Me shkëmbimin reciprok të komplimentave, miliarderi njujorkez është distancuar edhe më shumë nga kandidatja demokrate për zgjedhjet presidenciale, Hillary Clinton, pikërisht ajo që shumëkush e konsideron tashmë fituese të sigurtë të zgjedhjeve. Dhe që në mars të vitit që kaloi, kishte krahasuar veprimet e Putinit me Krimenë, me veprimet e Hitlerit para Luftës së Dytë Botërore, me popullsitë e etnisë gjermane në Cekosllovaki dhe Rumani: një fyerje që Putini vështirë se do ta harrojë apo justifikojë me retorikën paraelektorale
Një shkëmbim i pazakontë dhe reciprok komplimentash, që i ngjan një mbështetjeje të vërtetë: presidenti rus, Vladimir Putin, ka hyrë me të dyja këmbët në garën elektorale për zgjedhjet presidenciale 2016 në SHBA, në favor të Donald Trumpit.
Dhe mbreti i industrisë së ndërtimit e falënderon, duke shfrytëzuar rastin për të thënë se, me të në Shtëpinë e Bardhë, marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Moskës do të jenë padyshim më të mira. Gjatë konferencës për shtyp të fundvitit, udhëheqësi i Kremlinit ka thënë se Trumpi, kandidat në primaret republikane, është një person “i pazakontë, me talent, pa asnjë dyshim”.
“Nuk na takon ne të gjykojmë për pikat e forta, por ai është udhëheqësi absolut në garën presidenciale”, ka thënë Putini. Pohime që e kanë bërë të buzëqeshë miliarderin njujorkez. “Eshtë gjithmonë nder i madh të marrës komplimenta nga një njeri kaq shumë i respektuar, në vendin e tij dhe më tej”, është përgjigjur Trumpi, gjatë një takimi në Columbus, Ohio.
“Kam menduar gjithmonë se Rusia dhe SHBA duhet që të jenë në gjendje të punojnë mirë së bashku, për të mposhtur terrorizmin dhe për të sjellë paqe në botë – ka shtuar – për të mos folur pastaj për tregtinë, dhe gjithë të mirat e tjera që burojnë nga respekti reciprok”.
Me një fjalë, Trumpi ka përfituar nga “përkëdhelitë” e presidentit rus, për ta zhvendosur diskutimin nga plani personal, në përmbajtjen politike, duke përsëritur qëllimin e tij për të punuar, për një marrëdhënie më të ngushtë me Rusinë, duke ndryshuar drejtim, në marëdhëniet aktuale me jashtë.
Komentet e Putinit për Trumpin “tingëllojnë më shumë si një mbështetje” në garën presidenciale, ka komentuar nga ana e tij zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest. Pas elozheve për kandidatin republikan, Putini ka saktësuar, megjithatë, se “Rusia dëshiron të zhvillojë marrëdhënie me Amerikën dhe me cilindo president që do të zgjedhin qytetarët amerikanë”.
Dhe atyre që e kanë pyetur se çfarë mendon në lidhje me pohimet kundër myslimanëve dhe kundër imigrantëve që ka bërë Trump, ai është përgjigjur: “Sa i përket çështjeve të brendshme, frazave që ai përdor për të rritur popullaritetin e tij, e gjithë kjo nuk i përket Rusisë, dhe nuk na takon ne të gjykojmë”.
Me një fjalë, Putinit nuk i intereson aq shumë retorika elektorale që përdor kandidati i republikanëve, se sa hapja ndaj tij dhe ndaj Rusisë. “Thotë se dëshiron të kalojë në një tjetër nivel marrëdhëniesh, më të ngushta dhe më të thella. Si mund të mos e mirëpresim këtë? Natyrisht që i urojmë mirëseardhjen”, ka thënë Putini.
Që Trumpi kërkon mirëkuptimin me udhëheqësin e Kremlinit, ky nuk është sekret, madje gjatë fushatës elektorale ka përsëritur disa herë, se me të në Shtëpinë e Bardhë, “nuk do të ekzistonte lloji i problemeve që ekziston tani” me administratën Obama.
Ndërkohë që shumëkush e sheh Rusinë si një problem për SHBA, për Trumpin “mund të jetë në fakt një burim i madh”. Me shkëmbimin reciprok të komplimentave, miliarderi njujorkez është distancuar edhe më shumë nga kandidatja demokrate për zgjedhjet presidenciale, Hillary Clinton, pikërisht ajo që shumëkush e konsideron tashmë fituese të sigurtë të zgjedhjeve. Dhe që në mars të vitit që kaloi, kishte krahasuar veprimet e Putinit me Krimenë, me veprimet e Hitlerit para Luftës së Dytë Botërore, me popullsitë e etnisë gjermane në Cekosllovaki dhe Rumani: një fyerje që Putini vështirë se do ta harrojë apo justifikojë me retorikën paraelektorale./IlGiornale/Bota.al