AnalizaMAIN

Për kë bën “tifozllëk” bota?

“Nëse Trumpi do të kthehej në Shtëpinë e Bardhë, unë do të hapja disa shishe shampanjë”, thotë Viktor Orbán, ndoshta i vetmi kryetar qeverie në botë që është deklaruar hapur pro kandidatit republikan. Kryeministri hungarez shton se, nëse zgjidhet, ai “do të ishte sërish presidenti i paqes”. Një frazë e koduar, që në fakt nënkupton kapitullimin e Ukrainës, të cilës një administratë e udhëhequr nga Trumpi nuk do t’i jepte më as fonde dhe as armë, ndoshta duke e detyruar të pranonte paqen sipas kushteve të Putinit. Por Orbáni ka një arsye më të thellë për të mbështetur Trumpin, fitorja e të cilit do të konfirmonte se fryma e kohës në Perëndim, po lëviz në drejtimin e tribunit magjar, duke e shenjtëruar atë si një figurë referimi për të djathtën sovraniste dhe “demokracinë joliberale”. Nga ana tjetër, Trumpi nuk humbet asnjë rast pa i thurur lëvdata kryefansit të tij, të cilin e cilëson si një “burrë të fortë dhe inteligjent”.

Viktor Orbán nuk është i vetëm në Evropë dhe në botë. Në fakt, edhe pse duket numri më i madh numri i qeverive që – edhe pse u duhet të mos deklarohen hapur për shkak të marrëdhënieve diplomatike mes shteteve – shpresojnë për suksesin e Kamala Harrisit dhe të demokratëve, grupi pro Trumpit mund të mbështetet gjithashtu nga shumë simpatizues, haptas ose jo.

Shumica e vendeve të Bashkimit Evropian sigurisht që i përkasin grupit të parë, me disa përjashtime. Po kështu Mbretëria e Bashkuar e udhëhequr nga Laburistët dhe fuqitë aziatike si Japonia, Australia, Filipinet dhe Koreja e Jugut, të gjitha pjesë e sistemit të aleancave të krijuara në rajon nga administrata Biden, për të frenuar Kinën. Më tej, Pakistani, Kanadaja, Brazili, Afrika e Jugut, për të përmendur vetëm më të rëndësishmet. Ajo që i bashkon ata në preferencën e tyre për një Shtëpi të Bardhë të udhëhequr nga Kamala Harris, është perspektiva e vazhdimësisë së Bidenit në politikën e jashtme dhe parashikueshmëria e qasjes së tij me aleatët.

Por edhe fakti që Trumpi i konsideron pothuajse të gjithë si “freeloaders”, të cilët duhet të paguajnë më shumë për mbrojtjen amerikane.

Grupi i vendeve që shpresojnë për një fitore të Trumpit është shumë i larmishëm.

Prania e Rusisë së Putinit është e padiskutueshme. Pavarësisht shakasë së tij se preferon Harrisin, sepse ajo është më e parashikueshme, Vladimir Putini në fakt shpreson të shohë të servirur në pjatë argjendi nga DOnald Trumpi, fitoren që i është mohuar deri më tani në Ukrainë.

Pasioni për burrat e fortë, lehtësia ndaj rregullave demokratike dhe indiferenca ndaj respektimit të të drejtave të njeriut në botë e bëjnë Donald Trumpin kandidatin ideal për Indinë e Narendra Modit, Arabinë Saudite të Mohammed bin Salmanit, Argjentinën e Javier Mileit dhe së fundi, por jo më pak e rëndësishme, Izraelin e udhëhequr nga Benjamin Netanyahu.

Në fakt, Kamala Harris nuk pëlqehet lideri hebre, i cili sheh tek ajo një linjë më këmbëngulëse dhe kritike se sa ajo e Bidenit, ndaj veprimeve të tij.

Mohammed bin Salmani ka frikë se Harrisi nuk i jep Riadit të njëjtat garanci sigurie si administrata aktuale dhe mbi të gjitha ka një marrëdhënie preferenciale me dhëndrin e Trumpit, Jared Kushner. Përkundër faktit se Kamala Harris është me origjinë gjysmë indiane, Narendra Modi, i cili gjithashtu firmosi marrëveshje të rëndësishme sigurie me Bidenin, nuk e sheh me sy të mirë tendencën e demokratëve për të ushtruar presion ndaj Nju Delhit, për të mbrojtur pakicat etnike dhe jo-etnike dhe të mos kufizojë shtetin e së drejtës.

Kina është një rast i veçantë.

Sepse, nga njëra anë, Pekinit nuk i shpëton fakti që Trumpi nuk është aq i përkushtuar sa Harrisi për kauzën e mbrojtjes së Tajvanit, nga ana tjetër, premtimi i tij për të vendosur detyrime astronomike mbi importet kineze i bën nervozë drejtuesit e Dragoit. Trumpi premton një politikë më agresive ndaj Kinës, që sheh megjithatë nën të, skenarin hipotetik të një shpërthimi të sistemit të aleancave ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara, nga i cili mund të nxjerrë avantazhe strategjike. Me pak fjalë, Kina lëkundet mes “djallit që njeh”, demokratëve dhe një basti me rrezikshmëri të lartë, të përfaqësuar nga Donald Trump.

Dhe në fund, Evropa.

Gjermania, Spanja, Polonia, vendet balltike, vendet nordike dhe Franca sigurisht që janë në linjë me Harrisin, të paktën për sa kohë që Macroni është aty. Por nuk është vetëm Viktor Orbáni që mbështet Trumpin. Udhëheqësi hungarez mund të mbështetet në një grup sovranist që përfshin sllovakun Fico, holandezin Geert Wilders, çekun Andrej Babis që mund të kthehet në pushtet vitin e ardhshëm, si dhe sllovenin Janez Janša.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, Italia. Që kur ka qenë në qeveri, Giorgia Meloni ka mbajtur fort linjën Atlantike dhe Evropiane të Italisë, duke krijuar gjithashtu një lidhje të fortë me administratën Biden.

Por diçka ka ndryshuar kohët e fundit. Dhe nuk ka të bëjë aq shumë me mbështetjen e zëvendësit të saj, Matteo Salvini, për Donald Trumpin. Realisht, kryeministrja italiane ka dërguar sinjale të qarta drejt kandidatit republikan, duke nisur nga mirëpritja për Elon Musk, mbështetësin e tij kryesor. Giorgia Meloni nuk tregon se kush është kandidati i saj i preferuar në garën amerikane. Por nëse Trump fiton, ndoshta do të jetë ajo që do të vetëpropozohet si ndërmjetëse mes tij dhe Evropës.

Nëse është lëvizja e duhur, mbetet për t’u parë. / bota.al

Back to top button