Pas fitores tronditëse në primaret e Partisë Republikane nga Donald Trumpi, tashmë në garën për Shtëpinë e Bardhë, shumëkush pyet si ka mundësi që shumë gazetarë, si dhe shumë ekspertë të tjerë nuk kishin parashikuar suksesin e tij. Arsyet janë të shumta. Në zgjedhjet e tjera ka patur kandidatë të ndryshëm të cilët kanë gëzuar momente të veçantë popullariteti, për të përfunduar më pas në harresë, pas vetëm pak javësh. Ka ndodhur kështu për personazhe të tjerë jonormalë, si Trumpi: në vitin 2012 kish qenë momenti i Herman Cainit, ish pronar i një zinxhiri picerish, që nuk kishte dijeni për luftën civile në Libi por kish qenë pinjolli i të djathtës, para se të gremisej.Dhe këtë vit ishte ngjitja e Ben Carsonit, një kirurg i njohur por krejt pa njohuri për politikën, i cili i bëri ballë Trumpit për dy muaj.
Sezonet e zgjedhjeve primare janë shumë të paparashikueshme: janë muaj të tërë fushate elektorale, përpara votimit, ku njerëzit mund të ushqejnë fantazi pa kurfarë angazhimi. Në katër-pesë zgjedhjet e fundit, kandidatët “e jashtëm” janë zhdukur pas të parave zgjedhje primare të vërteta, atëherë kur kandidatët e vërtetë, ata me para dhe me mbështetjen e udhëheqësve të partisë, nisën të fitojnë terren.
Këtë herë, primaret nuk ndoqën skenarin e zakonshëm. Pse? Ndoshta kemi parë precedentët e gabuar, duke nënvlerësuar atë të Sarah Palinit, kandidaten për zëvendës presidente të John McCainit në vitin 2008. Kishte shumë prej karakteristikave të Trumpit: karizma, aftësia t’i frynte zjarrit të populizmit dhe zemërimit të të bardhëve, që ndihen të mësymur prej pakicave. Dhe ashtu si me Trumpin, injoranca e saj në marrëdhëniet ndërkombëtare shihej si provë e origjinalitetit, e diversitetit të saj në krahasim me politikanët profesionistë. Për më tepër, kemi nënvlerësuar se sa shumë globalizimi – dhe marrëveshjet tregtare – kanë bërë të vuajë një pjesë të mirë të popullsisë. Drejtuesit e dy partive të mëdha – që janë të kamur – kanë parë të mirat: produkte kineze dhe koreane më pak të kushtueshme, duke injoruar shqetësimin e shtresave të mesme dhe të ulëta, që kanë parë të zhduken shumë vende pune. Për më tepër, ngjitja e mediave të djathta – radio dhe televizioni i Fox News – ka ndryshuar gjuhën politike. Shpërthime zemërimi, fyerje dhe rrëshkitje që në të kaluarën do të kishin shkatërruar karriera, tashmë konsiderohen lëvizje fituese. /Alexander Stille
Në shqip nga www.bota.al