Agjencia “Standard & Poor’s” ka nxjerrë një njoftim, ku renditen pesë ekonomitë më të brishta midis vendeve në zhvillim.
Pesë më të mirët dhe pesë më të këqinjtë, sipas Standard & Poor’s
Pesë të Brishtët dhe Pesë të Mrekullueshmit, është titulli i zgjedhur nga agjencia amerikane e vlerësimit për renditjen e re të ekonomive në formë, dhe atyre në rrezik, mes vendeve në zhvillim. Nga njëra anë, lista e “djemve të këqinj”, ata që rrezikojnë të pësojnë krizat e ardhshme, në skenarin e ri ekonomik botëror, në anën tjetër virtuozët.
Turqia shfaqet në vendin e parë. “Turqia është e vetmja ndër kombet sovrane që është gjithmonë ndër më të rrezikuarat, pavarësisht nga variabli i zgjedhur”, thotë shënimi shoqërues i agjencisë. Vendi i udhëhequr nga Erdogan konsiderohet në rrezik për shkak të manovrimit të njëkohshëm, të vënë në zbatim nga bankat qendrore kryesore të botës.
Rritja e normave të interesit vë në rrezik Turqinë
Federal Reserve, Banka e Anglisë, Banka Qendrore Evropiane, por edhe Banka e Japonisë, janë në fakt duke lëvizur nga një periudhë e zgjerimit të madh monetar, tek një rritje në normat e interesit. Sipas agjencisë së vlerësimit, ky veprim i përbashkët i botës perëndimore do të përbënte një rrezik jo të vogël ndaj ekonomive në zhvillim. Sipas CNBC, ekzistojnë dy rreziqe kryesore që ekonomitë, si ajo turke, ekspozohen. Së pari, kostoja në rritje e dollarit, për ekonomitë me monedha të dobëta (aktualisht 1 lirë turke ka vlerë 0.26 dollarë amerikanë), mund të ketë pasoja për investimet në dollarë, të bëra nga Ankaraja.
Së dyti, rritja e normave do të shtynte investitorët amerikanë që të kthenin në shtëpi (SHBA) portofolet e tyre, me qëllim që të mbrojnë paratë e tyre, në funksion të kësaj manovrimi ekonomik. Këto dy rreziqe konkrete ndikojnë mbi variablat e shqyrtuara nga Standard & Poor’s, duke përfshirë buxhetin e shtetit, PBB dhe përqindjen e borxhit në valutë të huaj. Variabla që do ta penalizonin Turqinë.
Në fakt, ekonomia turke ecën me ritme të larta
Megjithatë, në shtatorin e 2017, Zyra Statistikore Kombëtare e Ankarasë raportoi se ekonomia turke po rritet në mënyrë të qëndrueshme. Në tremujorin e dytë të vitit, PBB-ja turke u rrit me 6.5% kundrejt 4.9% në tre muajt e parë të vitit 2017. Një rekord, para të cilit është vetëm rritja 7% e regjistruar në vitin 2015. Tendencë e njëjtë pozitive mund të regjistrohet për sa i përket papunësisë, që ra nga 11.7% në 10.5%, mes pranverës dhe verës.
Kjo gjë pra, ngre jo pak dyshime në lidhje me kriterin e përdorur nga agjencia për të përshkruar Turqinë si delen e zezë të vendeve në zhvillim. Në listë ka hapësirë edhe për Argjentinën, Pakistanin, Egjiptin dhe Katarin.
Edhe Katari në shënjestër të Standard & Poor’s
Mbi të gjitha është prania e emiratit, që shkakton habi. Në po të njëjtin shënim shoqërues, thuhet se “disa vëzhgues mund të thonë që, për shkak të rezervave të veta, Katari nuk duhet të jetë në listën e Pesë të Brishtëve. Në fakt, Katari është i dyti pas Arabisë Saudite, për bilancin e fortë të pagesave me jashtë”.
Eshtë e çuditshme pra, që pikërisht në periudhën kur dy vende, Turqia dhe Katari, po largohen nga sfera e influencës e politikës amerikane, të dy “dënohen” nga gjykimi i një agjencie amerikane vlerësimi.
Një agjenci aspak e paanshme
Në lidhje me besueshmërinë e vlerësimeve të Standard & Poor’s ishte shprehur tashmë Adusbef, shoqata e mbrojtjes së konsumatorëve, duke dënuar mungesën e paanshmërisë. Edhe SHtëpia e Bardhë nuk i ka kursyer kritikat, duke përmendur gjykimin e agjencisë në vitin 2013, që shkaktoi krizën e kredive subprime.
Vizioni amerikano-centrik i agjencisë konfirmohet edhe nga futja e Kinës dhe Rusisë në grupin e vendeve në zhvillim, kur të gjithë vëzhguesit kryesorë bien tashmë dakord se mbi të gjitha Kina, po fiton parësinë ndaj SHBA në ekonominë botërore. Edhe një herë është e mundur të shihet se si vlerësimet ekonomike të Standard & Poor’s, në dukje neutrale, mund të jenë në të vërtetë instrumenta të rafinuar të gjeopolitikës. / Il Giornale – Bota.al