Letersi

Poezia e Lasgush Poradeci: “Prandaj”

Llazar Sotir Gusho i njohur me emrin Lasgush Poradeci, lindi më 27 dhjetor të vitit 1899 në Pogradec, Shqipëri dhe vdiq më 12 nëntor të vitit 1987, poet dhe shkrimtar shqiptar.  Ai është nga lirikët tanë më të mëdhenj, i cili u shqua për sensibilitetin dhe ëmbëlsinë poetike me të cilën i këndoi Shqipërisë dhe dashurisë. Si një personalitet i shquar dhe poet i vërtetë, ai nuk ua nënshtroi kurrë artin e tij kërkesave dhe synimeve të diktaturës. Për këtë arsye ai u la në një gjendje ekonomike të rëndë dhe pothuaj në harresë nga shtypi zyrtar. Vetëm në vitin 1989 mundi të botohet vepra e tij e plotë.Duhet të themi me bindje edhe me krenari se emri i Lasgush Poradecit është një nder për kombin shqiptar.

Poradeci: “Prandaj”

Se të desha vetë,
Dhe t’u nqasa vetë,
Dhe të putha vetë-
Prandaj.

Dhe të humba larg,
Dhe të ndoqa larg,
Dhe të gjeta larg-
Prandaj.

Se të desha prapë,
Dhe t’u nqasa prapë,
Dhe të putha prapë-
Prandaj.

Dhe të humba vash,
Dhe te ndoqa vashe,
Dhe s’të gjeta vashe-
Prandaj.

Se të gjeta grua,
Dhe të desha grua,
Dhe të putha grua-
Prandaj.

Dhe s’më flet përhera,
Dhe s’më nqas përhera,
Dhe më plas përhera-
Prandaj.

O, prandaj të dua,
Prandaj vashë-e grua,
Fshehtësi për mua-
Prandaj. /Bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button