Letersi

Pesëmbëdhjetë librat motivues, që duhen t’i lexoni patjetër, para se të mbushni 20 vjeç

Të jesh 25-vjeç është diçka e vështirë. M’u desh një kohë më e gjatë se shumica e atyre tek të njëzetat, por pasi mbusha çerek shekulli, edhe unë e kuptova se nuk jam asfare pranë asaj ku dua të jem në jetë. Çdo gjë duket e gjerë, por të zgjedhësh një të ardhme është e vështirë. Kjo është një fazë e rëndësishme në jetën time, dhe nuk mendoj se jam i vetmi që s’ka asnjë ide se çfarë do të bëjë me pjesën tjetër të jetës.

Nëse edhe ju jeni tek një njëzetat dhe ndiheni ndonjëherë të frustruar, apo e keni të vështirë të motivoni veten, atëherë kjo është për ju. Për shkak se nuk ka rëndësi sa e vështirë bëhet, ekzistojnë gjithmonë shumë burime për të fituar një motivim të ri.

Sot, do të doja të ndaja me ju disa nga burimet më të preferuara:librat. Kohët e fundit kam kaluar nëpër duar të gjitha librat që kam lexuar deri më tani gjatë jetës time, për të zgjedhur ato që më kanë motivuar dhe frymëzuar më shumë. Shpresoj që ju do të zgjidhni një ose dy prej tyre, dhe që ato të ndryshojnë jetën tuaj në të njëjtën mënyrë siç ma kanë ndryshuar edhe mua.

1. “Alkimisti” nga Paulo Koelho

Përmbledhje: Një bari i ri në jug të Spanjës, sheh të njëjtën ëndërr për një thesar të fshehur në Egjipt, sërish dhe sërish, çka në fund e çon atë të hetojë vendndodhjen. Ai mëson se një ditë, të gjithë zbulojnë se cili është fati i tyre, dhe se duhet pasion e dëshirë për ta bërë fatin realitet. Gjatë udhëtimit për të gjetur thesarin ai takon njerëz të rinj dhe të çuditshëm, disa prej të cilëve bëhen miqtë e tij dhe i hyjnë në zemër. Mësimet e kombinuara të miqve të tij, do ta çojnë në fund në një kuptim që është shumë më i madh edhe se vetë thesari.

Shprehja e preferuar: Kur dëshironi diçka, i gjithë universi komploton për t’iu ndihmuar ta mbërrini atë.


2. “Herri Poter dhe Kupa e Zjarrtë” nga Xh.K Roulling

Përmbledhje: Në vitin e tij të katërt në Hoguort, shkolla pret garën legjendare të Turneut të Magjistarëve, për herë të parë në 202 vite, ku 3 magjistarë nga 3 shkolla garojnë në ndeshje rraskapitëse për famë dhe lavdi. Teknikisht shumë i ri për të konkurruar, Herri përfundon në mënyrë misterioze si pjesëmarrësi i katërt, dhe së shpejti do të përballet me sfidat, për të cilat ai nuk do të ndjehet gati. Përmes fatit, miqve, guximit dhe aftësive ai rezistojë deri në fund, vetëm për të zbuluar se duhet të marrë përgjegjësi jo vetëm për atë që ai është, por për të gjithë botën e magjistarëve.

Shprehja e preferuar: S’ka rëndësi se çfarë është dikush kur lind, por çfarë do të bëhet kur të rritet.


3. “Pipi Çorapegjata“ nga Astrid Lindgren

Përmbledhje:Pipi Çorapegjata është një vajzë rreth 9 vjeçe (edhe pse askush nuk e di me siguri moshën e saj), zotëron një forcë mbinjerëzore, dhe jeton në një shtëpi të leyer me ngjyrat e ylberit me majmunin e saj, zotin Nilson dhe kalin Plak. Ajo kujdeset vetë për veten, pasi babai i saj, një marinar i famshëm, ka humbur në det prej disa vitesh, pasi e la në fshat, sepse mendonte se jeta në det është shumë e rrezikshme për të bijën.

Edhe pse Pipi nuk ka edukatë, s’mundet të bëjë llogari matematikore dhe as lexojë apo shkruajë, jeton një jetë të jashtëzakonshme, të mbushur me aventura, duke përfshirë kryesisht fëmijët e fqinjëve, dhe tregon se jeta sipas rregullave të botës është e mbivlerësuar. Ajo nuk pushon kurrë së trondituri të rriturit, por është prova e gjallë se ju mund ta bëni botën atë që dëshironi që ajo të jetë, pa iu përshtatur cilitdo modeli që bota do të quajë normal.

Shprehja e preferuar: Unë nuk e kam provuar këtë kurrë më parë, kështu që mendoj se duhet patjetër të jem në gjendje ta bëj.


4. “Artemis Foull” nga Eoin Kolfer

Përmbledhje:Artemis Foull është një djalë vetëm 12-vjeç, por që tashmë është duke ndjekur hapat e babait të tij, si bosi famëkeq i botës së nëndheshme të krimit. I nxitur kryesisht nga lakmia, ai rrëmben një polic zanash, në mënyrë që t’i shantazhojë këto të fundit t’i japin atij arin e tyre. Por siç i bën me dije të burgosurit të tij, ngadalë zbulohet se ekziston një kuptim më i thellë pas planit tij në dukje të keq. Beteja ndërmjet të mirës dhe të keqes nuk është aq bardhezi sa duket, dhe fillon të kapërcejë kufijtë e kundërvënies mes zanave dhe njerëzve.

Shprehja e preferuar: Siguria është injorancë. Nëse ndjeheni kryelartë, kjo ndodh për shkak të diçkaje që ju nuk e dini.


5. “Aventurat e Tom Sojerit” nga Mark Tuein

Përmbledhje:Libri fillon me ndëshkimin për të lyer me bojë një gardh, të cilin Tomi e kthen në një pasdite argëtuese, duke i marrë me dinakëri miqve të tij të hollat dhe sendet e tjera materiale, për t’i lejuar ata të lyejnë gardhin për të. Ai pastaj josh shoqen e tij të klasës Bekin, është dëshmitar i një vrasje me mikun e tij më të mirë Hak, bëhet një pirat i vetmuar në një ishull, rrikthehet për të filluar një gjueti thesari, dhe e zhyt veten në rreziqe serioze. Edhe pse përballet me çështje sociale e morale dhe kriza gjatë gjithë aventurave të tij, Tomi mbërrin në përfundimin se mënyra e tij e qasjes ndaj gjërave, mund të mos jetë tek e fundit dhe aq e keqe.

Shprehja e preferuar: Sa më pak duhet justifikuar një zakon tradicional, aq më e vështirë është ta heqësh qafe atë.


6. “Princi i Vogël” nga Antuan dë Sen Eksoperi

Përmbledhje:Pas një hyrje të shkurtër, narratori përfundon i bllokuar në shkretëtirë, për shkak të rrëzimit të avionit të tij. Ai takohet me një djalë të vogël të çuditshëm, i cili kishte mbërritur në tokë pas një udhëtimit rreth universit, duke eksploruar disa asteroidë. Teksa ditët kalojnë dhe tregimtari përpiqet të rregullojë aeroplanin e tij, Princi tregon histori të ndryshme nga udhëtimet e tij dhe jeta e dikurshme në asteroidin e tij, duke nxjerrë në pah dhe kritikuar shumë elementë të shoqërisë, ku gjatë gjithë kohës që shfaqin kriza identiteti, shumë prej nesh kalojnë nëpër në njëjtën pikë, pikërisht për shkak të këtyre pjesëve më pak-se-të mira të shoqërisë.

Shprehja e preferuar: Dhe tani këtu gjendet sekret im, një sekret shumë të thjeshtë: vetëm me zemër mund të shihet në mënyrë të drejtë; çka është thelbësore, është e padukshme për syrin.


7. “Matja e botës” nga Daniel Kehlman

Përmbledhje:Ky roman jashtëzakonisht argetues dhe ironik, ri-shpik jetën e Karl Fridrih Gaus, matematikanit të njohur gjerman, dhe Aleksandër Fon Humboldit, biolog, aventurier, shkencëtar dhe eksplorues. Ai rrëfejnë fakte dhe shifra të mërzitshme, dhe shpejt tregojnë historitë e zbulimeve të tyre, shumica e të cilave me zhvillime humoristike. Perspektiva e narrativës kalon në mes të dyve, kur përfundimisht takohen mbeten miq për një kohë të gjatë.

Shprehja e preferuar: Ky ishte momenti kur ai e kuptoi se askush s’donte të përdorte mendjen e tyre. Njerëzit donin paqe. Ata donin të hanin dhe flinin, dhe të kenë njerëz të tjerë që sillen mirë me ta. Ajo që nuk donin të bënin, ishte të mendonin.


8. ”Kodi i Da Vinçit” nga Den Braun

Përmbledhje:Kur kuratori i Luvrit të famshëm në Paris vritet, profesor i Harvardit dhe ekspert i simbolizmit dhe të kriptografisë, Robert Lengdon thirret në ndihmë. Përkundër përpjekjeve të policisë franceze, të cilët dyshojnë se vrasësi mund të jetë pikërisht Lengdon, dhe falë ndihmës së kriptografes së policisë lokale Sofi Nëv, të dy i drejtohen shpejt një kutie depozitash të sigurisë në një bankë, e cila përmban një kriptekst, një tjetër artikull misterioz që përmban më shumë gjëagjëza dhe kode për t’u thyer.

Ndjekja e vrasësit në dukje fetar, i cili kërkon të gjejë Gralin e Shenjtë për të zotin e tij, i çon ata në Britani, Skoci dhe pikën ku miku s’mund të ndahet nga armiku. Ata më në fund zbulojnë ekzistencën e një komploti shumë më të mëdh në zhvillim e sipër, e cila mund të shkatërrojë kishën më të fuqishme në botë, dhe rrethi mbyllet, i çon ata sërish në fillim.

Shprehja e preferuar: Njerëzit përpiqen shumë të shmangin atë që kanë frikë, se sa të arrijnë atë që dëshirojnë.


9. “Kënga e Krishtlindjes “  nga Çarls Dikens

Përmbledhje:Ebenezer Skurxh është tej mase i pasur. Mjerisht, e vetmja gjë për të cilën shqetësohet plaku është shndërrimi i parave në më shumë para, çka e bën atë të endet nëpër rrugë i vetëm, duke shtrënguar duart, u bërtitur punëtorëve, fëmijët dhe më fatkeqëve. Atë natë, shfaqet fantazma e ish-ortakut të tij në biznes, duke e paralajmëruar për fatin e tmerrshëm (të njëjtë) që e pret, nëse nuk ndryshon zakonet e tij të lakmisë dhe egoizmit.

Ai i tregon atij se do të vizitohet nga 3 fantazmat e Krishtlindjeve (e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja), të cilat më pas do të ndërmarrin një turne të skenarëve të ndryshëm të Krishtlindjeve. Dhimbja dhe horrori që ai pa e transformon brenda natës, dhe ai vendos të mos humbasë rastin për të ndrequr gabimet e tij, duke u ndjerë i lumtur se iu dha një tjetër shans në jetë.

Shprehja e preferuar: S’ka asgjë në këtë botë kaq parrezistueshmërisht ngjitëse sa e qeshura dhe humori i mirë.


10. “Lojërat e Urisë: Zjarri ngjitës” nga Suzan Kollins

Përmbledhje:Pasi si Katnis ashtu e dhe Peta dolën gjallë nga Lojërat e 74-ta të Urisë, ata mendohet të vizitonin të gjitha distriktet e Panemit në një turne për nder të fitores. Panemi errësohet menjëherë, teksa njerëz duket se frymëzohen se si Katnis thyen rregullat për të bërë të mundur që të fitojnë të dy dhe jo vetëm njëri, dhe një rebelim zien nën sipërfaqe.

Për të shtypur këtë revoltë, Kapitoli del me një lajmërim të tmerrshëm: Të gjithë pjesëmarrësit e Lojërave të Urisë për vitin e ardhshëm, duhet të zgjidhen nga një grup i fitimtarëve të mëparshëm, duke rrikthyer kësisoj në arenë Katniss dhe Peta-n. Më vdekjeprurëse dhe e komplikuar se kurrë më parë, lufta për mbijetesë i detyron ata të bashkojnë forcat, dhe sërish skema e madhe që shpaloset vetëm për Katnis (dhe lexuesit), në faqet e fundit të librit.

Shprehja e preferuar: Do të doja të kasha mundësi ta ngrija këtë moment, këtu dhe tani dhe të jetoja në të përgjithmonë.


11. “Inkheart” (Zemërbojë) nga Kornelia Funke

Përmbledhje: Kur Megi pikas një të huaj përballë shtëpisë së babait të saj Mo, i cili është një libralidhës, fillojnë të ndodhin gjëra të çuditshme. Dustfinger, siç thirret miku i huaj dhe i vjetër i Mo-së, duket të jetë një ngatërrestar, të cilin tezja Elinor nuk është e lumtur që e sheh, kur të tre mbërrijnë në shtëpinë e saj plot me libra, ku Mo ka disa punë për të kryer. Shpejt, Megi zbulon se prania e përhershme e librave në jetën e saj nuk është rastësi, pasi babai i saj mund t’i bëjë ato të vijnë në jetë kur i lexon me zë të lartë …

Shprehja e preferuar: Librat duhet të jenë të rëndë, për shkak të gjithë botës që gjendet brenda tyre.


12. “Getsbi i Madh” nga F. Skot Ficxherëlld

Përmbledhje:Në vitin 1922, Nik Keruej nis një punë të re dhe zhvendoset në Uest Veza, një fshat imagjinar në Long Island. Kur ai viziton kushërirën e tij Deisi dhe bashkëshortin e saj Tom, ai takohet me personazhin tërheqës por cinik Xhordan Bejker, dhe shumë shpejt zbulon se jetesa luksoze që ata bëjnë vjen me një çmim shumë të tmerrshëm, duke përfshirë tradhtinë, depresionin, alkoolizmin dhe krizën e identitetit.

Pronari milioner misterioz i rezidencës aty pranë, Xhej Getsbi, e fton shpejt Nikun në një nga festat e tij ekstravagante, në të cilat vetë Xhej nuk merr pjesë asnjëherë. Kur Nik zbulon ata të gjithë kanë një histori të përbashkët romance, duke përfshirë edhe kushërirën e tij Deizin dhe Xhejin, ai përpiqet t’i ndihmojë të ribashkojë dy të dashuruarit e huaj, çka përfundon në një fatkeqësi.

Shprehja e preferuar: Le të mësojmë të tregojmë miqësinë tonë ndaj një njeriu, kur ai është gjallë dhe jo pasi të ketë vdekur.


13. Sherlok Holms: Një studim nga Sër Artur Konan Dojli

Përmbledhje:Ky libër na njeh me Sherlok Holmsin dhe mikun e njëherazi biografin e tij Dr Xhon Uotson, duke filluar me takimin e tyre nëpërmjet një miku të përbashkët, dhe dakordësinë për të ndarë së bashku qiranë e një banese 221B Baker Street, për të kursyer para. Pas sjelljeve të çuditshme të Holmsit, si eksperimentet me drogën dhe luajtjen në violinë në mes të natës, Uotson vëren shumë të ftuar që vijnë e shkojnë, të cilët rezultojnë te jenë klientët e Holmsit.

Kur një i dërguar i “Scotland Yard” vjen dhe kërkon ndihmë për një rast të ri vrasjeje, Uotson e bind përfundimisht Holmes për të hetuar vendin e krimit, dhe ky i fundit e fton për të vepruar së bashku. Ndërsa të dy analizojnë dhe interpretojnë skenarët dhe skenën e krimit, komploti trashet dhe ndodh një vrasje e dytë. Gjuetia ka një fund të papritur në banesën e Holmsit, me pjesën e dytë të romanit që shpjegon të gjithë historinë që çon deri tek veprimet e liga të vrasësit dhe kapjen e tij, duke përfshirë edhe atë se si Holmsi deshifron detajet dhe kështu identifikon të dyshuarin.

Shprehja e preferuar: Ajo që ju bëni në këtë botë nuk ka asnjë pasojë. Çështja është se çfarë mund të bëni që njerëzit ta besojnë se e keni bërë ju.


14. “Njeriu më i pasur në Babiloni” nga Xhorxh Samuel Klason

Përmbledhje:Libri është një koleksion tregimesh të shkurtra, i ndarë në 9 pjesë të mëdha, shumë prej të cilave kanë nën-kapituj, në një kohë që historia e parë dhe kryesore i ka dhënë librin titullin. Libri tregon se si Arkadi, njeriu më i pasur në Babiloni, ai detyron shumicën e pasurisë thjesht kursimit të 10 përqind të të ardhurave të tij vjetore.

Kjo pasohet nga “Shtatë kurat për një kuletë të varfër”, një seri prej 7 mësimesh se si të kursehen paratë dhe “Pesë ligjet e arta”, që flasin për një filozofi të thjeshtë për të investuar. Pastaj “Tabelat Argjilore nga Babilonia” nxjerr mësime nga përkthimi fiksional i pesë tabelave të lashta babilonase nga një profesor anglez i arkeologjisë. Pesë shëmbëlltyrat e tjera, janë më të rralla në natyrën e tyre, dhe secila përmban një ose dy më shumë mësime në lidhje me krijimin e pasurisë.

Shprehja e preferuar: Këshilla është diçka qe jepet falas, por ki kujdes të marrësh vetëm atë që ka vlerë.


15. “Rreth botës në 80 ditë” nga Zhyl Vern

Përmbledhje:Fileas Fog është një zotëri i pasur anglez i shkollës së vjetër, me disiplinë si një orë me kurdisje dhe pak kënaqësi, një nga të cilat është angazhimi  me miqtë e tij në Klubin e Reformës. Kur shokët e tij po diskutonin mbi një artikull në “The Daily Telegraph”, duke deklaruar së tashmë qe e mundur të udhëtohej përreth botës në 80 ditë, falës linjës së re hekurudhore në Indi, ai vuri bast 20.000 paund (sot 1.6 milionë) se do arrinte ta realizonte vetë një udhëtim të tillë, dhe u nis me shërbëtorin i tij të sapopunësuar, Zhan Pasoport.

Duke përdorur kryesisht trenat dhe anijet me avull, të dy bëjnë miq të rinj, u përballen me shumë pengesa, humbën,  e rigjejnë njëri-tjetrin, dhe madje edhe fitojnë një ditë të tërë kohë (çka përfundimisht i ndihmon ata të fitojnë bastin), duke u kthyer në Londër në të njëjtën kohë, saktësisht 80 ditë më vonë.

Shprehja e preferuar: Çdo gjë që një njeri mund ta imagjinojë, një tjetër mund ta bëjë realitet. /bota.al

Leave a Reply

Back to top button