Analiza

Përse Ukraina nuk përbën një ndryshim të rregullave të lojës

Nga Jan Techau

Larg nga ndryshimi i peisazhit gjeopolitik të Evropës, kriza në Ukrainë ka rikonfirmuar vetëm rendin e vjetër të kontinentit

Screen Shot 2015-02-28 at 10.53.27 AM

A e ka ndryshuar kriza në Ukrainë, peisazhin gjeopolitik të Evropës? Instinktivisht, shumica e njerëzve do të përgjigjej po, duke pasur parasysh shkeljet e rënda të rregullave, nga ana e Rusisë, me aneksimin që i bëri territorit të një vendi tjetër, si dhe sulmet e vazhdueshme ndaj sovranitetit të Ukrainës, në rajonet lindore të Donjeckut dhe Luhanskut.
Por a ka ndryshuar realisht peizazhi gjeopolitik i kontinentit, në kuptimin që një rend apo një ekuilibër i ri i pushtetit, të jetë krijuar rishtas, ndërsa më parë nuk ekzistonte? Ndjesia ime, është se përgjigja është jo. Në të vërtetë, është konfirmuar në mënyrë brutale, vetëm rendi i vjetër. Dhimbja perëndimore shkaktohet nga fakti se shumë vetë në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, besojnë se rendi i vjetër ishte arkivuar prej një kohë të gjatë në histori, kur në fakt kjo nuk ka ndodhur.
Rendi i vjetër u rikrijua, pasi mori fund zgjerimi lindor i NATO-s dhe BE-së, dhe kur Rusia e bëri të qartë se nuk ishte e gatshme të pranonte vendet fqinje me të, të rrëshqisnin menjëherë dhe shumë larg saj, në drejtim të perëndimit. Gjeorgjia, Moldavia, dhe Azerbajxhani, u duhej ta mësonin në mënyrën më të vrazhdë, se për Moskën, mbajtja nën kontroll e “lagjes së saj”, është shumë më e rëndësishme sesa afërsia ruse me Perëndimin.
Kremlini, kësisoj krijoi konfliktet e ngrira në territoret e fqinjëve, për t’i dhënë vetes maksimumin e ndikimit politik, përmes një projeksioni minimal të pushtetit. Perëndimi nuk bëri shumë për ta ndaluar këtë dukuri, pasi nuk mundi. E njëjta gjë po ndodh tani në Ukrainë, vetëm në një variant me të përshkallëzuar, sepse shumëçka është në rrezik.
Kur shpërtheu kriza atje, Perëndimi në mënyrë indirekte e konfirmoi rendin e ri, duke refuzuar të mbrojë vendin kundër ndërhyrjes ruse dhe aneksimit të Krimesë. Sigurisht, askush nuk do të kishte vepruar në këtë mënyrë në Berlin, Uashington apo në Londër. Dhe ky është elementi më tragjik i pozicionit perëndimor.
Me gjasë, Perëndimi nuk do të shkonte në luftë për Ukrainën, por moralisht ai s’mund të pranojë riorganizimin me forcë të territorit evropian. Tek e fundit, fuqia e fortë ruse, mbizotëroi mbi parimet perëndimore. Kjo nga ana e saj, konfirmoi se arkitektura e sigurisë europiane mbaron aty ku mbaron edhe garancia që jep Neni 5, klauzola e mbrojtjes reciproke të NATO-s. Ukraina nuk ishte, dhe nuk është pjesë e kësaj arkitekture.
Askush në Perëndim, nuk është i gatshëm të garantojë për Ukrainën një lloj sigurie, që ata s’mund ta zbatojnë në praktikë. Me fjalë të tjera, Perëndimi e urren dhe refuzon zhargonin, mbi sferën ruse të influencës, por në heshtje e pranon atë. Në kundërshtim me atë që thonë shumë ekspertë, kjo nuk është aspak një situatë cilësisht e re.
Një tjetër tregues, që kriza në Ukrainë ka konfirmuar thjesht rendin ekzistues, ishte reagimi i NATO-s. Aleanca vendosi gjatë samitit të Uellsit, në vjeshtën e vitit të shkuar, të përforcojë krahun e saj lindor. Në këtë kuadër, ajo vendosi që forcat e saj të patrullojnë në ajër, tokë dhe det mbi hapësirën e NATO-s, përmes krijimit të një sistemi të elaboruar stërvitjesh ushtarake, në vendet kufitare me Rusinë dhe Ukrainën. Organizata i mori këto masa shpejt, me një unitet të habitshëm dhe vendosmëri.
Por përtej kësaj, ajo nuk ka bërë asnjë përpjekje për të ndryshuar peisazhin strategjik të Evropës, duke e zgjeruar shtrirjen e saj, që garanton një siguri edhe më të madhe. NATO rezultoi pra të jetë fuqia e statuskuosë, që shumica e shteteve anëtare të saj e donte të ishte kështu. Kjo preferencë perëndimore ndaj organizmit aktual konfirmohet më tej nga tregues të tillë si shpenzimet e mbrojtjes, të cilat nuk kanë qenë realisht të një rëndësie të posaçme për vendet e NATO-s.
Për më tepër, as që duket se do të jenë në të ardhmen e afërt, duke patur parasysh këtu reagimin e SHBA për krizën, që në dukje ishte i shpejtë, por më së shumti në një shkallë të vogël. Në shumë mënyra, Shtetet e Bashkuara do të mund të kishin qenë vendi i vetëm i aftë për të reaguar ndaj krizës ukrainase, në një nivel të mjaftueshëm, për të ndryshuar peisazhin strategjik të Evropës. Uashingtoni ka zgjedhur të mos e bëjë këtë.
Megjithatë, përkundër përpjekjeve të disa figurave kryesore të politikës dhe diplomacisë, amerikanët aktualisht nuk janë duke rimenduar të ndryshojnë krejtësisht qasjen e tyre në Evropë, përmes reduktimit të angazhimit. E verteta është që Shtetet e Bashkuara në rastin më të mirë e cilësojnë Evropën një prioritet dytësor, kur krahasohet me lojën e ethshme që zhvillohet mes fuqive të reja në Paqësor, dhe në kushtet kur situata në Lindjen e Mesme është përkeqësuar ndjeshëm.
Kriza në Ukrainë nuk konsiderohet aq e madhe, sa të ndryshojë llogaritjet, përkundër faktit se Kina është duke parë me interes të madh, se sa rëndësi i kushton SHBA sigurisë tek vendet aleate evropiane. Pekini është tejet i etur të mësojë, nëse mund të nxjerrë përfundime nga kjo qasje, edhe për gjendjen që gjallon në oborrin e shtëpisë së vet. Ndoshta më e rëndësishme është se rendi i vjetër në Europë u rikonfirmua nga vetë evropiano-perëndimorët. Nuk duket se kriza ukrainse ka ndryshuar me të vërtetë pamjen e tyre të përgjithshme mbi sigurinë evropiane.
Vetëm disa vende të vogla janë të gatshme të rrisin në mënyrë kuptimplotë aftësitë e tyre ushtarake. Ndërkohë asnjëra nga fuqitë më të mëdha europiane, nuk shfaqet e gatshme të shkojë përtej kufijve që përcaktojnë sigurinë e tyre. Mbështetja në mënyrë të heshtur tek Shtetet e Bashkuara për të garantuar sigurinë e Evropës, është në rendin e ditës, si në Francë ashtu edhe në Britaninë e Madhe, pasi 2 lideret e sigurisë në kontinent, aktualisht kanë pakësuar forcat ushtarake.
Pra, asgjë nuk ka ndryshuar vërtet pas Ukrainës? Jo tamam. Në fakt, dy faktorë kanë ndryshuar. I pari është populli ukrainas. Një ndjenjë të fortë e identitetit kombëtar, duket se është ringjallur nga kjo krizë. Shpirti revolucionar është i gjallë e i fuqishëm, dhe nuk mund të nënshtrohet lehtë. Ky është ndoshta lajmi më i rëndësishëm që vjen nga kjo krizë. Ai shpirt mund të sjellë një ditë një ndryshim të vërtetë gjeopolitik në Evropën Lindore.
Faktori i dytë është se, për herë të parë, BE-ja ka marrë anë. Pas lëvizjes pro-demokratike dhe evropiane në sheshin Maidan në Kiev, Brukseli ka dhënë mbështetjen e tij të plotë ndaj qeverisë së re të presidentit ukrainas, Petro Poroshenko, duke u deklaruar haptazi kundër synimeve po të qarta të Moskës.
BE nuk e ka bërë kurrë më parë një gjë të tillë. Nëse kjo përbën një ndryshim të vërtetë, kjo do të varet nëse BE-ja mund të qëndrojë e bashkuar dhe mjaftueshmërisht e angazhuar, për të patur këtë pozicion të qëndrueshëm në një periudhë afatgjatë.
Në këtë pikë, vetëm Rusia apo Shtetet e Bashkuara mund të ndryshojnë peisazhin strategjik të Evropës. Uashingtoni, nuk duket se e ka një synim të tillë. Pra, topi mbetet në oborrin rus. Deri më tani, Moska ka shmangur shkeljen e territorit të NATO-s, çka do të përbënte realisht një ndryshim të rregullave të lojës. Por askush nuk e di se sa kohë Rusia do të qëndrojë në këtë pozicion./Carnegie Europe/
a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close