Histori

PERSONAZH / Diktatori kanibal

ADI AMIN / Ish boksieri, që spikaste për sadizmin e torturave. Një zezak gjigand me instikt vrasësi dhe natyrë gaztori. 100 kilogramë dhe dy metra gjatësi, që shkaktonin terror por që në të njëjtën kohë kishin dicka qesharake e ngathtësie. “Një vrasës dhe një klloun”, shkruante e përjavshmja amerikane Time në 1977 kur vendoste fytyrën e tij në kopertinë, me titullin “I egri i Afrikës”. Eshtë portreti i Idi Amin Dada, tiran i marrë dhe i përgjakur që në periudhën 1971-1979 udhëhoqi shtetin afrikano qendror të Ugandës, duke merituar nofka të tmerrshme si “kasap” dhe “diktatori kanibal”

Adi AminUniforma dhe dorashka

“I lindur mes 1924 dhe 1928 (burimet janë të ndryshëm dhe ai kishte qejf të thoshte: “Vetëm Zoti e di moshën time”). Idi Amin ishte ndoshta me origjinë nga zona e Kobokos, në veriperëndim të vendit”, shpjegon hsitoriani Domenico Vecchioni, biograf i diktatorit. “Dihet që i ati kishte përqafuar islamizmin, që e ëma ishte një shëruese dhe që ai e frekuentoi shumë pak, ose aspak shkollën, duke mbetur gjysmë analfabet. Më vonë, pas një adoleshence të shenjuar nga braktisja e babait dhe varfëria, arriti të hyjë në ushtrinë koloniale britanike (Uganda ishte që nga viti 1894 një protektorat anglez). Nën armë, Amin mori llagapin “Dada”, për shkak të faktit që gjendej shpesh herë në krahë të vajzave që zakonisht i quante dada, një term i përkthyeshëm si “motra e madhe”. Ndërsa për asonancë, anglezët nisën ta quajnë Big Daddy, “Babai i madh”.

I dërguar në Kenia (nën kontrollin anglez) në vitin 1947, Dada shkëlqeu shumë shpejt për mizorinë me të cilën iu kundërvu për llogari të Madhërisë së Saj lëvizjeve guerilase antikoloniale. Kështu, në vitin 1954, u thirr në Ugandë me detyrën që të ndalte bastisjet e disa grupeve tribalë që merreshin me grabitje bagëtish. “Ushtaraku i ri ideoi atëherë një teknikë brutale të marrjes në pyetje”, thotë Vecchioni. “I mblidhte hajdutët e dyshuar duke ua vendosur atyre penisin mbi një gur, dhe atyre që refuzonin të jepnin informacione ua priste me një hanxhar”.

Një brutalitet i tillë gjeti shfryrje edhe në drejtime të tjerë: në periudhën mes viteve 1951 dhe 1960 forca kafshërore e Amin i dha atij titullin kombëtar të kampionit të peshave të rënda në boks. Triumfet në ring dhe ata ushtarakë shkaktuan një simpati të madhe për të mes britanikëve dhe, kur në vitin 1962 Ugandës iu dha pavarësia duke e bërë atë republikë presidenciale, emri i tij u sponsorizua tek kryeministri i saposhpallur Milton Obote, i cili e cmoi për meritat e diskutueshme duke e ngritur në zëvendëskomandant.

Grusht i dyfishtë

Alergjik ndaj demokracisë, në vitin 1966 ai organizoi një grusht shteti duke dëbuar presidentin e republikës Mutesa II (i cili u strehua në Angli) dhe në goditjen e fundit e ngjiti Amin në postin e komandantit suprem të ushtrisë, duke i dhënë detyrën që të eleminonte të gjithë armiqtë e mundshëm të regjimit të sapolindur. Gjë që Dada e kreu duke i rezervuar paralelisht vetes zhvillimin e një biznesi personal përmes trafiqeve me rebelët e Zairesë fqinjë: armë në këmbim të fildishit dhe floririt. Ky biznes i solli pasuri të madhe, që e shfaqte duke bredhur me xhepat e mbushur me kartëmonedha.

Në fund, në 25 janar 1971, ai organizoi vetë një grusht ushtarak shteti duke marrë vetë të gjithë pushtetet dhe duke detyruar Oboten (i shndërruar në filokomunist) që të shkonte në Tanzani. Kjo gjë, që u përshëndet nga shumë udhëheqës perëndimorë në frymën antisovjetike, u prit me entuziasëm edhe nga populli ugandez. Amin u premtoi të gjithëve reforma dhe liri, që megjithatë askush nuk i pa ndonjëherë.

Hotel horrori

I bindur që Uganda vazhdonte të gëlonte nga njerëzite Obotes, Dada iu përkushtua me entuziasëm organizimit të një shërbimi të skuadroneve të vdekjes që ishin të ngarkuar të likuidonin cdo të dyshuar. “Pa asnjë logjikë investiguese arrestoheshin turma ugandezësh (civilë dhe ushtarakë), shumë prej të cilëve përfunduan në Nile Mansion Hotel, një hotel elegant kolonial në Kampala – kryeqyteti i vendit – i përshtatur në një qendër torturash dhe asgjësimi”, rrëfen Vecchioni.

Ishte vetë Amin që personalisht ideoi një prej procedurave më sadiste që u zbatuan brenda mureve të Nile Mansion. Ja se si funksiononte procedura: ai i shkreti që kishte radhën dërgohej në një lloj thertoreje të nëndheshme ndërkohë që njkohësisht i premtohej liria një viktime të dytë, nëse do të pranonte që të godiste dhe të vriste me një levë hekuri fatkeqin që ishte futur para tij. “Shumë pak patën kurajën për t’u tërhequr para një misioni të tillë, duke preferuar të vdisnin. Por edhe kush pranonte vdiste nga ana e tij prej dorës së të burgosurve të tjerë”.

Delir

Ndoshta i dehur prej dhunës, në gusht të vitit 1972 Amin shpalli nëpërmjet radios: “Allahu mu shfaq në ëndërr dhe më urdhëroi që të dëbojmë nga toka jonë të gjithë aziatikët”. Në Ugandë ndodheshin 50 mijë, nënshtetas me origjinë indiane dhe pakistaneze. Të gjithë i urdhëroi që të largoheshin nga vendi, duke komentuar: “Shumë prej tyre e lyejnë fytyrën me bitum për t’u dukur si afrikanë, por i siguroj që më kot e kanë, nuk shërben për asgjë”. Kjo masë shkaktoi një rënie të shpejtë të të gjithë ekonomisë, duke qenë se aziatikët kishin në pronësi apo menaxhonin shumë sipërmarrje prodhuese (mallrat e të cilave pas sekuestrimit përfunduan direkt në xhepat e Amin). Spastrimi vazhdoi me shfarosjen e Acholi (popullsi me origjinë nga Sudani) si dhe minorancave të tjera që konsideroheshin pro Obote. “Armiqtë e mi? I bëj copë dhe pastaj trupin e tyre ua hedh krokodilëve”, i deklaronte shypit ish boksieri kur fliste për ta.

Edhe me fraza të tilla ai ushqeu zëra të cdo lloji për shpirtin e tij brutal. Duke përfshirë edhe hipotezën që ai ishte një praktikues i kanibalizmit. “Në fakt ekzistonin në Ugandë praktika të lashta rituale që konsistonin në ngrënien e pjesëve të trupave të armiqve të mposhtur në betejë”, përgjigjet Vecchioni. “Nuk do të ishte habi nëse një tip si Amin do të praktikonte gjëra të këtij lloji”. E sigurtë është që pas largimit të tij në pallatin presidencial u gjetën dhoma frigoriferike të mbushura me gjymtyrë njerëzish, bebe sysh, buzë, hundë dhe testikuj.

“Marrëzitë e Amin, sipas disa studiuesve, ishin frut i një neurosifilizi, një sëmundje që konsumon trurin dhe që Dada e kish marrë nga një prej të dashurave të tij”, komenton eksperti. “Edhe pse kjo nuk i zbut aspak përgjegjësitë e tij”.

Ishte mësuar të vishte gjithmonë një uniformë ushtarake të mbushur me medalje dhe dekorata të shpikura nga ai vetë. Dhe marrëzia e tij e coi të vetëshpërblehet me tituj groteskë si “Zot i të gjithë bishave të tokës dhe peshqve të detit dhe pushtues i Perandorisë Britanike”, apo “Mbret i Skocisë” (një cilësim që u bë më pas i famshëm prej filmit Mbreti i fundit i Skocisë, prodhim i vitit 2006 me regjisor Kevin Macdonald).

Fans i Hitlerit

I paaftë për të krijuar një qeveri të denjë për këtë emër, Amin mbajti marrëdhënie farsë edhe me vendet e huaj. Pasi prishi marrëdhëniet me Izraelin për shkak se i thurte elozhe Adolf Hitlerit, gjatë viteve shtatëdhjetë intensifikoi marrëdhëniet me udhëheqësin libian Muammar Gheddafi dhe me BRSS, duke marrë në këmbim furnizime armësh lufte dhe duke përkeqësuar edhe marrëdhëniet me Britaninë e Madhe dhe SHBA. Kundrejt britanikëve ushqente në realitet një marrëdhënie dashuri-urrejtje: një ditë ofroi në mënyrë provokuese tre tonë perime “për të shpëtuar nga uria fëmijët anglezë”). Edhe më të cuditshme (por shumë më të rrezikshme) ishin iniciativat e tij në skakierën afrikane.

Shpiku idenë që disa territore të Kenias dhe të Sudanit një herë e një kohë i kishin përkitur Ugandës së tij, duke kanosur me pushtime. Më pas u deklarua i gatshëm që të sulmonte Afrikën e Jugut raciste. Në vitin 1976 u lëshua me një retorikë të ashpër në debatin izraelito-palestinez: kur në qershor të atij viti disa terroristë palestinezë rrëmbyen një avion të Air France me dhjetëra izraelitë në bord, Amin i ftoi rrëmbyesit që të uleshin në aeroportin e Entebbe, pranë Kampalas. Kjo krizë u zgjidh në natën e 3 korrikut me një blic të forcave speciale izraelite, suksesi i të cilave diskreditoi një herë e përgjithmonë emrin e Dadas. I cili nuk lëvizi megjithatë nga pozicionet e tij megallomanë duke lënë me testament marrëzinë e radhës.

“Në vitin 1978, për tu cliruar nga njolla e Entebbes, Amin provoi të rizgjojë ndjenjat nacionaliste duke sajuar një luftë kundër Tanzanisë. Në programet e tij ajo do të zgjaste vetëm “25 minuta”: por përfundoi në një katastrofë”, rrëfen Vecchioni. “Ushtria armike u hodh në kundërsulm dhe në 11 prill të vitit 1979 detyroi Dadan që të arratisej nga Kampala”.

Fundi i një makthi

Ish boksieri dhe ish diktatori u vendos në Libi, më pas në Irak, ku u prit prej “vëllezërve myslimanë” Ghedaffi dhe Saddam Hussein. Në fund u mikprit në Arabinë Saudite. Në këtë mërgim të artë ish “i pamposhturi” (një tjetër emër që vetë ia vuri vetvetes) ndërroi jetë në 20 korrik 2003 për shkak të një sëmundjeje në veshka, pasi i ishte refuzuar kthimi në Ugandë.

Kështu do të përfundonte parabola ultra e përgjakshme e një gjigandi kllounesk, i cili nga një palacollëk në tjetrin, u ngjye me gjakun e afro 300 mijë personave. Shumë prej të cilëve njerëz që një herë e një kohë kishin parë pikërisht tek vrasësi i tyre, njeriun që do të ndryshonte një herë e mirë fatin e tyre si njerëz të shtypur prej shekujsh.

Leave a Reply

Back to top button