Bota

Pentagon, 11 shtator. FBI nxjerr për herë të parë fotografitë, që hedhin poshtë teoritë e komplotit

Mbeten të pashlyeshme pamjet e dy avionëve që u përplasën me Kullat Binjake, duke i bërë të shemben njëra pas tjetrës. Të transmetuara në kohë reale, të kaluara me mijëra herë nëpër ekranet e gjithë botës, ato u bënë e para ngjarje e madhe mediatike planetare, me të cilën u inaugurua dramatikisht mijëvjeçari i ri. Po ç’u bë me ato fotografi që duhej të dokumentonin efektet shkatërrimtare të avionit të tretë, ai që u nis nga Uashingtoni, me linjën American Airlines 757, që u rrëmbye mes orës 8.51 dhe 8.54 dhe përfundoi në Pentagon?

Mungesa e shkrepjeve ushqeu zërat për komplot, që nuk heshtën as pas transmetimit të një videoje, e shpërndarë në vitin 2006, në fotogramët e të cilës është regjistruar përplasja. Çfarë fshihet prapa atyre terroristëve? Nga i morën urdhërat? A thua ajo mungesë pamjesh përbënte një anë të mjegullt.

Duke filluar nga 11 shtatori teoria e komplotit, ky shikim magjik i historisë, ku gjithçka mund të gjurmohet tek një kauzë e vetme e cila vepron ndërkombëtarisht, me një vullnet këmbëngulës, u përhap nga pak kudo. Madje u shndërrua në skemën interpretuese ku, në politikë, gjejnë terren populizmat. Sepse është mënyra më e thjeshtë – por edhe më e rrezikshmja – për të shpjeguar ngjarjet komplekse të të tashmes sonë. Dhe terrorizmi, pikërisht se duket i shkëputur nga çdo skemë racionale të shkak-pasojës, ushqen fantazi, përralla dhe trillime të gjithfarëllojshme.

Por tani FBI ka vendosur të botojë 27 fotografi të panxjerra më parë, pamje impresionuese ku del qartësisht shkatërrimi i ndërtesës, e goditur nga avioni. Mes flakëve dhe tymit duken qartë pjesët e Boeingut. Protagonistë janë hetuesit që hetojnë në të gjithë zonën ushtarake dhe fytyrat e të cilëve, për shkaqe sigurie, janë fshehur. Veçanërisht domethënëse janë pamjet ku lexohet deri edhe numri i fluturimit. Nga momenti kur avioni goditi në zemër të Mbrojtjes amerikane, mund të kuptohen arsyet që shkaktuan vonesën. Nëse mendohet për rëndësinë që pamjet kanë jo vetëm në media, por edhe në rrëfimin historik, mund të thuhet se shpërndarja e këtyre fotove shënon një zhvillim, i cili në një farë mënyre i bën qesharake teoritë e komplotit. / CdS – bota.al

Leave a Reply

Back to top button