Ka të paktën pesë mësime që Evropa dhe SHBA-ja duhet të nxjerrin nga vendimi i paprecedentë i Rusisë për të lëshuar dronë në Poloni si pjesë e një vale tjetër masive kundër Ukrainës. Të gjitha kërkojnë ose një reagim të menjëhershëm, ose një rishikim të llogarive.
Së pari dhe më e rëndësishmja: Askush nuk duhet ta hedhë më poshtë si ide qesharake mendimin se Rusia — duke u gjendur kaq në vështirësi në Ukrainë — nuk do të guxonte të sulmonte ndonjëherë një vend anëtar të NATO-s. Ajo sapo e bëri këtë, pavarësisht pretendimit të Ministrisë së Mbrojtjes ruse të mërkurën se nuk kishte ndërmend të godiste ndonjë objektiv në Poloni. Nëntëmbëdhjetë dronë hynë në hapësirën ajrore polake, sipas ministrit të Jashtëm Radek Sikorski, mjaftueshëm për ta bërë të qartë se ishte një veprim i qëllimshëm dhe për t’i dhënë Polonisë të drejtën të aktivizojë nenin 4 të NATO-s, që thërret aleatët për konsultim, kur një anëtar është nën kërcënim.
Sipas Fabian Hinz, nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike në Londër, analiza e dronëve të rrëzuar deri më tani tregon se ishin të tipit Gerberas, një model i lirë me krahë fiks, i projektuar për ushtrinë ruse në Kinë. Këta shërbejnë për role të shumta, përfshirë si dronë sulmues dhe si mashtrues për të mbingarkuar mbrojtjen e Ukrainës.
Por më shumë se konfigurimi i dronëve të përdorur, ka rëndësi fakti që Vladimir Putini ka qenë i qartë që në fillim të luftës, se ai e sheh zgjerimin e aleancës perëndimore për të pranuar ish-vendet e bllokut sovjetik si një nga “shkaqet themelore” pas vendimit për të pushtuar një shtet fqinj. Për sa kohë që NATO nuk pranon kërkesat e tij, ai do të vazhdojë të shtyjë përpara — jo sepse i trembet një pushtimi nga Perëndimi, por sepse aleanca i kufizon hapësirën e ndikimit që ai është i vendosur t’ia rikthejë Moskës.
Së dyti, sulmi i natës tregon qartë faktin se Ukraina është vija e parë dhe më e fortë e mbrojtjes së Evropës kundër një Rusie hakmarrëse dhe revizioniste.
Mjafton të imagjinojmë sikur Putini t’i arrijë në fund objektivat e tij në Ukrainë: të pushtojë — ose t’i dhurohen — të gjitha territoret nga Odesa në jug deri në Sumy në verilindje, ndërsa në Kiev të imponohet një qeveri pro-Moskës, për atë që mbetet përtej lumit Dnieper. Rasti i Bjellorusisë tregon qartë se Putinit nuk i duhet ta pushtojë një vend për të vendosur raketat, trupat dhe mbrojtjen ajrore aty, as për të diktuar politikat ndaj fqinjëve që ai i konsideron të padisiplinuar. Inkursionet me dronë, të lëshuara nga një distancë më e afërt — pra me më pak kohë reagimi për mbrojtjet e NATO-s — do të ishin vetëm një nga mjetet e shumta destabilizuese që ai do të kishte në dorë.
Së treti, siç shkruajti eksperti i fuqisë ajrore Phillips O’Brien, profesor i studimeve strategjike në Universitetin e St. Andrews, përdorimi nga NATO i avionëve dhe raketave tepër të kushtueshme për të rrëzuar vetëm disa nga dronët rusë që kaluan në hapësirën ajrore polake tregon se mbrojtjet e aleancës mbeten të papërgatitura edhe pas katër vitesh lufte pranë kufirit. “Zoti i ndihmoftë, nëse përballen me 600 dronë e raketa në një natë të vetme,” siç ndodh rregullisht për Ukrainën, shkroi ai.
Tani lind pyetja: a do ta humbiste rastin Putini — i cili tashmë e ka riorientuar ekonominë e Rusisë për luftë dhe ka testuar kufijtë e vullnetit dhe kapacitetit të Evropës për t’i rezistuar — për të përdorur këto mjete?
Së katërti, kjo luftë ka treguar se Putinit nuk i duhet të pushtojë një vend për ta sulmuar. Kjo mund të bëhet përmes sulmeve kibernetike, sabotimeve, apo me raketa e dronë të lëshuar në sasi që vetëm pak vite më parë do të dukeshin të paimagjinueshme. Rusia nuk ka nevojë të jetë ngjitur me një shtet për ta goditur atë, edhe pse kjo ia shton opsionet. Në fakt, as nuk ka nevojë të pushtojë për të testuar NATO-n dhe për të vënë në dyshim seriozitetin e nenit IV, që është baza e mbrojtjes kolektive. Ky testim tashmë ka filluar me atë që O’Brien e quajti sulmi “me rrota ndihmëse” ndaj Polonisë.
Reagimi i SHBA-së tani — qoftë me një angazhim absolut dhe të qartë për mbrojtjen e Polonisë, ose me diçka më pak se kaq — do të jetë kritik. Ky do të përcaktojë nëse Putini tërhiqet pasi e mori përgjigjen, apo nëse do të provojë më tej për të gjetur dobësi të tjera që do të ekspozojnë dhe shkatërrojnë aleancën, duke ndryshuar llogaritë gjeopolitike në gjithë Evropën. Pa një angazhim domethënës të SHBA-së për sigurinë, Putini do të ishte në prag të suksesit atje ku paraardhësit e tij në Kremlin — deri te Josif Stalini — dështuan: ndarja e Uashingtonit nga Evropa dhe shndërrimi i Rusisë në fuqinë kryesore ushtarake të kontinentit evropian.
Dhe në fund, sulmi me dronë ndaj njërit prej shteteve më të armatosura të NATO-s tregon efektin gërryes të mungesës së kapaciteteve ushtarake të Evropës dhe mungesës së vullnetit politik të SHBA-së. Ky kombinim i ka dhënë mundësinë Rusisë të marrë iniciativën në Ukrainë këtë vit.
Duhej të kishte qenë presidenti amerikan Donald Trump dhe aleatët e Kievit në Evropë e Azi ata që do të rritnin presionin ekonomik e ushtarak ndaj Rusisë, duke e detyruar Kremlinin në negociata për një fund të qëndrueshëm të luftës. Në vend të kësaj, është Putini — i sigurt në aleancat e tij me Kinën, Iranin dhe Korenë e Veriut — ai që po shton presionin mbi Ukrainën dhe mbështetësit e saj. Shpresa e tij është që aleatët e Kievit ose ta braktisin Ukrainën, ose ta detyrojnë të dorëzohet përballë objektivave të tij dhe ekuilibrit të ri të fuqive në Evropë, që do të vijë më pas.
Kjo ishte vetëm një e shtënë paralajmëruese. Asnjë nga këto skenarë ekstremë nuk është i pashmangshëm për shkak të dy faktorëve: Ukraina ka një forcë të armatosur — dhe në këtë pikë edhe një kapacitet prodhues për dronë dhe armë të tjera kritike — që asnjë shtet evropian në perëndim nuk mund ta rivalizojë në afatin e afërt ose të mesëm. Dhe Evropa — kur mbështetet nga SHBA-ja — ende ka mjaftueshëm burime për ta ndihmuar këtë forcë të ndalë Putinin brenda kufijve të Ukrainës.
Topi i dronëve tani është drejtpërdrejt në fushën e NATO-s. / Bloomberg – Bota.al