AnalizaMAIN

Perëndimi e nënvlerësoi trimërinë e Ukrainës, tani po nënvlerëson brutalitetin e Rusisë

Nga Andriy Yermak

Washington Post”

Rezistenca e Ukrainës kundër pushtimit të tmerrshëm të Rusisë, ka tejkaluar çdo parashikim të bërë nga drejtuesit dhe ekspertët e vendeve të tjera. Shumëkush në Perëndim nuk e kuptoi dashurinë e ukrainasve për lirinë dhe demokracinë e tyre.

Për ne ukrainasit, humbja e pavarësisë së vendit tonë do të ishte më e keqe sesa vdekja. Dhe kjo është arsyeja pse po luftojmë, dhe pse humbja nuk është një opsion për ne. Presidenti Volodymyr Zelensky e ka përçuar në mesazhin drejtuar Kongresit Amerikan dhe parlamenteve kombëtare anembanë Evropës.

Po ashtu ai kërkoi një ndihmë më të madhe ushtarake dhe vendosjen e një zone të ndalim-fluturimit për qëllime humanitare dhe jo ushtarake. Shumë vende i janë përgjigjur duke na ofruar një ndihmë domethënëse ushtarake dhe humanitare. Por duke pasur parasysh qëllimin e qartë të presidentit rus Vladimir Putin për të shtuar gjakderdhjen, Ukraina ka nevojë për më shumë ndihmë.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara, Polonia dhe shumë vende të tjera liridashëse po qëndrojnë të palëkundura përkrah Ukrainën, disa shtete në Evropë duket se janë të gatshëm të pranojnë një Ukrainë të pushtuar pjesërisht nga pushtuesit rusë, pra të lejonë çdo gjë në mënyrë që ata të mund të vazhdojnë të blejnë gazin dhe naftën ruse dhe të bëjnë biznes si zakonisht.

Por tani të bësh biznes si zakonisht, do të thotë të pranosh që rusët të bombardojnë maternitetet dhe teatrot plot me civilë që strehohen atje. Këto mizori janë pjesë e rrethimit rus në qytetin e Mariupolit, që ka lënë qindra e mijëra banorë pa ushqim, pa ujë të pastër, pa energji elektrike dhe komunikim.

Deri tani janë vrarë më shumë se 1200 civilë. Rusia shkeli që në fillim një marrëveshje për një korridor humanitar. Kështu i zhvillon ajo luftërat. Njëlloj u soll në Grozny në vitin 1999 dhe në Siri në vitin 2015. Tani, po e bën në Ukrainë. Kjo është një fushatë e tokës së djegur për të fshirë nga harta Ukrainën, popullin, kulturën dhe historinë e saj.

Ashtu siç shumë analistë parashikuan gabimisht se Ukraina do të binte brenda 72 orëve, shumë të tjerë dështuan të parashikonin mizoritë e tmerrshme që do të kryenin trupat ruse, pavarësisht historisë së tyre të gjatë të mospërfilljes absolute për jetën e njeriut, dhe epshit për gjak dhe shkatërrim.

Vetëm vendosja e një zone të ndalim-fluturimit për të mbrojtur korridoret humanitare do ta ndalojë këtë kasaphanën, ashtu siç bënë Shtetet e Bashkuara, si dhe aleatët e partnerët e tyre në Irak në vitin 1991, në Bosnje në vitet 1993-1995, dhe në Libi në vitin 2011.

Pavarësisht se asnjë nga këto vende nuk ishte anëtare e NATO-s, Perëndimi ndërhyri për të ndaluar goditjen çnjerëzore ndaj civilëve dhe për të lehtësuar ndihmën humanitare, e cila shpëtoi shumë jetë njerëzish. Nëse Perëndimi nuk do ta bëjë këtë tani, atëherë ne kërkojmë armët e duhura që të mund ta bëjmë vetë.

Nëse jo, humbja e njerëzve, infrastrukturës, bizneseve dhe e monumenteve tona historike do të jetë në ndërgjegjen kolektive të Perëndimit. Më 11 mars, Presidenti Biden deklaroi se Shtetet e Bashkuara “nuk do të luftojnë kundër Rusisë në Ukrainë”.

Por e vërteta është se Rusia po zhvillon tashmë një luftë edhe kundër Perëndimit, dhe jo vetëm kundër Ukrainës. Rusët po luftojnë kundër vlerave që Ukraina ndan me Perëndimin, për ta detyruar këtë të fundit të njohë të drejtën ekskluzive të Moskës për t’iu diktuar kombeve të tjera se si duhet të jetojnë.

Ju mund të hezitoni që të shkoni në luftë, por agresori rus e ka bërë zgjedhjen për ju. Tani ekziston një rend i ri botëror. Ata që janë në krah të Ukrainës dhe luftojnë për vlerat e përbashkëta do ta udhëheqin atë, ndërsa të tjerët do të humbasin ndikimin e tyre politik, ekonomik dhe ideologjik.

Shtetet e Bashkuara, Polonia dhe shumë vende të tjera janë duke e krijuar këtë paradigmë të re, por lideri i padiskutueshëm është presidenti ukrainas Zelensky. Ai ka treguar guxim dhe qëndrueshmëri ndaj NATO-s dhe Bashkimit Evropian, dhe e ka bërë bashkë Perëndimin rreth nevojës për të mbrojtur vlerat demokratike.

Por ushtarët ukrainas po përballen me një ushtri ruse që sapo ka filluar pushtimin. Një ushtri ruse që vazhdon të rrafshojë qytetet e Ukrainës duke qëlluar pa dallim me raketa. Ukrainasit janë të gatshëm që ta zhvillojnë këtë luftë si për Perëndimin po ashtu edhe për veten tonë. Por ne nuk mund ta bëjmë këtë pa pajisjet e nevojshme ushtarake.

Ne kemi nevojë për ndihmë ushtarake me armë mbrojtëse të fuqishme, të cilat janë kërkuar vazhdimisht nga presidenti Zelensky: avionë luftarakë, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe raketore, drone, armë kundër blindave, municione, pajisje mbrojtëse.

Nëse nuk marrim pajisjet që na nevojiten për të pasur sukses, Putini nuk do të ndalet në Ukrainë. Më pas, ai do të sulmojë vendet e NATO-s. Ushtarët, qytetarët dhe vullnetarët ukrainas nga e gjithë bota po i frenojnë me guxim tani për tani pushtuesit rusë.

Populli ukrainas ka treguar se mund ta udhëheqë luftën për demokraci kundër tiranisë. Ne kemi thjeshte nevojë për më shumë mbështetje. Njerëzve liridashës anembanë botës u themi: Kjo është edhe lufta juaj. Na ndihmoni ta fitojmë. Nëse jo, mbi Evropë do të triumfojë diktatura më e egër që nga Lufta e Dytë Botërore. Perëndimi nuk mund ta lejojë të ndodhë kjo gjë.

Shënim:Andriy Yermak është shefi i kabinetit të presidentit të Ukrainës.

Back to top button