Një sulm terrorist në aeroportin Ataturk të Stambollit në Turqi, filloi me të shtëna me armë zjarri ndjekur nga shpërthimet dhe zhurma e sirenave të ambulancave.
Kur e gjitha kishte përfunduar, të paktën 36 vetë kishin vdekur, 147 ishin plagosur dhe qindra udhëtarë dhe njerëzit që prisnin për ta, po përpiqeshin të merrnin veten, nga tmerri që kishin parë.
Sulmi filloi kur të paktën një prej atentatorëve hapi zjarr me një Kallashnikov, i tha ministri turk i drejtësisë, Bekir Bozdag, të përditshmes Hurriyet Daily News. Kryeministri i Turqisë, Binali Yıldırım u tha gazetarëve në vendin e ngjarjes se, të tre sulmuesit qëlluan mbi udhëtarët dhe policinë, para se të hidhnin veten në erë, bën të ditur gazeta britanike The Telegraph.
“Pati një shpërthim të madh, shumë të fortë”, tha Ali Tekin, i cili ishte në sallën e mbërritjeve duke pritur për një mysafir kur ndodhi sulmi, sipas ABC News. “Çatia us hemb. Brenda aeroportit gjendja është e tmerrshme, nuk njihet më, dëmi është shumë i madh.”
Amerikani Adam Keally nga zona e Bostonit ishte brenda aeroportit, dhe ka përshkruar udhëtarët që ai pa, për CBS. “Njerëzit u plagosën shumë rëndë”, thë Keally. “Një djalë kishte vrima në shpinë, nga predhat apo nga xhamat”.
Keally tha se ai dhe të tjerët filluan të vraponin kur filloi sulmi, por më pas mbretëroi konfuzioni, pasi shpërthimet u dëgjuan nga drejtime të ndryshme. “Njerëzit shtinin nga njëra anë dhe të gjithë ne rendëm drejt anës tjetër, por prej andej erdhi shurma e bombave dhe njerëzit filluan të rendin në drejtimin tjetër, prej ku kishte edhe më shumë të shtëna. Në fund dolëm jashtë”.
Gazetari i sapomartuar irakeno-amerikan, Steven Nabil po udhëtonte me gruan e tij, duke u kthyer nga muaji i mjaltit, rrugës për në Nju Jork, kur filluan të shtënat dhe bashkëshortja e tij u plagos, shkruante ai në në Tuiter. Nabil shkroi se e kishte lënë gruan e tij, të cilës nuk ia ka përmendur emrin, në një kafene, ndërsa vetë kishte shkuar në një restorant Sbarro. Kur dëgjoi shpërthimet ai vrapoi drejt saj, u fut në një dyqan, dhe “priti i terrorizuar pasi kishte të shtëna jashtë dyqanit”.
“Mezi ia dolëm”, shkruante ai.
Mehmet Bars i tha revistës Time se ai ishte në zonën e ankesave për bagazhet, pasi sapo kish mbërritur nga Gjermania, kur nisi sulmi dhe kaosi. “U shtriva përtokë”, tha Bars. “Dola jashtë. Pastaj një burrë më tha: “Mos shko brenda, duhet të vrapojmë. Nisa të vrapoj, kur pashë bomba që shpërthyen”. Ai tha se kishte dëgjuar të shtëna armësh edhe për 20 minuta të tjera.
Dëshmitari okular Ercan Ceyhan i tha CNN-Turk se ai pa rreth 30 ambulanca të hyjnë në aeroport, sipas Associated Press. Të plagosurit, duke përfshirë policë, janë transferuar në Spitalin Shtetëror Bakirkoj, raportoi AP, duke cituar agjencinë private të lajmeve DHA. “Gjithçka ndodhi shumë shpejt,” tha Ahmad Alomary për faqen e HuffPost në arabisht.
Alomary ishte duke pritur për një mik që vinte nga Dubai, kur “krejt papritur ne dëgjuam një zhurmë si shpërthim dhe rojet e sigurisë i kërkuan të gjithëve që të shtrihen në tokë.” “Vendi ishte i mbushur me shumë njerëz, kishte edhe disa fëmijë”, tha Alomary.”Të gjithë u shtrimë,më pas arrita të dal jashtë nga salla”.
Askush nuk e mori menjëherë përgjegjësinë për sulmin, por Kryeministri truk tha se të gjithë treguesit të shpien tek ISIS. /USA Today – Bota.al