjetër të BE-së. Një mundësi do të ishte mbajtja e një referendumi të dytë, pasi të kuptojmë të gjithë se çfarë do të thotë realisht “Brexit”. Votuesit mund të vendosin në bazë të asaj që ofrohet. Presioni për të vepruar kështu mund të bëhet i papërmbajtshëm. Rruga tjetër, dhe që ndoshta ka më shumë të ngjarë, është mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Pavarësisht nga kurthet e tyre të dukshme, kërdia që pasoi tashmë mund të jetë minimale në krahasim me atë që shtrihet përpara

Shënim: Ky është fjalimi i Lord Entoni Gidens në Dhomën Britanike të Lordëve. Gidens ka qenë drejtues i London School of Economics.

“Huffingtonpost” – Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button