Sport

Portieri bën gjoja sikur është dëmtuar, që lojtarët e tjerë të thyejnë agjërimin dhe të hanë

Futbollistët tunizianë kanë shpikur një plan tejet të zgjuar për thyerjen e agjërimit gjatë Muajit të Shenjtë të Ramazanit, gjatë dy ndeshjeve të fundit miqësore përpara Kupës së Botës.

Në të dyja miqësoret e kësaj jave, portieri tunizian, Mouez Hassen është rrëzuar në fillimin e pjesës së dytë duke u ankuar për një “dëmtim”, aspak real faktikisht, si e si që të lejonte hyrjen e ekipit mjekësor të skuadrës të hynte në fushë.

Gjatë ndeshjes së parë me Portugalinë, ndërsa tunizianët ishin në disavantazh 2-1, Hasse u pa të “dëmtohej” në minutën e 58, një shtirje që u mundësoi shokëve të skuadrës të vraponin drejt stolit të rezervave për të futur diçka në gojë e për të thyer kështu agjërimin e Ramazanit.

Pasi pinë ujë dhe konsumuan gjëra të lehta, kombëtarja afrikano-veriore shënoi edhe golin e barazimit 6 minuta më vonë, duke frenuar kampionët në fuqi të Europës për 30 minutat e tjera në barazimin 2-2.

Po njësoj, këtë herë në minutën e 49 të miqësores ndaj Turqisë, Hassen u rrëzua me shpinë përtokë për t’u lejuar sërish lojtarëve tunizianë të shkonin e të rrëmbenin ushqime të lehta, pas thyerjes së agjërimit.

Edhe ndaj turqve, tunizianët morën sërish një barazim në të njëjtat shifra, 2-2.

Qindra milionë myslimanë anembanë botës agjërojnë çdo ditë të Muajit të Shenjtë të Ramazanit. Një muaj që kërkon disiplinë të hekurt, teksa myslimanët vetëpërmbahen nga e ngrëna, e pira, duhanpirja, apo edhe aktet seksuale nga agimi deri në perëndim të diellit.

Tunizia, gjithsesi nuk do të duhet ta çojë edhe më gjatë këtë plan të pazakontë, pasi Ramazani përfundon përpara ndeshjes së tyre të parë në Kupën e Botës, që do ta luajnë më 18 qershor ndaj Anglisë.

Leave a Reply

Back to top button