Analiza

Përse gjysma e botës “bën tifo” për Putinin në krizën e Ukrainës

Timothy Garton Ash

Pwrse gjysma e botwsNë rrafshin gjeopolitik, ju ftoj të mbani shënim: sa më shumë që futemi në shekullin 21, do të kemi më shumë Ukraina

Më thuaj çfarë Ukraine sheh, e do të të them se cili je. Kriza ukrainase është një variant politik i provës së njollave të Rorschachut, jo vetëm për individët, por edhe për shtetet. Rezultatet nuk janë inkurajues për Perëndimin. Po del që Vladimir Putini ka më shumë njerëz që e admirojnë në botë, nga sa mund të pritej prej një personazhi që përdor një kombinim të dhunës dhe gëenjshtrës, me qëllim që të shpërbëjë një shtet sovran fqinj. Kur përmend ata që e admirojnë, nuk e kam fjalën për qeverinë venezueliane dhe siriane, që i kanë dhënë zë më shumë se të tjerat mbeshtetjes së tyre.

I forti i Rusisë po merr mbështetje të heshtur e madje edhe ndonjë duartrokitje të pazhurmë nga ana e disa fuqive në zhvillim me staturë botërore, duke filluar nga Kina dhe India. Kam qenë në Kinë kohët e fundit dhe më pyesnin vazhdimisht se çfarë po ndodhte në Ukrainë. Unë përgjigjesha duke pyetur nga ana ime se çfarë mendonin kinezët. Doja të dija, nëse një vend që ka mbrojtur vendosmërisht parimin e respektit për sovranitetin dhe integritetin territorial të shteteve ekzistues (qoftë kur bëhej fjalë për ish Jugosllavinë, qoftë për Irakun) dhe që ka disa Krime të mundshme (Tibeti, Xinjiangu), ndihet i shqetësuar përpara iniciativës ruse për të aneksuar një pjesë të një shteti fqinjë.

Përgjigja ishte që, po, një farë shqetësimi ekzistonte, por Ukraina është kaq larg dhe, sinqerisht, për Kinën kriza ka më shumë aspekte pozitivë se sa negativë.

SHBA do të kishin një shpërqëndrim të ri (pas al Kaedës, Afganistanit dhe Irakut) që do të pengonte strategjinë e “zhvendosjes së boshtit drejt Azisë”, duke e larguar vëmendjen nga Kina. E snobuar prej Perëndimit, Rusia do të ishte e detyruar të mbështetej në marrëdhënie më të mira me Kinën. Sa për Ukrainën, ajo i shet tashmë Kinës armatime të një niveli më të lartë, se sa ata që Rusia ka qenë e gatshme të ndajë deri më sot me aleatin e saj të madh aziatik. Autoritetet e rinj ukrainas kishin garantuar tashmë në heshtje autoritetet kineze, se mosdënimi i aneksimit të Krimesë nga Pekini nuk do të ndikonte në marrëdhëniet e tyre në të ardhmen. Atëherë, përse duhej të qaheshin?

Këtyre konsideratave për realpolitikën, më thanë, i shtohet edhe një komponent emocional. Udhëheqësit kinezë, si Xi Jinping, të rritur në kohën e Maos, janë instiktivisht të entuziasmuar nga ideja që një udhëheqës tjetër perëndimor zbret në fushë kundër Perëndimit kapitalist dhe imperialist.

“Xi-së i pëlqen Rusia e Putinit”, më tha një vëzhgues i mirëinformuar. Mediat janë më të kujdesshme në gjykim, që nga momenti kur Putini, pas Krimesë, vazhdoi duke trazuar ujërat në Ukrainën lindore. E përditshmja nacionaliste Global Times, që muajin e kaluar fliste për “rikthim të Krimesë tek Rusia”, sot paralajmëron që “rajoni i Ukrainës lindore është i ndryshëm nga Krimea. Ndarja e kësaj zone përbën një shkelje të integritetit territorial, i garantuar prej të drejtës ndërkombëtare”. (Por Putini nuk synon një ndarje, por thjeshtë një Bosnje të Madhe të finlandizuar, një vend neutral dhe me një “federalizëm” të shtrirë deri në atë pikë që rajonet lindorë të shndërrohen në entitete si Bosnja, në brendësi të sferës ruse të influencës).

Sidoqoftë, me sa duket ky shqetësim nuk e ka ftohur pritjen e ngrohtë që iu rezervua Ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov në Pekin. Presienti Xi ka konfirmuar që marrëdhëniet mes Kinës dhe Rusisë “janë shumë të mira dhe kanë zënë një rol të pazëvendësueshëm në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në botë”. Ministri i jashtëm kinez i quajti marrëdhëniet kino-ruse “një lidhje mes vendeve të mëdhenj, të nivelit më të lartë dhe me një domethënie strategjike shumë të rëndësishme”. SHBA-ve nuk u mbetet veç të qajnë. Veç kësaj, Putini është i gatshëm që të presë presidentin Putin me rastin e një samiti të parashikuar për muajin e ardhshëm.

Dhe nuk është vetëm Kina. Një miku im, i sapokthyer nga India vëren që me fitoren e mundshme të Narendra Modit në zgjedhje dhe rritjen e “kapitalizmit klientelist”, miqtë e tij liberalë druhen se demokracia më e madhe e botës do të shkojë drejt një versioni indian të putinizmit. Deri tani, India është reshtuar me Rusinë dhe jo me Perëndimin për çështjen ukrainase. Muajin që kaloi, presidenti Putin falënderoi Indinë për pozicionin “e matur dhe objektiv” që mbajti në lidhje me Krimenë. Obsesioni postkolonial për sovranitetin, si dhe pakënaqësia ndaj edhe shenjës më të vogël të imperializmit liberal perëndimor bëjnë që India – me një logjikë të mangët, duhet dhënë – të mbështesë një vend që ka shkelur sovranitetin e një shteti fqinjë. Një revistë satirike indiane arriti deri aty sa të shkruajë se Putini është punësuar nga India si “këshilltar i lartë strategjik për t’i dhënë përfundimisht zgjidhje çështjes së Kashmirit”. Ndërkohë, dihet që India e merr pjesën më të madhe të armëve nga Rusia.

Dhe nuk është vetëm India. Dy partnerët e tjerë të Rusisë në të ashtuquajturin grupi Brics, ose më saktë Brazili dhe Afrika e Jugut, abstenuan për rezolutën e ansamblesë së përgjithshme të OKB kundër referendumit në Krime. Po kështu, ata janë bashkuar me Rusinë në shprehjen e “shqetësimit” në lidhje me propozimin e ministrit të jashtëm australian për të përjashtuar Putinin nga G-20 i nëntorit. Ambasadori rus në Afrikën e Jugut ka shprehur vlerësim për këtë qasje “të ekuilibruar”.

Perëndimi gjendet përballë dy burimeve gjigandë që janë gati të shpërthejnë. Njëri, për të cilin kam folur gjerësisht, është ai i pakënaqësisë së shkaktuar tek Rusia nga reduktimi i perandorisë së saj në 25 vitet e fundit – që nga zemra e Gjermanisë deri tek zemra e Rusit të Kievit.

Tjetri është burimi i pakënaqësisë për shekujt e dominimit kolonial perëndimor. Ky merr forma të ndryshme në vende të ndryshëm të Brics dhe anëtarëve të G-20. Sigurisht, jo të gjithë kanë narrativën monolite të poshtërimit kombëtar të Kinës, që nga kohërat e luftërave të opiumit. Por në një mënyrë apo një tjetër i bashkon një shqetësim i fortë dhe një dyshim i madh që lidhet me sovranitetin e tyre, vuajtjen, intolerancën ndaj amerikanoveriorëve dhe europianëve që duan t’u mësojnë rrugën e drejtë si dhe nga një lloj kënaqësie dashakeqe, kur shohin Uncle Samin (për të mos folur për të voglin John Bull) që ha grushta prej rusit luftarak. Rroftë Putinizmi!

Natyrisht, nuk është ky problemi i menjëhershëm në Ukrainë, por është një perspektivë e hapur prej krizës në Europën Lindore. Në këtë kuptim më të gjerë gjeopolitik, ju ftoj të mbani shënim: sa më shumë që futemi në shekullin 21, aq më shumë Ukraina do të kemi .

Leave a Reply

Back to top button