Bota

Pesë arsyet pse strategjia e BE mbi emigracionin nuk po funksionon

Screen Shot 2015-10-25 at 15.49.08Nga Jacopo Barigazzi

Në Bruksel do të mbahet sot një tjetër takim urgjent mbi çështjen e emigracionit, teksa ndarjet brenda dhe jashtë BE-së, po kërcënojnë të dëmtojnë reagimin e Evropës ndaj krizës së refugjatëve. Një diplomat i Bashkimit Evropian, e përshkroi si “shumë, shumë të vështirë”, situatën politike që po imponon mbajtjen e një minisamiti në fundjavë të disa liderëve europianë, mbi flukset e emigrantëve që rrjedhin përgjatë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Vendet anëtare janë përfshirë nga tensionet për disa çështje kritike:nga ajo sesa para do të shpenzohen dhe ku, mosmarrëveshjet përgjatë kufijve të përbashkët, deri tek argumentet se sa azilkërkues mund të rishpërndahen, apo edhe trazirat e vazhdueshme në vendet e Lindjes së Mesme, që janë origjina e pjesës dërrmuese të refugjatëve.

Tensioni përpara takimit u shfaq edhe në Madrid pasditen e së enjtes, kur kryeministri hungarez Viktor Orban dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, anëtarë të të njëjtit grup politik, shprehën pikëpamje radikalisht të ndryshme se si duhet të menaxhohet kjo krizë. Merkel do të jetë protagonistja kryesore e takimit të sotëm, të mbledhur me kërkesën e saj dhe presidentit të Komisionit Evropian Zhan Klod

Junker.

Në takim do të jetë kryeministri hungarez Orban, si dhe udhëheqësit e gjashtë vendeve të tjera të BE-së (Austria, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Rumania, Sllovenia) dhe dy nga jashtë bllokut (Maqedonia dhe Serbia). Takimi thuhet se do të trajtojë kryesisht çështjet operacionale, dhe jo ato politike, në një

përpjekje për të “rënë dakord mbi veprimet operative të përbashkëta, të cilat mund të zbatohen menjëherë”. Ndërkohë, masat për të cilat tashmë është rënë dakord nga liderët e BE-së, janë provuar si tepër të vështira për t’u zbatuar, madje edhe pse përpiqen të gjejnë zgjidhje të reja ndaj krizës.

Këtu janë 5 arsyet, pse strategjia e BE-së mbi krizën e emigrantëve aktualisht është e dështuar:

Komisioni është në “luftë” me vendet anëtare

Komisioneri i BE-së për Emigracionin, Dimitris Avramopulos, shprehu të mërkurën zhgënjimin e komisionit, kur tha se institucioni kishte “bërë pjesën e tij” në trajtimin e krizës së refugjatëve, dhe se “tashmë u takon shteteve anëtare të bëjnë pjesën e tyre”. Komentet e tij erdhën pasi ka filluar beteja vjetore midis vendeve dhe eurodeputetëve, mbi buxhetin vjetor të BE-së, një debat ku emigracioni është një problem i madh.

BE-së i mungojnë aktualisht 2.3 miliardë euro të premtuara nga vendet anëtare për ndihmën ndaj Fondin të Afrikës, Fondit të Sirisë dhe ndihmave humanitare në përgjithësi. “Ndoshta komisioni ka qenë shumë agresiv, sikurse janë ankuar disa shtete anëtare, por në këtë pikë unë nuk shoh ndonjë alternativë tjetër”- tha një diplomat i BE-së.

Probleme me rishpërndarjen e emigrantëve

Komisioni miratoi pak javë më parë vendimin, për zhvendosjen e 160 mijë refugjatëve nga Italia dhe Greqia. Por ky nuk është një proces i lehtë. Të mërkurën, 70 azilkërkues u larguan nga Italia për në Suedi dhe Finlandë. Zhvendosja e e parë ndodhi dy javë më parë, me 19 refugjatë që lëvizën nga Italia në Suedi. Javën e ardhshme, rreth 30 refugjatë do të lënë Greqinë për të shkuar në Luksemburg, thonë zyrtarët e BE.

Megjithatë, vetëm 9 vende kanë raportuar në Bruksel, sesa emigrantë janë të gatshëm të pranojnë- një total prej vetëm 854 refugjatësh. Të martën kjo shifër ishte 150. “Është diçka më tepër se në fillim, por sërish jemi ende shumë larg objektivave”- tha një zyrtar i BE-së.

Suedia është duke marrë pjesën e luanit, rreth 300 refugjatë, por asnjë vend i Evropës Qëndrore apo Lindore, nuk ka ka dalë me një shifër sesa refugjatë ka ndërmend të marrë, ndërsa nga shtetet balltike vetëm Lituania ka bërë një premtim – ajo do të marrë 4 emigrantë. “Kur është fjala për detajet, zhvendosja merr një dimension lokal, duke përfshirë komunat dhe kryetarët, dhe këtu mungon shpesh mbështetja-“- tha një diplomat i BE-së.

Nuk ka para në tryezë

Pas kësaj fundjave, data tjetër e rëndësishme përsa i përket krizës së emigracionit, është samiti i Valetas në Maltë në 11-12 nëntor. Takimi do të bëjë bashkë udhëheqësit e vendeve të origjinës, tranzitit dhe destinacionit nga Evropa dhe Afrika, për të diskutuar programet e zhvillimit.

Në takimin e tyre javën e kaluar, udhëheqësit e BE-së premtuan se do të “marrin masa konkrete operative” në Valetta, duke u fokusuar tek politikat efektive të kthimit dhe ripranimit, për emigrantët që nuk janë në kushtet për t’u marrë në mbrojtje, si dhe çmontuar rrjetet kriminale që merren me trafikun e klandestinëve.

Ata ranë gjithashtu dakord të promovojnë parimin ndihmës të zhvillimit “më shumë, për më shumë”, e cila të paktën në letër do të thotë më shumë fonde për vendet afrikane, në mënyrë që të ripranojnë emigrantët e vendeve të tyre. Por me shtetet anëtare, që në mënyrë kaq të ngadaltë vëndosin para në tryezë, BE-ja rrezikon të shkojë në Maltë me pak ose asgjë për të ofruar, thonë zyrtarët e BE. Megjithatë, ekziston edhe një plan B, i cili është “ose të kërkohet një buxhet shtesë përgjatë vitit, rritja e mjeteve për buxhetin e 2016-ës, ose ricaktojë paratë e mbledhura për gjëra të tjera, dhe aty kemi mbërritur kufirin”-tha një diplomat i BE-së.

Trazirat në Libi

Këtu është edhe pika më e komplikuar. Bashkimi Evropian po synon arritjen e një marrëveshje, ndërmjet dy kryeqyteteve të Libisë, Tripoli në perëndim dhe Tobruku i njohur ndërkombëtarisht në lindje, për të rënë dakord mbi një qeveri të unitetit kombëtar, me qëllim lejimin e ndërhyrjes në ujërat e Libisë, me konsensusin e qeverisë, për të ndaluar kontrabandistët.

I dërguari i OKB-së në Libi, diplomati spanjoll Bernardino Leon, ka punuar shumë mbi këtë çështje, por një afat i tretë për të arritur një marrëveshje, ka kaluar thjesht pa marrëveshje. Askush në këtë faze nuk dëshiron të flasë për inisiativa ushtarake. Tani për tani fokusi i diplomacisë të BE-së, ka qenë nxitja për arritjen e një marrëveshje. “Në këtë moment, të gjitha përpjekjet tona janë përqendruar tek presioni për të bindur libianët”-theksoi një diplomat i BE-së.

Kaosi në zonën Shengen

“Fatmirësisht, kemi hequr dorë nga kontrollet kufitare, ndërmjet shteteve anëtare të zonës Shengen, për të garantuar lëvizjen e lirë të njerëzve, një simbol unik i integrimit evropian”- tha Zhan Klod Junker në fjalimin e tij të rëndësishëm, në fillim të muajit shtator. Megjithatë, shumë vende, duke përfshirë Gjermaninë, e kanë pezulluar përkohësisht marrëveshjen për të frenuar rrjedhën e refugjatëve, duke shkaktuar një debat mbi të ardhmen e Shengenit.

Shumë vetë kanë frikë për të ardhmen e kësaj zone pa kufij, në rast se nuk gjendet shpejt një zgjidhje për krizën e emigracionit. Çuditërisht, në mesin e shumë kritikëve të Shengenit është Europoli, agjencia e zbatimit të ligjit në BE, që në një dokument të botuar korrikun e kaluar, mbi pastrimin e parave dhe trafikimin e qenieve njerëzore, shkruante se ”mungesa e kontrolleve fizike kufitare, ofron mundësi të mëdha për grupet e vogla apo të mesme të krimit të organizuar…për të vepruar në më shumë se një vend”, duke shtuar se ”lëvizja e një numri në rritje emigrantësh brenda BE-së, ka krijuar mundësi më shumë për pastrimin e parave”.

“Politico.Eu” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button