Personazhe

Përjetë në shënjestër të mafias. Jeta e fshehtë e Roberto Savianos në Nju Jork

 

Screen Shot 2015-09-20 at 14.00.25

Nga Uilliam Brenan

“The Atlantic”

Menjëherë pasi gazetari investigativ italian, Roberto Saviano, mbërriti në Nju Jork në vjeshtën e kaluar, iu dha në dorë një hartë e pazakontë. Ndryshe nga guidat tipike turistike, ajo ishte prodhuar enkas për të nga autoritetet italiane, dhe shënonte vende të cilat Saviano duhej t’i shmangte – shumë prej tyre dyqane dhe restoranteve të drejtuara nga emigrantët italianë, të dyshuar për lidhje me mafian.

E megjithatë vendet e ndaluara, duken tepër joshëse për të. Një pasdite, Saviano u vesh sipas asaj që e quan maskimin e tij “Hipster” (syze, kapele, mustaqe) dhe hyri në një restorant që tregohej në hartë, ku ai bëri porosinë dhe priti për të parë se çfarë do të ndodhte. Ushqimi erdhi. Ai e hëngri atë. Dhe askush nuk e kishte vënë re praninë e tij.

Duke u kthyer për në shtëpi, Saviano s’mundi të ecte nëpër rrugë, pa shkaktuar ndonjë ngacmim. Përshkrimi i mafias napolitane në librin e vitit 2006 “Gomora”, ka shitur më shumë se 10 milionë kopje në 50 gjuhë të botës. Një version kinematografik i vitit 2008, u kandidua për Globin e Artë, ndërsa një serial televiziv ishte më i shikuari në Itali vitin e kaluar.
Saviano u rrit në një qytet të infektuar nga mafia afër Napolit (ai pa për herë të parë trupin e një viktime në rrugë kur ishte 13-vjeç), dhe denoncimi i tij ishte personal dhe i rreptë. “Gomora” tregoi tmerret e Kamorrës (siç njihet në Napoli mafia lokale), në një mënyrë që shkatërroi mitin e mbretërimit të mafias: në vend të kodeve të nderit, ai ofroi fëmijët ushtarë dhe trupat që treteshin në acid klorhidrik. Duke vepruar kështu, ai i detyroi shumë italianë, të përballesh sërësh me realitetin e tmerrshëm të mafias.

Megjithatë, për shkak të zemërimit por edhe famës që shkaktoi “Gomora”, një prej trashëgimive më të qëndrueshme të librit, ka qenë efekti i tij mbi jetën e Savianos. Pasi disa nga Kamorristët e përmendur vazhdimisht në libër e kërcënuan me vdekje, Savianos iu caktua një eskortë e armatosur e policisë. Ai i kaloi 5 vitet e ardhshme duke u endur nëpër Itali, mes shtëpive të sigurta dhe kazermave të policisë, gjatë gjithë kohës i fshehur në ambiente të mbyllura.

Ai do të bëhet një anëtar i “komunitetit të personave të shoqëruar” – termi i tij për grupin e shkrimtarëve dhe gazetarëve, përfshirë edhe mikun e vet të ri Salman Rushdi, të cilët janë të detyruar të jetojnë nën mbrojtje. Në pranverën e vitit 2011, ai s’mundi të vazhdonte më në atë mënyrë. Ndaj u nis për në Nju Jork, duke shpresuar të rifitonte njëfarë lirie; prej atëhere qyteti është bërë baza e tij e “mërgimit”, siç thotë ai.
E takova Savianon në zyrën “West Village” të Penguin, botuesit të tij amerikan, një të premte me një të ftohtë të hidhur në fund të shkurtit, ditën e tij të 3060 që jetonte nën mbrojtje. Ai kishte dalë fshehurazi për t’u takuar me të, të gjithë njerëzit, publicistin e tij. Kishte veshur një pallto të fryrë ngjyrë blu dhe 3 këmisha, dhe foli me mall për qytetin e tij të mbushur me pemë palme.

Pa flokë, me një hundë si shqiponjë dhe ballin përherë të rrudhur, Saviano mund të ngatërrohet lehtësisht me ndonjë personazh të librave të tij. Ai është i njohur për bizhutë e shumta që mban në duar – një gazetë italiane e ka quajtur “Zoti i Unazave”. Pa mendje goditi mjekrën me gishtin e tij të majtë, ku feksi një unazë argjendi me një mbishkrim në hebraisht: “Kur frika të ndjek nga pas, dije se është një krijesë e mendimit tënd”.

Botuesi i Savianos, Bruk Parsons, na çoi në një dhomë të vogël, të errët, ku një karrige e vetme ndodhej para një sfondi të bardhë, të rrethuar nga dritat. Mbi karrige ndodhej një video kamerë. Ndërsa Met Boid, drejtor i marketingut të “Penguin”, bëri gati kameran për të xhiruar, Saviano dhe unë u ndalëm tek dera, duke biseduar në italisht. Për një moment, rolet tona përmbysen, dhe ai filloi të më intervistojë mua. Nga isha unë? Si e kisha mësuar italishten?. “Jam irlandezo-italian”. “Italian nga ana e nënës suaj?” “Po”. Me sa duket i kënaqur, buzëqeshi dhe u ul.

“A ju tha Bruk çfarë do të bëjmë sot ?”- e pyeti Boid, para se t’i shpjegonte se do të xhironin një video promovuese për përkthimin e ardhshëm në anglisht të “ZeroZeroZero”, librit të parë investigativ të Savianos që nga koha e “Gomorrës”. Saviano e ka kaluar shumicën e kohës pas librit të parë, duke folur nëpër televizionet italiane, ku ai foli në mënyrë dramatike, sikur të kishte përgatitur që më parë linjat e romanit të ri.

Në “ZeroZeroZero”, ai hedh vështrimin tej mafias napolitane, tek tregtia globale të kokainës. Ambicia e tij, shpjegoi ai para kamerës, ishte t’i tregonte lexuesit se krimi i organizuar “është një pjesë e jetës suaj, është shumë pranë jush”. Ai kishte shkruar librin “për hakmarrje” dhe “ jashtë çdo lloj makthi”, tha ai, duke shtuar, “Unë me të vërtetë shpresoj se publiku e kupton çmimin e gjakut, që kam paguar për të shkruar këto gjëra”.

Pasi u botua “Gomora”, prindërit e Savianos u detyruan të fshihen;thuajse të gjithë miqtë e tij e braktisën. I vetmuar dhe i brejtur nga keqardhj,a për atë që i kishte bërës jetës së tij, Saviano mendoi të mos shkruante më kurrë. Por pasi kjo ndjesi iu largua, ai u kthye përsëri tek shqetësimet e tij të vjetra. “Çdo orë duket e pakuptimtë, e shpërdoruar, nëse ju nuk do t’i kushtoni energjitë tuaja për të zbuluar dhe treguar”-shkruan

ai në librin e ri.
“ZeroZeroZero” është marramendës. Libri tregon historinë e ngritjes së përgjakshme të karteleve kolumbiane dhe meksikane, që kontrollojnë tregun global të kokainës, duke i lidhur ata me një mori të bashkëpunëtorësh të largët:bankat në Wall Street, mafian kalabreze, marinarët në Greqi, djalin e një ish-presidenti të Guinesë.

Ashtu si tek “Gomora”, Saviano nuk kursen asnjë detaj të frikshëm.
Libri është plot me rastet e informatorëve të vrarë të policisë, si dhe me gjymtyrët e tyre të prera. Por ndërsa ai shkroi “Gomora”-n me besimin se të folurit hapur, ishte në vetvete një kontroll i fuqishëm mbi Kamorrën, Saviano e përfundon “ZeroZeroZero” me një këshillë ndaj politikës, për mënyrën sesi të shkatërojë kartelet e drogës: “legalizimin e plotë” të drogës.

Ai e di se kjo është një ide që ka pak mbështetës. “Gjetja e kokainës në një farmaci? Sigurisht, nuk është vizioni i një shoqërie të përsosur”- më tha ai. “Por me kalimin e kohës do të shkatërrojë tregtinë e drogës”.

Kur, gjatë shkruarjes së “Gomorra”-s, Saviano deshi të bënte të qartë se mafias kishte futur duart edhe në industrinë italianë të modës, ai punoi në lagjen e tij në një dyqan të tillë të lidhur me Kamorrën; kur donte të tregonte vilën e një mafiozi, ai hynte fshehurazi në një prej tyre (dhe largohej me shpejtësi nga banja). Në “ZeroZeroZero”, shfaqen profilet e njerëzve interesantë- supermodelja kolumbiane Natalia Paris, e cila ishte e dashura e njërit prej informatorëve kryesorë të kartelit në DEA-s, Martin Uds. Por pjesës dërrmuese të skicimeve, u mungon vitaliteti i persononazheve si tek “Gomora”. Në një farë mase, kjo pasqyron rrethanat e ndryshuara në jetën e Savianos:ndërsa po përgatiste librin e tij të ri, ai vizitoi një duzinë shtetesh, por shqetësimet mbi sigurinë nuk e lejuan atë të dilte përtej stacioneve lokale të policisë.

Edhe në Neë York, ku fama e tij nuk është aq e madhe, disa njerëz e njohin. Ndërsa apartamenti po survejohej vjeshtën e kaluar, më tregoi se po priste për të parë një tjetër banesë, kur vuri re se portieri i ndërtesës po e vëzhgonte. “Unë të kam parë në televizion në Meksikë!”-tha roja. (Përkthimi spanjoll i “ZeroZeroZero” është bestseller në atë vend) “Ju jeni shkrimtari italian!” Saviano e mohoi, por portieri këmbënguli: “Jeni ju!”.

Ai nxorri telefonin e tij për një selfi, çka u refuzua nga Saviano, dhe kur mbërriti pronari i banesës, portieri shpjegoi se kush ishte Saviano. Pronari dukej nervoz. Saviano tha në “Nuk ka probleme me mafian”- Ndërsa portieri këmbënguli:”Ky djalë është një hero! Një hero!“. Saviano nuk e mori atë apartament.

Autoritetet italiane, në bashkëpunim me policinë e Nju Jorkut dhe FBI-në, kanë vendosur rregulla të rrepta për jetën e Savianos në qytet. Ai ka një orar shtetrrethimi pas mesnatës, dhe një mandat për të qëndruar në këtë shtet, përveçse nëse merr leje për t’u larguar. Sa herë që zbret nga avioni në aeroportin “Xhon Kenedi”, ai ndalohet – ndonjëherë për disa orë- derisa autoritetet e qartësojnë hyrjen e tij.

Në portofol mban disa identitete të rreme. Në një moment të bisedës sonë, ai nxjerr nga xhepi i tij një ID të vjetër nga Universiteti i Nju Jorkut (ku ka dhënë mësim në vitin 2011 mbi ekonominë e krimit të organizuar) dhe ma dha mua, duke qeshur. Në një foto me një vështrim të sertë dhe shumë mesdhetar, Saviano mbante emrin e një parlamentari britanik:Dejvid Denon.

Kur u rikthye në Shtetet e Bashkuara vjeshtën e shkuar, atij iu dha një ID e re me një emër spanjoll. “Është më mirë se Denon”- tha ai. Kur Saviano u jep mësim të rinjve në Nju Jork, ai përpiqet të qëndrojë brenda radarit të sigurisë (nxënësve u kërkohet të mos flasin mbi praninë e instruktorit të tyre), ndërsa shmang paraqitjet publike nga frika e shkeljes së udhëzimeve të përcaktuara nga policia.
Paraqitja e verme e publike e tij në qytet, ndodhi në nëntor të vitit 2011, gjatë protestave të lëvizjes “Occupy Wall Street”. Ai donte të mbante një fjalim mbi krizën financiare në bazën e lëvizjes, në Manhatanin e Ulët. Edhe pse autoritetet e paralajmëruan të hiqte dorë, ai shkoi i rrethuar nga një rrjet agjentësh të sigurisë. Menjëherë pas kësaj, më tha, u detyrua të kthehej në Itali për gjashtë muaj.

Ai më deklaroi se e kupton, se mund të detyrohet të lërë sërish Amerikën në një moment të caktuar, dhe gjejë një vend tjetër ku të jetë më i sigurtë. Saviano e nxorri edhe pasaportën, duke e kthyer nga pjesa e pasme për të treguar vizat e skaduara. “Ndoshta Zvicra, Kanadaja apo Franca. Unë gjithmonë e kam një plan B në kokën time”- tha ai.

Perkthimi: A.G./Bota.al


Leave a Reply

Back to top button