Analiza

Pavarësisht braktisjes, Ukraina po e ruan kursin e saj pro-perëndimor

Screen Shot 2015-06-07 at 09.03.54

Nga Roman Sohn

“EU Observer”

Në Ukrainë ekziston një fjalë e urtë që thotë se “nuk është i fortë ai që jep goditjen i pari, por ai që  qëndron në këmbë, pasi ka marrë goditjen”. Ukraina, në sfidë ndaj agresionit rus, po e ruan kursin e saj të reformave pro-BE-së.

Dhe kjo po ndodh, pavarësisht premtimit të pambajtur nga ana e Britanisë së Madhe dhe SHBA-së, për t’i garantuar sigurinë dhe integritetin territorial, në këmbim të ç’armatimit bërthamor, si pjesë e nënshkrimit të Memorandumit të Budapestit në vitin 1994.

Kievi, po i qëndron kursit perëndimor, pavarësisht mbështetjes së varfër financiare nga Perëndimi, apo edhe mungesës së vizionit strategjik të BE-së mbi Evropën Lindore. Sot, si në shkurt të vitit të shkuar, kur rebëlët pro rusë pushtuan parlamentin në Krime, Moska mbetet në kontroll të plotë të përshkallazimit ose jo të situatës.

Ushtarët ruse, luajnë kukafshehti me bashkësinë ndërkombëtare. “Vullnetarët” e saj vijnë në Ukrainë mbi tanke, ushtarët e saj “çmobilizohen” në momentin që kalojnë kufirin. Njëri raport pas tjetrit, konfirmon luftën e padeklaruar të Rusisë. Por OKB-ja, nuk e ka përcaktuar ende Kremlinin, si një agresor.

Përkundrazi, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, mori pjesë në paradën ushtarake të 9 Majit në Sheshin e Kuq të Moskës, e cila përfshinte edhe njësi ushtarake që kishin marrë pjesë në operacionet kundër Ukrainës. Rusia nuk është përcaktuar as si një “sponsor shtetëror i terrorizmit”, pavarësisht sulmeve të saj ndaj civilëve në Ukrainë, apo rrëzimit të avionit malajzian MH17, që shkaktoi vdekjen e dhjetëra njerëzve, nga vende që nuk janë të përfshira në konflikt.

Në vend të kësaj, udhëheqësit perëndimorë thonë se udhëheqësi rus Vladimir Putin, është një vëzhgues neutral i marrëveshjes së armëpushimit në Minsk. Kjo është ajo që ndodh, kur vendi juaj – ndryshe nga kundërshtari – nuk ka armë bërthamore;nuk ka naftë dhe gaz; nuk ka veto në Këshillin e Sigurimit të OKB-së;dhe asnjë makinë masive propagandistike.

Ç’armatimi i njëanshëm bërthamor i Ukrainës në vitin 1994, eleminoi një rrezik mbi sigurinë globale. Ndërkaq, Kievi i dha ndihma ushtarake operacioneve të OKB-së, NATO-s, dhe BE-së. Por në këmbim, nuk ka marrë as edhe një pushkë të vetme nga nënshkruesit e marrëveshjes së Budapestit.

Ukraina nuk ka përfituar as ndërmjetësimin e konfliktit, me SHBA-në apo Britaninë e Madhe, në bisedime të drejtpërdrejta me Rusinë të identifikuar si agresor.

Liderët perëndimorë, ia kanë borxh popujve të tyre të ndalojnë që Putinizmi, të bëhet një normë e

re e rendit evropian. Përkundrazi, ata kapen pas iluzionit se respektimi i paktit të Minskut apo federalizimi i Ukrainës, kërkesa kryesore e Rusisë mbi konfliktin, do të na çojë në një farë mëyrë përsëri aty ku ishim, para aneksimit të Krimesë.

Problemi Rusi

Ata nuk duan të merren me problemin e vërtetë, që është vetë Rusia. Dikur një zyrtar rus mburrej: “Rusia do të jetë gjithmonë e më e rëndësishme për Perëndimin se Ukraina”. A ka Bashkimi Europian  diçka përtej realpolitikës? Rusia po e shkatërron opozitën në vendin e vet. Është një forcë pushtuese në 4 shtete fqinje.

Ajo sponsorizon regjimet anti-perëndimore në mbarë botën, dhe partitë anti-liberale në Evropë. Në këmbim, i është dhënë de fakto e drejta e vetos mbi zgjerimin e BE-së dhe NATO-s. Pavarësisht sanksioneve të vitit të kaluar, investitorët perëndimorë, aty ku ata mundin, i mbajnë depozitat e tyre në bankat e Putinit.

Nuk ka asnjë mënyrë, për ta justifikuar këtë qasje. Vlera në tregut rus për mallrat perëndimore, apo e Rusisë si një kundërpeshë gjeostrategjike në Kinë, është shumë më e vogël, sesa rreziku për sigurinë që ajo krijon. Zbutja e perëndimit, është e bazuar tek frika e paparashikueshmërisë ushtarake të Putinit. Agresioni i Rusisë bazohet në arsyetimin, se nuk mund të konkurrojë dot me Perëndimin në ndonjë mënyrë tjetër.

Të ballafaquar me një ekonomi të keqmenaxhuar, institucione të korruptuara, dhe një popullatë të varfër, Putin po përpiqet të shtrembërojë me forcë fushën e lojës. Me çmimet e ushqimeve në rritje, ai po i ushqen njerëzit me një propagandë anti-perëndimore, anti-liberale dhe revanshiste.

Kjo është pa kuptim, megjithatë njerëzit e besojnë atë gjithsesi:Liberalët perëndimorë, dhe në të njëjtën kohë, neo-nazistët perëndimore, po fajësohen për të gjitha të këqijat e kësaj bote. Rusia nuk është në luftë me Ukrainën, por nëse ju vishni një kostum popullor ukrainas, tregoni flamurin, apo dëgjoni himnin e Ukrainës në makinën tuaj, mund të arrestoheni.

Ushtarët rusë nuk ndodhen në Ukrainë, por në rast se një nënë e pikëlluar ruse, flet mbi djalin e saj të vdekur, ajo ka shkelur një sekret të ri shtetëror (për viktimat ushtarake në kohë paqeje). Bashkimi Euroaziatik, nuk është një bllok neo-sovjetik. Por Stalini, njëri nga tiranët më të përgjakshëm në histori, nderohet si një hero kombëtar.

Shkëputja

Politika aktuale e nxitur nga liderët perëndimorë, e cila mbështetet ekskluzivisht tek diplomacia

dhe sanksionet jo-ndëshkuese, nuk do të sjellë paqe. Ka një shkëputje serioze, midis fakteve të raportuara nga NATO, dhe politikës së shteteve të NATO-s, si p.sh SHBA-ja dhe Gjermania.

NATO flet për “forca të kombinuara ruso-terroriste” në Ukrainë, por udhëheqësit perëndimorë vazhdojnë të shtrëngojnë duart me Putinin.

Ata vijojnë të thonë, se zgjidhja e vetme mbetet ajo diplomatike. Por a ka prodhuar diplomacia perëndimore, ndonjë rezultat të prekshëm në Transnistri, Abkhazi, Osetinë e Jugut apo Nagorno-Karabak?  Është koha të pranohet, që nuk ka një dialog të vërtetë me Rusinë. Ajo çka shohim janë më shumë gënjeshtra, kërcënime, dhe më shumë armë të dërguara në Ukrainë, në kundërshtim me marrëveshjet e Minskut.

Jo vetëm rebelët e përkrahur nga Rusia, në rajonin e Donbasit në lindje të Ukrainës, por Moska vetë vazhdon të mbajë peng dhjetëra shtetas ukrainas, në shkelje të hapur të ligjit ndërkombëtar. Në Krime, ajo ka krijuar një regjim pushtues, i cili po zhvillon një fushatë kërcënimesh dhe frike ndaj njerëzve që jetojnë atje.

Ajo gjithashtu, po e furnizon Krimenë me armë të afta për lëshimin e armëve bërthamore. A mund të presim që Minsku të funksionojë, në rast se ka shkelje të vazhdueshme të armëpushimit, nga rebelët e kontrolluar nga Rusia? Plani i Putinit, është ta bëjë Donbasin një gjyle të lidhur në këmbët e Ukrainës, për të ndaluar integrimin e kësaj të fundit në BE.

A mund të presim që Putin të tërhiqet pas, në qoftë se ne nuk bëjmë asgjë, kur forcat ruse pushojnë qytetet të tëra në Ukrainë, si me Debaltsevon vitin e shkuar? Për të gjitha gënjeshtrat e Moskës dhe eufemizmat e Perëndimit, historia do ta gjykojë këtë, si një luftë të Rusisë ndaj Ukrainës.

Qeveritë kukull në Donbas, nuk shprehin vullnetin e popullatës lokale. Ato drejtohen nga Moska, me anë të njerëzve të armatosur, të promovuar në radhët e të ashtuquajturve ministra. Këto struktura, ekzistojnë vetëm si një mjet, për të ligjëruar presionin e Kremlinit ndaj Kievit. Nuk ka liderë të vërtetë në rajon për Ukrainën, për të folur për paqe në të ardhmen.

Sanksione më të ashpra

Në vend se ta shtyjnë Ukrainën në bisedimet e pseudo-paqes, Perëndimi duhet të vendosë sanksione më të ashpra ekonomike ndaj Rusisë, në mënyrë që të shmangë furnizimet e Kremlinit për në zonën e konfliktit. Sanksionet duhet të qëndrojë në fuqi, për aq kohë sa Krimea do të mbetet e pushtuar.

Moska nuk duhet të lejohet të përdorë aktet e saj të fundit në Donbas, si një rast të volitshëm për njohjen e krimit të saj origjinal, aneksimin e Krimesë.

Ukraina ka nevojë për ndihmë ushtarake, për të mbrojtur vetveten. Një Ukrainë e fortë, nuk përbën një kërcënim për paqen. Kjo është e vetmja mënyrë, për të ndaluar luftën. Mjerisht, ajo merr furnizimet të kufizuara pajisjesh ushtarake jovdekjeprurëse – shumë pak, shumë vonë. 

Kievi gjithashtu merr mbështetje të pakët financiare nga komuniteti ndërkombëtar, qoftë gjatë vitit të kaluar, apo edhe premtimet e varfra për këtë vit- asgjëkundi krahasuar me shpenzimet e luftës që po paguan Rusia. Kur lexova deklaratën Samitin të Rigës, mbi Partneritetin Lindor, për të cilin nuk ka luftë në Ukrainë, s’ka akte terroriste në qytetet e Ukrainës, nuk ka forca ruse në Ukrainë, nuk ka tanke ruse dhe dronë, unë thuajse u zhvendosa në realitetetin alternativ që ofron përditë Putini. Gjithnjë e më shumë ukrainasit po shtrojnë pyetjen:cili është qëllimi i politikës perëndimore? A mos është mbajtja e Ukrainës nën kontroll, për të mos i dhënë asgjë zgjidhje, por për të ndjekur SHBA-në dhe vendimet gjermane?

Kjo është një pyetje, e cila shfrytëzohet edhe nga propaganda ruse: ajo flet për një Ukrainë, që është nën “administrimin e jashtëm”, nga  kompanitë perëndimore, të cilat blejnë asetet e saj me çmime tejet të ulta. Zbutja aktuale e BE ndaj Rusisë, është konsideruar nga shumë njerëz në Ukrainë, si një shuplakë në fytyrë.

Ukraina, në mes acarit të dimrit dhe dhunës së Euromaidan, dëshmoi përkushtimin e saj të thellë e të plotë ndaj vlerave të BE-së. Por presidenti Petro Poroshenko, ka të njëjtin problem me BE-në sikundër Viktor Jushçenko, kishte pas Revolucionit Portokalli në vitin 2004 – mungesën e reciprocitetit ndaj aspiratave evropiane të Ukrainës.

Reciprocitet

Në vitet 2004-2005, propaganda ruse e gërreu mbështetjen e BE-së në vend, duke u thënë ukrainasve “BE-ja nuk ju dëshiron”. Po bën të njëjtën gjë sot, edhe në Gjeorgji dhe Moldavi. Është ironike që Brukseli e mban me gajret Ukrainën për të ndërmarrë reforma të thella, edhe në kohë lufte. Por nga ana tjetër, nuk është kurrë “koha e duhur”, për një premtim mbi zgjerimin.

Dhe kush fiton, kur BE qëndron e distancuar nga Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia? Cilave interesa të qytetarëve të BE-së, u shërben kjo politikë, duke krijuar destabilitet në rajon? A munden edhe euro-optimistët, të jenë të sigurt se ka një të ardhme drejt BE-së, në kushtet kur i gjithë diskursi intelektual i vlerave është i zbrazët? A ka bota realisht nevojë për një BE të tillë?

Është thënë që nuk ka asnjë komb në Evropë, që mund t’i bëjë i vetëm ballë Rusisë. Ukraina po mbahet fort në pozicionin e saj. Me apo pa BE, ajo do të dalë nga kjo luftë më e fortë, për shkak se ajo ka zgjedhur lirinë dhe demokracinë.

Shënim: Roman Sohn është një aktivist ukrainas dhe kolumnist

Leave a Reply

Back to top button