Kancelarja Merkel u ka premtuar gjermanëve zgjidhjen e krizës së refugjatëve. Rruga që ndjek ajo kalon nga Europa. Javët e ardhshme do të jenë vendimtare. Por fillimin e bëri një takim në Berlin
Të mërkurën u zhvillua një takim i nivelit të lartë të partive të unionit qeverisës, CDU, CSU në zyrën e kancelares. Më shumë se dy orë biseduan kancelarja Angela Merkel dhe kreu i partisë kristiansociale dhe kryeministri i landit bavarez, Horst Seehofer, që e kundërshton hapur politikën e Merkelit në lidhje me refugjatët. Pas takimit asnjë deklaratë. Duket se dallimet mes dy politikanëve gjermanë ende janë shumë të mëdha. Angela Merkel këmbëngul në zgjidhjen europiane, Horst Seehofer në zgjidhjen nacionale dhe vendosjen e një kufiri maksimal për refugjatët. Megjithatë takimi në zyrën e kancelares, megjithë diferencat duhet t’i ketë vlejtur edhe një qëllimi tjetër: Mbajtjen e krahut kancelares në kohën e sfidave të ardhshme.
Aktualisht numri i refugjatëve në kufirin gjermano-austriak ka rënë. Shifrat janë në “kufirin tre shifror mesatar” ka thënë një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme në Berlin. Por CSU beson se kjo ka të bëjë më shumë me motin e keq dhe jo me politikën e Merkelit. Të premten Seehofer takon kryeministrin hungarez, Viktor Orban, njërin nga kundërshtarët e Merkelit në Europë.
Të premten kancelarja Merkel udhëton në Paris për të biseduar disa orë me presidentin francez, Francois Hollande, bëri të ditur zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert in Berlin. Tre tema do të dominojnë në këtë takim. Mbrojtja e kufijve të jashtëm të BE-së, luftimi i shkaqeve të braktisjes së vendindjes dhe reduktimi i migracionit ilegal. Edhe bllokimi i refugjatëve në Greqi dhe Ballkan do të jetë pjesë e bisedimeve. Pamjet nga rajoni të mësojnë se sa e rëndësishme është gjetja e veprimit të përbashkët europian, tha Seibert. Mbyllja e njëanshme e kufijve si një strategji nacionale do të rrisë barrën për vendet e tjera.
Bruksel: Samiti BE-Turqi
Të hënën zhvillohet në Bruksel samiti me Turqinë, ku pritet që të bëhet një bilanc i planit të veprimit që u koordinua mes BE-së dhe Turqisë në nëntorin e vitit të kaluar. Qëllimi është ulja “e dukshme dhe afatgjatë” e udhëtimit ilegal në Europë. Për këtë vendet e BE-së i kanë premtuar Turqisë ndihma miliardëshe.
Por edhe një samit tjetër i BE-së zhvillohet më 17 e 18 mars. Këtu do të debatohet gjerësisht për politikën europiane të refugjatëve, e do të synohet gjetja e një kursi të përbashkët. Por edhe rifunksionimi i hapësirës së Shengenit do të jetë në fokus të samitit. Nuk dihet nëse vendet e tjera të BE-së do të pranojnë propozimet e Merkelit dhe Komisionit Europian.
Merkel ka bërë të ditur se në këtë kohë do të bëjë bilancin e masave të marra dhe efektin në reduktimin e migracionit ilegal dhe kontrollimin e valës së refugjatëve. Një javë më parë, më 13 mars në tre lande gjermane zhvillohen zgjedhjet e landeve. Unionin e udhëhequr nga Merkeli e kërcënon rrëziku i humbjes, gjë që lidhet drejtpërdrejt me krizën e refugjatëve.
Deutsche Welle