Një zyrtar i lartë i Pentagonit tha të enjten se Rusia “po luan me zjarrin”, kur pohon se ajo do të kërcënonte me përdorimin e armëve bërthamore në mosmarrëveshjet territoriale.
Robert Work, zëvendës sekretar i mbrojtjes, tha se administrata Obama beson se kjo është pjesë e një fushate ruse kërcënimi kundër aleancës së NATO-s.
Ai tha se është i shqetësuar nga ato që ai i quajti provokime ruse. Zoti Work e përshkroi strategjinë ruse të mbrojtjes si përpjekje për të kontrolluar shkallëzimin e tensioneve duke rritur pazarin në çështjet bërthamore.
“Kushdo që mendon se mund të kontrollojë përshkallëzimin nëpërmjet përdorimit të armëve bërthamore është duke luajtur me zjarrin,” tha ai në një seancë të Dhomës së Përfaqësuesve gjatë një diskutimi mbi strategjinë bërthamore dhe planet amerikane për modernizimin bërthamor.
Zoti Work iu referua me sa duket komentit të presidentit Vladimir Putin në muajin mars se ai kishte qenë gati t’i vinte forcat bërthamore ruse në gatishmëri të lartë gjatë tensioneve rreth aneksimit rus të Krimesë. Zoti Putin ka bërë edhe komente të tjera për të theksuar gatishmërinë dhe fuqinë e arsenalit bërthamor të Rusisë.
Në seancë, Admiral James A. Winnefeld Jr, zëvendës kryetar i Shtatmadhorisë amerikane, kritikoi komentet ruse për një përshkallëzim të mundshëm bërthamor në Krime, duke e quajtur këtë pjesë të kërcënimeve kundër Perëndimit.
“Është shumë e rëndësishme që rusët të kuptojnë se përdorimi i parë i armëve bërthamore në një konflikt të tillë, jo vetëm që nuk i ul tensionet, por rrezikon shkallëzimin e pakontrolluar,” tha Admirali Winnefeld.
Nënsekretari i Mbrojtjes Work tha: “Zyrtarë të lartë rusë vazhdojnë të bëjnë deklarata të papërgjegjshme në lidhje me forcat e tyre bërthamore dhe ne mendojmë se e bëjnë këtë për të trembur aleatët tanë dhe ne. Këto kanë dështuar. Në fakt ata e kanë forcuar solidaritetin NATO-s.”