Bota

Po dëgjoni shumë të flitet për Nenin 50? Ç’thotë ky nen dhe kur do të largohet realisht Britania?

Screen Shot 2016-06-24 at 16.57.50Tani që Britania ka votuar për të dalë nga Bashkimi Evropian, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar do të duhet të mbështetet në nenin 50 të Traktatit të Lisbonës, duke filluar procesin formal të një dalje të Mbretërisë së Bashkuar. Po çfarë thotë Neni 50?

  1. Çdo shtet anëtar mund të vendosë të tërhiqet nga Bashkimi Europian në përputhje me kërkesat e veta kushtetuese.
  2. Një Shtet Anëtar që vendos të tërhiqet, do të njoftojë Këshillin Evropian për qëllimin e tij. Në dritën e Udhëzimeve të Këshillit Evropian, Bashkimi Europian do të negociojë dhe do të lidhë një marrëveshje me atë shtet, e cila përcakton masat për tërheqjen e tij, duke pasur parasysh kuadrin për marrëdhëniet e tij të ardhshme me Bashkimin Europian. Kjo marrëveshje do të negociohet në përputhje me nenin 218 (3) të Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Europian. Ajo do të lidhet në emër të Bashkimit Europian nga Këshilli Evropian, që do të veprojë me shumicë të cilësuar, pas marrjes së pëlqimit në Parlamentin Evropian.
  3. Traktati pushon së zbatuari në shtetin në fjalë, nga data e hyrjes në fuqi të marrëveshjes së tërheqjes ose në mungesë të saj, dy vjet pas njoftimit të përmendur në paragrafin 2, në rast se Këshilli Evropian, në marrëveshje me shtetin anëtar në fjalë, nuk vendos unanimisht të zgjasë këtë periudhë.
  4. Për qëllime të paragrafëve 2 dhe 3, anëtari i Këshillit Europian ose i Këshillit që përfaqëson Shtetin Anëtar ttë ërhequr, nuk do të marrin pjesë në diskutimet e Këshillit Evropian apo Këshillit, apo në vendimet në lidhje me të. Shumica e cilësuar do të përcaktohet në përputhje me nenin 238 (3) (b) të Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Europian.
  5. Në qoftë se një shtet që është tërhequr nga Bashkimi kërkon të rifutet, kërkesa e tij do t’i nënshtrohet procedurës së përmendur në nenin 49.

Do të duhen rreth dy vjet që Britania të “largohet” zyrtarisht nga BE-ja, megjithatë, shumica e ekspertëve parashikojnë një periudhë më të gjatë. Gjatë këtij procesi negociatash, ligjet e BE-së do të vazhdojnë të zbatohet për Mbretërinë e Bashkuar – ajo do të vazhdojë të marrë pjesë në punët e tjera të BE-së, por nuk do të marrë pjesë në diskutimet e brendshme të Bashkimit Europian, apo të vendimeve për tërheqjen e saj.

Bisedimet do të përqëndrohen në negocimin e qasjes në tregun e përbashkët dhe hartimin e marrëveshjeve të reja tregtare, si dhe përcaktimin e të drejtave të lëvizjes për nënshtetasit britanikë dhe ata të BE-së. Për shembull, a do të jenë të nevojshme marrëveshjet dhe vizat për qytetarët e BE-së në Britani të Madhe dhe shtetasit britanikë në kontinentin evropian?

Marrëveshjet apo çdo shtyrje e zbatimit të nenit 50 do të duhet të miratohen nga të 27 vendet anëtare dhe me gjasë do të kërkojnë ratifikimin nga parlamentet e shteteve anëtare. /bota.al

Leave a Reply

Back to top button