Epoka digjitale na ka lënë të mpirë, përballë një situate të tmerrshme si ajo e Sirisë
Nga Kameron Hadson
“Kamionët e famshëm janë këtu, dhe ne jemi duke pritur që të fillojë. Kujdesuni për vogëlushin tim të artë, dhe mos e përkëdhelni shumë me dashurinë tuaj. Jetë të mbarë, ne duhet të hipim në kamionë tani. Drejt përjetësisë. Juaja, Vilma”. Ky është teksti i një letre, e marrë kohët e fundit nga Muzeu i Holokaustit i Shteteve të Bashkuara, nga i biri i autores së letrës. Shkruar vetëm disa orë para se Vilma Grunëald të dërgohej për të vdekur në dhomat e gazit më 11 korrik 1944, u deshën të kalonin 72 vjet, përpara se bota të zbulonte mesazhin e saj të lamtumirës.
Sot në Halep, mijëra e mijëra civilë që kanë ngecur në anën e gabuar të vijave të frontit, mes bombave dhe snajperëve, janë duke i dërguar botës shënimet e tyre të vdekjes. Për ditë të tëra, tuiteri, Fejsbuku, Uotsapi dhe platforma të tjera mediatike janë mbushur me këto thirrje të fundit të dëshpëruara, për mëshirë, teksa vdekja afrohet.
Gjithmonë është supozuar që, nëse bota do të kishte kuptuar më kollaj atë që po ndodhte me Vilma Grunvaldin dhe miliona të tjerët si ajo, më shumë do të ishte bërë për të ndërtuar një reagim të fuqishëm për të shpëtuar jetët e hebrenjve. Kaq i madh ishte turpi ynë kolektiv, saqë pas atij dështimi, bota u betua që “kurrë më” kjo të mos ndodhte, dhe nisi kështu ndërtimin e një infrastrukture ndërkombëtare, për ta penguar.
Konventat për Parandalimin e Gjenocidit, Mbrojtjen e Refugjatëve dhe Të Drejtat Universale të Njeriut, u miratuan menjëherë në periudhën e pasluftës. Më shumë se 70 vjet më vonë, ato supozime mbi anën më të mirë të natyrës sonë, si dhe forcën e atyre betimeve për të ndërtuar një reagim të fuqishëm, po vihen në një provë ekstreme në Siri – një provë, në të cilën po dështojmë.
Ambasadorja e SHBA, Samantha Pauer, pyeti, e mbushur edhe emocionalisht, përfaqësuesit e Rusisë, Sirisë dhe Iranit në Kombet e Bashkuara këtë javë, në lidhje me përgjigjen e tyre për bombardimin dhe vënien sistematikisht në shënjestër të civilëve brenda Halepit, duke thënë: “A nuk keni turp?” Përgjigja është një “jo” e vendosur, por a nuk duhet që ajo pyetje të na bëhet të gjithëve ne?
Si kemi rënë kaq poshtë, nga ndërtimi i muzeve dhe përkujtimoreve të Holokaustit, dhe viktimave të tjera të krimeve kundër njerëzimit, sa që të injorojmë se historia po rishkruhet me gjakun e një brezi të ri viktimash, mu përpara syve tanë? Çfarë ka ndryshuar?
Së pari, ai supozimi themelor i parandalimit të gjenocidit, se po të dish më shumë, fuqizohesh dhe të detyron të bësh më shumë, por rezulton i rremë në epokën digjitale. Konkurrenca për vëmendjen tonë, në një mjedis mediatik gjithmonë të ndezur, në shumë drejtime na ka mpirë përballë peshës së krimeve që po shpalosen në Siri sot.
Lamtumirat personale të atyre që kanë mbetur brenda zonës së vrasjeve në Halep sot, “zbresin poshtë” me një të klikuar dhe konkurrojnë me postime shumë më “të pëlqyeshëm” dhe të “rindashëm”, nga ofrues më të mençur materialesh mediatike.
Së dyti, kompleksiteti i aktorëve dhe krimeve që ata po kryejnë në Siri nuk mund të përmbahet në mesazhe 140-gërmëshe. Ne mundemi të identifikojmë civilët e pafajshëm, por ata që i kryejnë krimet janë shpesh herë të identifikuar kaq turbullt, dhe motivet e tyre kaq të paqartë. Si pasojë, shumë amerikanë që përndryshe do të bënin më shumë për të kërkuar një reagim të udhëhequr nga Amerika, dalin më të shastisur dhe të paaftë për të parë interesat e sigurisë për SHBA, në këtë kasaphanë.
Ai që e ndërlikon më shumë këtë narrativë tragjike është spektri i i lajmeve të rreme që, i vënë në lëvizje prej makinerive të spin dcotor-ëve të qeverisë, po ndihmon për të larguar lajmin prej kostove të mëdha njerëzore të këtij konflikti. Rusia e ka futur angazhimin e saj 18-mujor në Siri, në kornizën e një përpjekjeje të koalicionit për të sprapsur rrezikun terrorist, duke përfshirë edhe atë nga Shteti Islamik. Por grupe si Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut kanë raportuar përpara rrethimit aktual të Halepit, se bombat e rusëve kanë vrarë pothuaj tre herë më shumë civilë dhe anëtarë të opozitë, se sa luftëtarë të ISIS-it.
Dhe vetë ambasadori i Sirisë në OKB, për t’iu kundërpërgjigjur sulmit të ambasadores amerikane, u mburr me “provat” e tij, duke nxjerrë madje atë të një ushtari sirian që ofron “ndihmë dhe mbështetje” për një gjyshe të moshuar, e cila po evakuohej nga Halepi këtë javë. Pak orë më vonë doli se fotografia e prerë ishte e një ushtari iraken, e shkrepur gjashtë muaj më parë në Falluxhah.
Në betejën e të vërtetës mbi Sirinë, të vetmit humbës realë, ashtu si gjithmonë, janë civilët. Abdul Alhamdo, një mësues në Halep, postoi në Tuiter të mërkurën e kaluar: “Mesazhi i fundit. Faleminderit për të gjitha. Kemi ndarë shumë momente… militantët e Assadit janë ndoshta 300 metra larg. Nuk kemi ku shkojmë. Kjo është dita e fundit”.
Nuk na janë dashur 70 vite për të zbuluar mesazhin e fundit të Abdulit. Por ndoshta do të na duhen po aq vite, për të kuptuar përse nuk bëmë më shumë për ta ndalur.
Kameron Hadson është Drejtor i Qendrës “Simon-Skjodt” për Parandalizmin e Gjenocidit në në Muzeun e Krimeve të Holokaustit në SHBA / Në shqip nga www.bota.al