Analiza

Perëndimi është në një rreth vicioz. Revolta populiste, si reagim ndaj mendimit të dobët

“Kemi arritur në një seri rrathësh viciozë në perëndim”. Kështu hapet shkrimi i gjatë i Rusty Reno, drejtor i First Things, revista kryesore e katolikëve në Amerikë.

“Pas shembjes së Bashkimit Sovjetik, amerikanë mendonin se skena botërore do t’i bindej me magji fuqisë së saj të mirë. Bashkimi Europian kishte shpallur një epokë bashkëpunimi ndërkombëtar dhe fuqie të butë. Por shpresat për utopitë nuk u vërtetuan dhe, ajo që një herë e një kohë menduam se ishte e ardhmja ideale dhe e pashmangshme, tani është irritim, mospëlqim dhe rebelim, jo vetëm nga forcat perëndimore që i rezistojnë triumfalizmit tonë, por edhe në brendësi të vendeve tona”.

Një shenjë është eklipsi i strukturës klasike të pushtetit politik. “Problemi qendror dhe përçarës është gjithmonë roli dhe e ardhmja e kombit. Do të hyjmë në të ardhmen e ndryçuar të një bote të begatë dhe të globalizuar pa kufij, menaxhuar prej ekspertëve dhe udhëhequr nga idealet e larta të të drejtave të njeriut?

Apo do të kthehemi në ditët e errëta të racizmit, nacionalizmit, luftës dhe kampeve të përqëndrimit? Parashtrimi i situatës tonë aktuale politike në këto terma është absolutisht tendencioze, dhe e pamjaftueshme nga pikëpamja metafizike.

Populizmi në rritje që shohim në të gjithë perëndimin, reflekton dëshirën e një rikthimi të perëndive të forta në jetën publike. Perënditë e forta u diskrdituan në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë. Tre dekada mobilizimesh në masë e lanë Europën të rraskapitur dhe u vendos një konsensus, sipas të cilit perëndimi nuk mund të përballonte më një tjetër cikël nacionalizmi të zellshëm.

Edhe këtu, shumë udhëheqës politikë dhe kulturorë kanë thënë se rikthimi i një mënyrë më njerëzore të jetës në perëndim, kërkonte një zbutje dhe dobësim”.

Shembull janë ekzistencializmi francez, humanizmi i Albert Kamysë, por edhe katolicizmi. “Këshilli i Vatikanit II, i mbledhur në fillim të viteve gjashtëdhjetë, është interpretuar gjerësisht si një liberalizim dhe laicizim i dogmave. Edhe katolicizmi u përfshi nga ekzigjenca e zhgënjimit. Edhe në brendësi të kishave, pas Aushvicit, dukej e nevojshme të hidheshin poshtë të vërteta të forta dhe të jashtëzakonshme. Edhe Amerika mori pjesë në zhdukjen e perëndive të forta nga jeta publike. Liberalizmi dominues i viteve pesëdhjetë kultivoi një qasje pragmatiste dhe afirmoi se ishte “post ideologjik”. Imperativi u zgjerua dramatikisht në vitet gjashtëdhjetë. Për qytetarët europianë, momenti vendimtar erdhi në maj të vitit 1968. Për mendimtarët francezë radikalë që janë quajtur “postmodernë”, nihilizmi ofron të kundërtën e dëshpërimit. Ideja sipas të cilës nuk ekzistojnë të vërteta solide dhe jetëgjata ishte për ta një ungjill i lirisë. Përpara rënies së Murit të Berlinit, rreziku ekzistencial që paraqiste komunizmi i bëri presion perëndimit, për të mbajtur besnikëri të konsoliduara politike dhe kulturore. Duhej të punonim që të flisnim me forcë për virtytet e një shoqërie të lirë. Pas shembjes së Bashkimit Sovjetik, Amerika dhe Europa perëndimore u relaksuan disi, besimplota se mënyra jonë e jetesës ishte e justifikuar. Siç e shpalli Frensis Fukujama, ne mbërritëm në fundin e historisë. projekti për ta bërë botën një vend më të mirë do të çohet përpara nga kapitalizmi global, që ka një impuls të brendshëm, bashkë me institucione dhe struktura transnacionale që kanë logjikën e tyre, të zgjerimit dhe kolonizimit. Në një masë të madhe, shëndeti, pasuria dhe kënaqësia udhëheqin SHBA dhe Europën. E majta dhe e djathta në Europë dhe në Amerikë janë të bashkuara në një përbashkësi metapolitike që promovon modelin e përgjithshëm të dobësimit dhe rregullën e perëndive të vatrës. E majta shkon përpara drejt kufirit të radhës të “çlirimit”. Të drejtat tran-seksuale reflektojnë dëshirën për të dobësuar pretendimet që ADN jonë ushtron mbi ndjesinë tonë të të qënit burrë ose grua.

E drejta adopton logjikën libertariane të mendimit të tregut, dhe konsideron heqjen e gjithë pengesave ndaj fluksit të lirë të punës, kapitalit dhe mallrave, si mënyra më e mrië për t’i shërbyer të mirës së përbashkët”.

Këtu hyn në lojë revolta populiste. “Mbrojmë diversitetin dhe përfshirjen, duke premtuar se bota do të jetë më në paqe nëse afirmojmë multikulturalizmin. Një politikan apo një figurë publike që lufton për diçka të fortë, qoftë nacionalizmi apo tradita morale, përshkruhet gjithmonë si ‘autoritar’. Në Europë jemi paralajmëruar se duhet të pengojmë një rikthim të fashizmit. Po mbërrijmë në një rreth vicioz. Konsensusi i pasluftës tani më thotë se duhet të zgjedh mes mëkatit pornografik dhe putinizmit, pikërisht ashtu si po i thotë të resë franceze, që të zgjedhë mes multikulturalizmit dhe fashizmit. Këto nuk janë zgjedhje të lumtura dhe një kulturë politike që të inkuadrojë çështjet tona më të rëndësishme publike në këto mënyra, është në vështirësi. Varfëria metafizike e krijuar nga zhgënjimi i detyrueshëm, mund ta shpjerë populizmin që të kërkojë një solidaritet në homogjenitetin ideologjik”.

Sot, konkludon Rusty Reno, “elitat janë më të largëta, por edhe më të pasura dhe më të pushtetshme. Kjo nuk është koincidencë. Populizmi rebelohet kundër fluiditetit. Ky impuls, sado shkatërrimtar që të bëhet për institucionet tona politike, reflekton një dëshirë të shëndetshme densiteti metafizik. Objektivi ynë duhet që të jetë të edukohet kjo dëshirë me dashurinë për rendin e duhur, dhe jo t’ia nënshtrojmë kemioterapië së zhgënjimit”. / Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button