Bota

Perëndimi mund të bëjë shumë pak për Sirinë, pa përfshirjen e Rusisë

Përtej dallimeve sa i përket taktikës, ministrat e jashtëm të shtatë ekonomive më të mëdha të botës, mund të bien dakord, në lidhje me problemin qendror që ka bota sot: tragjedinë që vazhdon në Siri, shkruhej në editorialin e djeshëm të të përditshmes britanike The Independent.

Sulmi paralajmërues që Amerika i bëri Sirisë, por edhe Rusisë, ka zhvilluar një dimension etik pothuaj të papritur për politikën e jashtme të SHBA. Por është gjithësesi një dimension, i cili gjen mbështetje tek disa prej aleatëve më të ngushtë të Amerikës.

Në këtë kuptim, ideja që SHBA duhet të “udhëheqës” dhe të flasë për të gjithë botën perëndimore, merr kuptim.

Sado i bashkuar që të jetë Perëndimi, problemi i vërtetë gjeopolitik, qëndron po aty ku ishte, në kohën kur ish Sekretari i Shtetit, John Kerry u përpoq, pa sukses, që të ndërtonte një lloj agjende të përbashkët me Ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov. Kerry preferonte fjalët. The Donald preferon të veprojë. Sido që të jetë, pa mbështetjen e Rusisë, regjimi i Asadit do të vazhdojë të veprojë, pothuaj njësoj, si ka vepruar që nga dita kur nisi lufta civile.

Sigurisht, presidenti sirian do ta mendojë dy herë, përpara se të përdorë sërish armë kimike. Por të jemi të sigurtë se, pavarësisht paralajmërimit të Amerikës, do të ketë përsëri luftë, vrasje dhe fëmijë të vdekur në rrugë. Në mungesë të një reagimi më të fuqishëm të SHBA dhe aleatëve të saj në G7 – dhe një që tashmë e dimë se Rusia dhe Irani po kërcënojnë të përgjigjen me forcë reciproke – lufta e Asadit kundër armiqve të tij do të vazhdojë deri në fund. Dhe në fund, do të kenë mbetur shumë pak gjëra, përveç rrënojave.

Kështu siç janë gjërat, sulmi i Presidentit Trump ka ardhur shumë vonë për të ndryshuar faktet në terren. Teksa ulen së bashku në banketin e tyre italian, në Toskanë, ministrat e jashtëm të G7-ës duhet të bien dakor edhe për këtë gjë. / bota.al

Leave a Reply

Back to top button