Bota

PERSONAZH / “Vetëm në fund kuptohet sa vlen një burrë”. Muajt e fundit të Fransua Holond

Mentori i tij, Fransua Miterrand, ka shkruar dikur se “vetëm në fund kuptohet sa vlen një burrë”, dhe pikërisht me këtë frymë Presidenti i Republikës franceze, do të përballet me muaj e tij të fundit në Elize, përpara zgjedhjeve presidenciale të 23 prillit, dhe raundit të dytë në 7 maj.

Presidenti më pak popullor i Republikës së Pestë, dhe i vetmi që nuk do të garojë për një mandat të dytë, është i thirrur të interpretojë mirë largimin, pasi dështoi në debutim si dhe gjatë 5 viteve të tij si kreu i shtetit. I çliruar nga ankthi për mbajtjen e pushtetin, dhe pa asnjë shqetësim elektoral, Holond mund të përfitojë për të lënë shenjën e tij.

Për shembull, inisiativa e madhe politike në Evropë, shumë herë e premtuar dhe e shtyrë për më vonë, duket se është jashtë mundësive të tij:në vende të tjera nuk ekzistojnë kushtet, qeveria italiane është e përkohshme dhe e dobësuar, dhe kërkimi i një veprimi të përbashkët me Gjermaninë në këtë gjendje, do të thotë të bjerë krejtësisht në duart e Angela Merkelit.

Pra rreziku është që Holond të dorëzohet, dhe t’i kalojë muajt e fundit mes përkujtimoreve dhe krizantemave, duke vështruar nga larg luftën politike për pasuesin e tij. Thelbi i veprimit të tij politik, dhe një nga temat dominuese të fushatave të tjera zgjedhore, mund të jetë mbrojtja e modelit social francez.

Kandidati papritmas favorit për të shkuar në Elize, Fransua Fijo, korri një fitore dërrmuese në paraprake e së djathtës, duke premtuar një mori politikash liberale:shkurtimin e 500 mijë nëpunësve civilë, reduktimin me 100 miliardë euro të shpenzimeve publike (duke përfshirë spitalet dhe shkollat), dhe anulimin e kohëzgjatjes aktuale të ditës së punës (7 orë në ditë, 35 orë në javë).

Një kurë e madhe për ekonominë dhe shtetin, që i dha atij votat e militantëve Republikanë, por që mund ta distancojë nga shumica e votuesve të tjerë. Holond e ka përsëritur – “modeli social është një shtyllë e Republikës sonë”, – dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe në muajt që kanë mbetur.

Këtë e mbështet edhe sfidantja e mundshme e Fijo në balotazh, Marin Lë Pen, që në të djathtën ekstreme e sheh veten në mbrojtje të arritjeve të shtetit social. Fijo e ka kuptuar se po rrezikon shumë, dhe tashmë ka filluar të tërhiqet nga shumë pika të programit të tij fillestar. Franca do të reformohet, sikurse përsërisin të gjithë, por shteti social është i paprekshëm. / www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button