Histori

Poloni 1939: çfarë ndodhi në të vërtetë?

Historiani ushtarak Ian Maycock rimendon “blickrigun” nazist që shkatërroi Poloninë në shtator të 1939. poloni

I shquar midis miteve të shumta që rrethojnë Luftën e Dytë Botërore është ai i “luftës rrufe” (blitzkrieg) i ndërmarrë nga Gjermania kundër Polonisë gjatë shtatorit 1939. Duke iniciuar doktrinën e tyre “revolucionare” të bërjes së luftës, gjermanët e pushtuan Poloninë Brenda 4 javësh, duke shkatërruar forcën ajrore démodé armike në tokë teksa forcat tokësore polake përpiqeshin që të shpëtonin nderin me sulme kalorësie të papërgjegjshme kundër tankeve armike.

Ky version i fushatës zuri vend në vitet menjëherë pas lufte dhe ka mbetur prej kohësh i pa sfiduar qysh atëhere. Megjithatë, shumica e rrëfimeve origjinale janë shkruar nga autorë me interesa të caktuara, gjeneralë gjermanë si Guderian dhe Mellenthin, të cilët po përpiqeshin të kandisnin aleatët fitimtarë apo pararendës të doktrinës së blickrigut si teoricieni ushtarak britanik Basil Liddell Hart, i etur që të demonstronte sesa efektive patën rezultuar në praktikë teoritë e parapëlqyera prej tyre.

Gjatë luftës së shtatorit, pavarësisht defekteve të qarta, ushtria polake në fakt luftoi me kokëfortësi nga një pozicion pothuajse i pambrojtshëm, duke i shkaktuar humbje të rënda një kundërshtari superior numerikisht dhe cilësisht. Komentet denigruese e vëzhguesve perëndimorë rreth moskompetencës së polakëve “kokëfortë” duhet të krahasohet me performancën e trishtuar e forcave anglo – franceze në pranverën e 1940, pavarësisht pasjes së forcave superiore në terren.

Megjithëse fitoi pavarësinë në 1920, Republika Polake e sapoformuar e gjeti veten në një pozicion diplomatik të pasigurtë. Në vijim të vdekjes së diktatorit Jozef Piłsudski në 1935, politika e jashtme polake nën drejtimin e Kolonelit Jozef Beck ishte përpjekur që të ndiqte një kurs mosangazhimi midis dy fqinjëve të fuqishëm të saj. Një traktat mossulmimi ishte nënshkruar me Bashkimin Sovjetik në 1932 dhe një pakt 10 vjeçar me Gjermaninë në 1934. Mbi këto dy gurë themeli, politika polake procedoi në kursin kontradiktor të pashmangshëm të saj. Mundësia e një aleance me Gjermaninë naziste kundër Bashkimit Sovjetik ishte shfaqur gjatë një intervali harmonik të rrallë në marrëdhëniet gjermano – polake.

Si alternativë, një luftë preventive kundër Hitlerit ishte sugjeruar nga polakët në një kohë kur paqëtimi ishte politika e favorizuar e liderëve perëndimorë. Politika polake pasqyronte gjeografinë dhe gjeopolitikën e paqëndrueshme të shtetit. Atij i mungonin kufij natyralë të fuqishëm në perëndim dhe lindje – masa tokësore polake është pjesë e një fushe të vetme të madhe që shtrihet midis Gjermanisë veriore dhe stepave ruse – dhe fqinjët e saj në secilën anë ishin armiq historikë që përbënin të dy një rrezik të qartë dhe aktual për integritetin kombëtar polak. Fatkeqësisht, politika e jashtme polake ishte predestinuar që të ishte përgjithmonë jo në harmoni me kapriçot mbizotëruese e politikave europiane.

Franca dhe Britania patën bërë tentativa paqeje ndaj Moskës me idenë e formimit të një fronti të përbashkët kundër Hitlerit. Megjithatë, Stalini e dyshonte vendosmërinë e aleatëve dhe i shikonte hapjet e tyre si thjesht një skemë për ta futur Bashkimin Sovjetik në një luftë me Gjermaninë. Përveç kësaj, në rast lufte, trupat sovjetike do të duhej të kalonin territorin polak me qëllim që t’i asistonin aleatët e tyre perëndimorë. Kjo do të kundërshtohej nga polakët, të cilët besonin se sapo trupat sovjetike e pushtonin territorin e tyre, do të ishte e pamundur të ndryshonin pozicion; me të drejtë kështu, siç do ta provonin ngjarjet e vitit 1945. Liberalët përçmues perëndimorë i akuzuan polakët për bashkëpunim me nazistët, ndërsa Polonia nga ana e saj nuk i besoi garancitë e fuqive perëndimore, të cilët i kishin lënë të vetëm në luftimin e sovjetikëve më 1920.

Braktisja e Çekosllovakisë në vijim të Marrëveshjes së Mynihut të 1938 ekspozoi vendosmërinë  e brishtë e Francës dhe Britanisë. Megjithatë, me 1 prill, qeveria franceze dhe ajo britanike i garantuan kufijtë e Polonisë, duke kërcënuar se do të hynin në luftë nëqoftëse ato do të shkeleshin. Kjo qe thjesht një orvatje e vonuar për ta frenuar Hitlerin nga hyrja në luftë dhe një pranim i faktit se paqëtimi e kishte përfunduar rolin e tij. Në rastin konkret, do të kishte shumë pak që aleatët mund të bënin për ta ndihmuar Poloninë.

Pakti Molotov – Ribbentrop (23 gusht 1939), një protokoll sekret i cili propozonte ndarjen e Polonisë midis Hitlerit dhe Stalinit, praktikisht sinjalizonte paralajmërimin vdekjeprurës e Republikës Polake. Duke e përtypur Çekosllovakinë, Hitleri e ktheu tani vëmendjen e tij në absorbimin e qytetit të lirë të Danzigut, i shkëputur nga Rajhu nëpërmjet “korridorit polak”. Ndërsa makina propagandistike gjermane i mëshonte papushim keqtrajtimit të supozuar të shtetasve gjermanë brenda Polonisë, të dyja palët përgatiteshin për luftë.

Doktrina mbrojtëse polake në rast lufte mbështetej në ndërhyrjen e një aleati të fuqishëm, konkretisht Francës. Forcat e armatosura polake nuk qenë të afta që të mundnin të vetme nazistët apo sovjetikët, por mund t’i tregonin dhëmbët një agresori deri në mbërritjen e ndihmës së jashtme. Ushtria polake nuk ishte e mirëpajisur apo e mirëogranizuar në verën e 1939, por kritika se ajo mbështetej shumë tek kalorësia është e ekzagjeruar. Kalorësia përbënte thjesht një 10 përqindësh. Veç kësaj, në Frontin Lindor gjatë Luftës së Parë Botërore dhe gjatë luftës pasuese civile ruse e luftës ruso – polake, të gjitha konflikte që përfshinin manovrimin e shpejte mbi hapësira të mëdha të hapura me pak rrugë, kalorësia pati luajtur një rol kyç. Edhe në Luftën e Dytë Botërore, njësitë e kalorësisë do të provonin veten të afta në lëvizjen nëpër terrenin e gjerë dhe shpesh të vështirë e Europës Qendrore e Lindore, duke e ngacmuar armikun në pikat e dobëta. Taktikat e kalorësisë polake qëndruan larg përgjigjes shumë të lavdëruar të atribuuar atyre nga vëzhguesit e huaj, duke preferuar në vend të kësaj që të avanconin me shpejtësi përpara se të zbrisnin nga kuajt për ta angazhuar armikun, në mënyrën e këmbësorisë së pajisur me kuaj.

Polakët qenë padyshim deficitarë në pajimin modern. Pavarësisht përpjekjeve të ditëve të fundit për të korrigjuar mangësitë, kishte shumë pak në rrugën e motorizimit dhe artileria ishte në pjesën më të madhe e transportuar me kuaj. Forcat e blinduara qenë të kufizuara. Edhe pse 4 divizione kalorësie qenë caktuar për t’u mekanizuar, vetëm një brigadë tankesh do të ishte në dispozicion në shpërthim të luftës. Ushtria kishte shumë tanke të vegjël të lehtë dhe mitralozin e shkëlqyer antitank 37 mm, por kufizimet financiare e penguan çdo modernizim të mëtejshëm. Në 1939, Polonia mund të nxirrte rreth 2.5 milion njerëz, përfshi rezervistët dhe vullnetarët e Gardës Kombëtare, por kjo qe një ushtri masive sipas modelit të vitit 1914.

Plani Z (zachód ose “perëndim”) mbështetej në sigurimet nga ana e aleatëve perëndimore (kryesisht Francës) se ndihma do të ishte e menjëhershme përpara se Polonia të invadohej. Kjo strategji delikate ishte bërë më dyshimte nga pothuajse pambrojtshmëria e kufijve polakë, një situatë që shkoi nga keq në mos më keq kur Gjermania pushtoi Sllovakinë: Polonia, fushat e së cilës e bënin një vend tankesh të shkëlqyer, mund të sulmohej më pas nga tri anë. Megjithëse lumenjtë në pjesën e brendshme të vendit përbënin disa pengesa natyrore, mbrojtja e tyre do të nënkuptonte të braktisje asetet ekonomike mjaft të rëndësishme.

Komanda e Lartë Polake zgjodhi që të bëjë një luftim në tërheqje, duke shpresuar se ushtria do të bëhej më e përqëndruar teksa tërhiqej në zemrën e vendit. Ky plan ishte në rastin më të mirë optimist dhe, në rastin konkret, do të rezultonte krejtësisht i papërshtatshëm përballë sulmit agresiv që po planifikonte Komanda e Lartë Gjermane. Këto defekte strategjike pasqyronin faktin se ushtria polake kishte dështuar në kuptimin e mësimeve të natyrshme në evolucionin e luftës moderne, sidomos për sa i përket përdorimit të forcës së blinduar në manovrat e shpejta sulmuese.

 

Doktrina gjermane

Ndërkohë, ushtria gjermane e kishte gjetur veten në gjetjen e një kursi midis “modernizuesve” dhe “tradicionalistëve”. Modernizuesit, të cilët favorizoheshin nga Hitleri, qenë përpjekur shumë për t’i fuqizuar forcat e mekanizuara e Wehrmacht. Mësimet praktike nga Lufta e Parë Botërore kombinuar me përvojat e fundit në luftën civile spanjolle qenë shkrirë me doktrinën e shkrimtarëve novatorë ushtarakë si puna e J.F.C Fuller dhe Liddell Hart duke formuar atë që më pas do të quhej blickrig. Megjithatë, blickrigu ishte një novatorizëm taktik më shumë sesa një formë revolucionare lufte. Ideja e goditjes në pikën më të dobët të kundërshtarit, duke shfrytëzuar një penetrim dhe më pas duke i dalë nga krahët apo duke e rrethuar armikun ishte e vjetër sa vetë lufta.

Nga fundi i Luftës së Parë Botërore, ofensivat qenë ndërmarrë nga praktikues ushtarakë të mençur thelbësisht në këtë mënyrë. Zjarri i artilerisë përqëndrohej në pika fikse përgjatë frontit armik.. më pas këto pika infiltroheshin nga grupe të vogla “trupash sulmuese” tejet të trajnuara objektivi i të cilave ishte që të siguronin terren dhe të penetronin në thellësi nëpërmjet anashkalimit të pikave të forta armike. Këto ofensiva u realizuan me sulme frontale të kushtueshme që kishin karakterizuar më parë konfliktin dhe kishin prodhuar rezultate befasuese. Blickrigu u ndërtua mbi këto themele, duke kombinuar tanke, forcë ajrore dhe këmbësori të motorizuar që vepronin në kombinim, në mënyrë që të arrinte fitimin maksimal me humbje minimale. Përdorimi i  bombarduesve në pikiatë si armë mbështetëse taktike qe novator, ashtu siç qe edhe përdorimi masiv i tankeve.

Megjithatë, në kundërshtim me mendimin popullor, ushtria gjermane në prag të fushatës polake nuk ishte një makinë lufte tejet e mekanizuar. Vetëm pothuajse 7 përqind e ushtrisë ishte e mekanizuar, pjesa tjetër mbetej e tërhequr nga kuajt. Vërtet, Hitleri e favorizonte mekanizimin dhe, i ndërgjegjshëm për efektet e luftës së zgjatur mbi moralin civil, donte që t’i shmangte fushatat e gjata e të lodhshme. Megjithatë, natyra sulmuese e blickrigut nënkuptonte se njësitë e mekanizuara lehtësisht mund të shkëputeshin nga këmbësoria mbështetëse e tyre dhe frontet e tyre të holla qenë tejet të prekshme nga kundërsulmet. Kjo ishte në mendjet e strategëve gjermanë. Megjithatë, polakët nuk do të ishin në kurrfarë gjendjeje për t’i shfrytëzuar mundësitë; në të vërtetë, trupat e stacionuara aq afër me kufirin ranë direkt në duart e Hilterit.

Plani sulmues gjerman synonte që t’i shkatërronte forcat polake përpara se të tërhiqeshin prapa pengesave lumore. Sikur polakët të qenë dislokuar prapa lumenjve, sulmi fillestar gjerman mund të kishte mbetur pa energji përpara se masa e forcave të tyre të ishte angazhuar. Forcat sulmuese gjermane qenë të ndara në dy gruparmata, Veriore dhe Jugore. Gruparmata Veriore konsistonte në dy armata (630000 njerëz) përkatësisht nën komandën e von Küchler dhe von Kluge, synimi i të cilëve ishte që të avanconin përgjatë Korridorit Polak midis Prusisë Lindore dhe Perëndimore, përpara se të godiste nga jugu drejt Varshavës. Gruparmata Jugore konsistonte në tri armata nën komandën e von Rundstedt (882000 njerëz), që do të godiste nga veriu drejt kryeqytetit polak. Kështu, të paktën në teori, forcat polake do të shtypeshin midis tyre si në një darë.

Duke e ushqyer tensionin me kërkesa për kthimin e qytetit të lirë të Danzigut në Rajh gjatë verës së 1939, Hitleri shmangu çdo deklarim formal lufte. Pavarësisht një shtyrjeje fillestare në datën e invadimit nga 26 gushti, forcat speciale gjermane u përpoqën pa sukses për të kapur tunelin hekurudhor në Jablonka në Malet Karpate. Tjetërkund njësi guerile organizuan aktivitete kabotazhi, ndërsa media gjermane sajonte lirika rreth “mizorive” polake kundër minoriteteve gjermane. Mobilizimi polak qe i ngadaltë pavarësisht se ata qenë plotësisht të vetëdijshëm për lëvizjet e trupave gjermane. Duke vepruar sipas këshillave franceze, mobilizimi ishte ngadalësuar qëllimisht me shpresën se do të arrihej një marrëveshje e negociuar.

Me 31 gusht gjermanët inskenuan një “incident” në pikën e kalimit kufitar të Glivices në Silezinë e Sipërme, ku njerëz të SD-së “sulmuan” radiostacionin gjerman, duke lënë prapa tyre trupat e disa të burgosurve në kampet e përqëndrimit të cilët qenë vrarë më parë dhe më pas qenë veshur me uniforma polake.

Në orën 4 të mëngjesit, luftanija gjermane “Schleswig-Holstein”, duke i hedhur spirancat në Gdansk (Danzig), filloi të bombardojë garnizonin polak në gadishullin e ngushtë të Westerplatte. Në të njëjtën kohë, SS-ët u përpoqën që të merrnin kontrollin e zyrës lokale të postës. Ajo u mbrojt me vendosmëri, por kapitulloi kur gjermanët i lëshuan naftë në bodrum. Shumë prej mbrojtësve më pas u pushkatuan. Garnizoni i Westerplatte e mbajti “Verdunin polak” për një javë përpara se të dorëzohej.

Forcat e ekspozuara polake në Korridorin Pomeranian, duke qenë të sulmuara nga Armata e 4-ët gjermane me fuqi asgjësuese. Inskenoi një luftim në tërheqje drejt jugut. Qe gjatë këtij operacioni të dëshpëruar se Brigada kalorësiake Pomorsta kapi një batalion gjerman këmbësorie në fushë të hapur dhe e përgjysmoi atë. Fatkeqësisht për polakët, mjetet e blinduara gjermane arritën në përforcim të shokëve të tyre që po luftonin. Kalorësia polake u detyrua që të tërhiqet, duke lënë mjaft nga njerëzit e saj të vdekur. Gazetarët italianë që u shfaqën në vend përhapën me shpejtësi mitin e kalorësisë kokëshkretë polake që sulmonte tanket gjermane. Ndërsa Armata e 4-ët po kalonte Korridorin Pomeranian, Armata e 3-të goditi në jug nga Prusia Lindore drejt Varshavës, megjithëse sulmi i saj u ndal përkohësisht përgjatë vijës së fortifikuar Mława.

Ndërkohë, Gruparmata Jugore, që përfshinte pjesën kryesore e forcave gjermane, u përpoq që të rrethojë gruparmatat polake Krakoë dhe Łodz përpara se të arrinin Varshavën. Në Mokra, kalorësia polake e armatosur me armë antitanke dhe e mbështetur nga një tren i blinduar u shkaktoi humbje të rënda panzerëve avancues gjermanë përpara se të shtrëngohej të tërhiqej. Sulmet e blinduara gjermane u konsideruan të “keqkoordinuara” dhe trupat në “panik”. Prapë se prap, gjermanët eventualisht ia arritën që të krijonin një pykë midis njësive polake, duke e bërë rezistencën akoma edhe më sporadike.

Në vende të tjera, njësitë gjermane që operonin jashtë Sllovakisë kontestuan lumin Dunajec me trupat polake, me avancimin që ngeci si pasojë e një kombinimi të barrierave natyrore (Maleve Karpate) dhe e rezistencës së ashpër.

Në kundërshtim me opinionin popullor, forca ajrore polake nuk u shkatërrua në tokë gjatë ditëve të para të konfliktit. Me zgjuarsi, polakët i kishin shpërndarë avionët e tyre në aeroporte të thella në të gjithë vendin dhe gjermanët u desh që ta kënaqnin veten në pjesën më të madhe me avione falso. Avionët polakët (në pjesën më të madhe PZL.11 të vjetër) qenë teknikisht inferiorë ndaj atyre të Luftëaffe (Me109) dhe të paaftë që ta ndalonin dominimin gjerman të qiejve. Megjithatë, forca ajrore dhanë një performancë të mirë, shpesh duke u ngritur në qiell me motorë të arnuar. Formacioni më efektiv polak ishte Brigada e Ndjekjes, në mbrojtje të Varshavës, që qe përgjegjëse për avionë të shumtë gjermanë. Mobilizimi i vonshëm me 30 gusht, një ditë përpara sulmit gjerman, i pengoi kundërpërgjigjet polake. E goditur nga egërsia e sulmit gjermane, Komanda e Lartë Polake u përpoq që të improvizojë kundërsulme. Megjithatë, marrja e vetes nga mobilizimi i dështuar i tyre i bashkuar me shkatërrimin e vazhdueshëm të linjave të komunikimit nga ana e Luftwaffe e bëri të vështirë përqëndrimin e trupave.

Ndërsa ushtria polake u detyrua të zmbrapsej drejt Varshavës, Gjenerali Rydz-Smigły urdhëroi një tërheqje nga bregu lindor i lumit Vistula. Vendimi për ta lëvizur Komandën e Lartë nga kryeqyteti në Brest-Litovsk qe një goditje e rëndë, teksa gjeneralët polakë u bënë gjithnjë e më shumë të shkëputur me njësitë e tyre. Edhe Komanda e Lartë Gjermane kishte probleme: ajo ishte në ankth për njësitë që po angazhoheshin shumë larg në lindje dhe po shkëputeshin gjithnjë e më shumë nga depot, linjat hekurudhore dhe ishte gjithashtu e vetëdijshme për kërcënimin e një kundërsulmi francez nga fronti perëndimor i ekspozuar i saj. Kjo frikë rezultoi e pabazuar: francezët e kënaqën veten me sondime të ndrojtura në Saa me 7 shtator. Në mënyrë të pabesueshme, pavarësisht se hasën pak ose aspak rezistencë, ata e tërhoqën menjëherë disa ditë më pas.

 

Varshava

Polakët ndërmorrën një kundërsulm të fuqishëm përgjatë lumit Bzura që i kapi gjermanët në befasi, duke lejuar një tërheqje më të organizuar drejt Varshavës. Megjithatë, avancimi gradualisht  u ngadalësua dhe, nën bombardim të rëndë ajror, polakët e gjetën veten në rrezikun e rrethimit. Dështimi i ofensivës në Bzura e bër rezistencën e mëtejshme të organizuar pothuajse të pamundur. Pavarësisht evakuimit të qeverisë me 4 shtator, polakët vendosën që ta mbronin Varshavën. Garnizoni i vogël dhe vullnetarët civilë improvizuan fortifikime fushore dhe zmbrapsën dy sulme gjermane. Ndihma e përkohshme u sigurua nga kundërsulmi në Bzura. Megjithatë, Luftwaffe më pas e vuri qytetin nën bombardim intensiv ajror.

Rënia e rezistencës jashtë Varshavës u mundësoi gjermanëve që ta rrethonin kryeqytetin me 13 divizione (afërsisht një e treta e totalit të tyre). Rrethimi zgjati nga 8 deri më 26 shtator dhe u mori jetën afërsisht 40000 civilëve. Një bombardim masiv ajror shërbeu si prelud i një sulmi tokësor, i cili pas shumë luftimesh të ashpra qe i suksesshëm. Me mungesë uji, municionesh dhe furnizimesh mjekësore, polakët formalisht u dorëzuan me 28 shtator.

 

Sulmi sovjetik

Pozicioni polak i bë i pashpresë nga fakti që forcat sovjetike, në përputhje me Paktin Molotov – Ribbentrop, kishte ndërhyrë nga lindja me 17 shtator. Të gjitha njësitë polake qenë privuar nga kufijtë veriorë, rezistenca ishte pothuajse inekzistente, megjithëse disa njësi polake dhe sovjetike u përplasën në Galici. Rydz-Smigły nuk kishte asnjë opsion përveçse t’i urdhëronte të gjitha njësitë e mbetura polake të tërhiqeshin në Rumani. Praktikisht, fushata kishte përfunduar. Fituesit krijuan një vijë demarkacioni përgjatë lumenjve San dhe Bug. Duke humbur afërsisht 60000 të vrarë dhe 140000 të plagosur, Polonia u nda midis dy regjimesh brutale. Hidhërimi se qenë lënë të luftonin të vetëm nga aleatë egoistë duhej të forcohej me dijen se politika e jashtme naive e vendi i kishte lënë polakët të vareshin në qëllimet e mira e fuqive të huaja. Duke pasur parasysh mangësitë polake në njerëz dhe armatime, së bashku me pambrojtshmërinë e kufijve të tyre, e vërteta është se lufta nuk mund të fitohej. Nga ana tjetër, nën pushtim, polakët do të formonin ushtrinë më të madhe ilegale në Europë.

 

Propaganda e Blitzkrieg

Pavarësisht përmbajtjes së bujshme të lajmeve gjermane, suksesi i fushatës polake realisht ishte ndërtuar mbi metodat tradicionale e përqëndrimit dhe mobilizimit që i detyrohet po aq sa “luftërave rrufe” të shekullit të XIX-të të unifikimit gjerman, aq edhe tanksit. Vërtet, panzerët kishin luajtur një rol të rëndësishëm: Korpusi i XVI-të i Hoepner kishte avancuar 140 milje në më pak se 7 ditë gjatë rrugës së tij drejt Varshavës, ndërsa Guderiani kishte avancuar 50 milje në 12 orë në rrugën drejt lumit Vistula. Por këto arritje duhet të shikohen në kontekstin e tyre. Në terrenin e hapur në veri, sidomos në etapat e fundit të fushatës, panzerët kishin hasur rezistencë efektive të pakët. Nga ana tjetër, për shumicën e fushatës, formacionet e blinduara e patën gjetur veten të nënshtruara ndaj nevojave të këmbësorisë. Komanda e Lartë Gjermane kishte qenë ngurruese për t’i lënë të papenguara panzerët, duke i përdorur ata më shumë si një formacion pararojë sesa si një krah i pavarur. Viktimat gjermane qenë afërsisht 10572 të vrarë dhe 30322 të plagosur. Në kontrast të fortë me fushatat e ashpra të vonuara të Luftës së Parë Botërore, blickrigu në Poloni (dhe më pas në Francë) e furnizoi Hitlerin me fitore që qenë relativisht të lehta në termat e viktimave, resurseve dhje kohëzgjatjes.

Benefiti propagandistik qe i pafundëm dhe versioni bashkëkohor gjerman i lajmeve për ngjarjet ka krijuar një imazh të gjallë të blickrigut që mbetet në pjesën më të madhe definitiv edhe sot. Megjithatë, në valën e sukseseve të mahnitshme në Poloni dhe Francë, Hitleri do të ndërmerrte Operacionin Barbarossa në vitin 1941, kur në hapësirat e mëdha të hapura të Rusisë, mangësitë e blickrigut shpejt do të bëheshin krejtësisht të dukshme. Duke u përballur me humbje në Rusi, Wehrmacht do t’i duhej që të kthehej prapa në luftën mbrojtëse shumë statike të cilën blickrigut ishte konceptuar që ta shmangte.

(Military History Monthly)

 

Përgatiti për bota.al

ARMIN TIRANA

Leave a Reply

Back to top button