Bota

Po çfarë tha Jurgen Klopp i Liverpulit për Coronavirusin, që komentet e tij u bënë menjëherë virale?

Komentet e trainerit të Liverpulit, Jurgne Klopp pasi u pyet nga një gazetar për situatën në lidhje me Coronavirusin, janë bërë virale. Ato janë shpërndarë sidomos prej atyre opinionistëve dhe mediave, që mbështesin fort pikëpamjen e tij se, për Coronavirusin duhet që të flasin ekspertët dhe jo cilido.

Po çfarë tha traineri i Liverpulit në konferencën për shtyp?

“Gazetari: Dua t’ju bëj një pyetje në lidhje me shqetësimin prej Coronavirusit, a jeni të shqetësuar ju si ekip, si klub, në lidhje me përhapjen e tij, apo mënyrën se si mund t’ju prekë?

Ajo që nuk më pëlqen në jetë është që për gjëra kaq serioze, të merret mendimi i një traineri futbolli. Nuk e kuptoj këtë, vërtet që nuk e kuptoj. Unë mund t’ju pyes ju, por ju jeni ekzaktësisht në të njëjtin rol si unë. Nuk është e rëndësishme se çfarë thonë njerëzit e famshëm. Jo, ju duhet të flisni për gjërat në mënyrën e duhur. Njerëzit që nuk kanë njohuri, si puna ime, nuk duhet të flasin për këtë gjë. Njerëz që kanë kompetencë dhe njohuri duhet t’u thonë njerëzve që bëni këtë, apo atë, dhe gjithçka do të shkojë mirë (ose jo). Por jo trainerët e futbollit. Këtë nuk e kuptoj dot. Politikë, coronavirus…

Përse unë? Unë kam thjesht një kapelë dhe një mjekërr të parruar. Unë jam i shqetësuar po aq sa ju, ndoshta edhe më pak, nuk e di nuk jam i sigurt, nuk e di se sa shumë të shqetësuar jeni ju. Por mendimi im vërtetë që nuk ka rëndësi. Unë jetoj në këtë planet dhe dua që ky planet të jetë i sigurt, i shëndetshëm. U uroj të gjithëve më të mirën. Absolutisht! Por opinioni im në lidhje me Coronavirusin nuk është i rëndësishëm.

Nëse dikush më thotë që vazhdo luaj futboll, unë do të vazhdoj dhe të luajmë futboll sepse mendoj që njerëz më të zgjuar na kanë thënë që mundemi të luajmë futboll. Nuk jam unë që e marr vendimin”. / bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button