AnalizaMAIN

Presidenca Trump: Një “aksident” i vogël historik, apo një pikë kthese në politikën botërore?

Nga Joseph S.Nye, Jr

Ndërsa Shtetet e Bashkuara po hyjnë në fazën kryesore të fushatës zgjedhore presidenciale të vitit 2020, teksa asnjë nga kandidatët në konventat respektive të pranimit të kandidaturës nuk ka folur shumë mbi politikën e jashtme, gara midis presidentit Donald Trump dhe sifdantit Xho Bajden do të zhvillohet me sa duket kryesisht në fushëbetejën e çështjeve të brendshme.

Por në planin afatgjatë, historianët do të pyesin nëse presidenca Trump përfaqësonte një pikë kthese domethënëse mbi rolin e Amerikës në botë, apo ishte thjesht një “aksident” i vogël historik. Në këtë fazë, përgjigjja nuk dihet, pasi ne nuk e dimë nëse Trump do të rizgjidhet si president.

Libri im “A ka rëndësi morali në politikë?”, vlerëson 14 presidentët amerikanë që nga viti 1945, dhe i jep Trumpit një notë zyrtare ‘të paplotë”, por tani për tani ai renditet në katërshen e fundit. Presidentët e katërshes më të mirë si Frenklin Ruzvelt, i njohën gabimet e izolimit të Amerikës në vitet 1930, ndaj pas vitit 1945 krijuan një rend ndërkombëtar liberal.

Një pikë kthese ishin vendimet e pas luftës të presidentit Herri Truman, që çuan në aleancat e qëndrueshme që kanë zgjatur deri më sot. SHBA-ja investoi shumë në Planin Marshall në vitin 1948, krijoi NATO-n në vitin 1949, dhe drejtoi një koalicion ushtarak nën drejtimin e Kombeve të Bashkuara që luftoi në Kore në vitin 1950.

Në vitin 1960, gjatë administratës së Duajt Ajzenhauer, SHBA-ja nënshkroi një traktat të ri sigurie me Japoninë. Përgjatë dekadave, amerikanët kanë përjetuar përçarje të forta – midis tyre dhe me vendet e tjera – mbi ndërhyrjen ushtarake në vendet në zhvillim si Vietnam dhe Irak.

Por rendi institucional liberal vazhdoi të gëzonte mbështetje të gjerë deri në zgjedhjet e vitit 2016, kur Trump u bë i kandidati i parë i një partie të madhe që e sulmoi këtë rend. Trump ishte gjithashtu shumë skeptik në lidhje me ndërhyrjet e huaja ushtarake, teksa e ka rritur buxhetin e mbrojtjes, dhe e ka përdorur me masë forcën ushtarake.

Anti-intervecionizmi i Trump është relativisht i njohur, por vizioni i tij i ngushtë dhe transaksional i interesave të SHBA-së, dhe mosbesimi i tij ndaj aleancave dhe institucioneve shumëpalëshe, nuk pasqyrojnë mendimin e shumicës. Që nga viti 1974, Këshilli i Çikagos për Çështjet Globale, e ka pyetur publikun nëse Amerika duhet të marrë pjesë aktive apo të qëndrojë jashtë çështjeve botërore.

Gati një e treta e publikut amerikan ka qenë vazhdimisht izolacioniste, duke arritur kulmin me 41 për qind në vitin 2014. Megjithatë, 64 për qind ishin në favor të përfshirjes aktive në problemet botërore deri në zgjedhjet e vitit 2016, dhe shifra u rrit në një 70 përqind në vitin 2018.

Zgjedhja e Trump president, dhe apeli i tij populist mbështetej tek zhvendosjet e vendeve të punës nga SHBA jashtë vendit, që u theksuan më shumë nga Recesioni i Madh i vitit 2008, por edhe më shumë për shkak të polarizimit të ndryshimeve kulturore në lidhje me racën, rolin e grave dhe identitetin gjinor.

Edhe pse nuk fitoi votën e popullit në vitin 2016, Trump e lidhi me sukses pakënaqësinë e të bardhëve me rritjen e dukshmërisë dhe ndikimit të pakicave racore dhe etnike me politikën e jashtme, duke bërë përgjegjëse për pasigurinë ekonomike mosarritjen e pagave marrëveshjet e këqija tregtare dhe emigracionin.

Por si president, sipas ish-këshilltarit të Sigurisë Kombëtare Xhon Bolton, Trump kishte pak strategji dhe politika e tij e jashtme diktohej kryesisht nga politika e brendshme dhe interesat e tij personale. Pak para se Trump të merrte zyrtarisht detyrën, Martin Ulf i “The Financial Times”, e  përshkroi momentin si “fundin si të një periudhe ekonomike” – atë të globalizimit të udhëhequr nga Perëndimi – ashtu dhe të një epoke gjeopolitike, të ‘momenti unipolar’ të pas Luftës së Ftohtë, dhe të një rendi global të udhëhequr nga SHBA-ja”.

Në atë rast, Trump mund të dëshmohet si një pikë kthese në historinë amerikane dhe botërore, sidomos nëse rizgjidhet. Sharmi i tij elektoral mund të dominojë në politikën e brendshme, por efekti i tij në politikën botërore mund të jetë transformues.

Debati aktual mbi Trumpin ringjall një pyetje të vjetër:A janë rezultatet kryesore historike produkt i zgjedhjeve të udhëheqësve politikë, apo ato janë kryesisht rezultat i forcave sociale dhe ekonomike, që janë përtej kontrollit të ndokujt?

Ndonjëherë, historia i ngjan një lumi të vrullshëm, rrjedha e të cilit formohet nga reshjet dhe topografia, dhe ku udhëheqësit janë thjesht milingona të kapura pas një trungu që pluskon mbi rrymën e lumit. Për mendimit tim, ata janë më shumë praktikantë të raftingut që drejtojnë varkën dhe u shmangen shkëmbinjve, herë pas here duke u përmbysur në lumë, por duke arritur ndonjëherë ta drejtojnë varkën drejt një destinacioni të dëshiruar.

Për shembull, Ruzvelti nuk ishte në gjendje ta fuste SHBA-në në Luftën e Dytë Botërore deri në sulmin japonez mbi Pearl Harbor. Por formulimi i tij moral i kërcënimit që vinte nga Hitleri, dhe përgatitjet e tij për t’u përballur me atë kërcënim, ishin thelbësore.

Pas Luftës së Dytë Botërore, përgjigja e SHBA ndaj ambicieve sovjetike mund të kishte qenë shumë ndryshe nëse presidenti do të kishte qenë Henri Uollas (që u zëvendësua si zv/presidenti nga Ruzvelt pas zgjedhjeve të 1944-ës), dhe jo Truman.

Pas zgjedhjeve të vitit 1952, një administratë izolacioniste e Robert Taft apo një presidencë agresive si ajo e Dugllas Mekartur mund të kishte prishur konsolidimin relativisht të qetë të strategjisë së kontrollit të Herri Trumanit, që u përforcua nga Azjenhauer.

Xhon F.Kenedi ishte vendimtar në shmangien e një lufte bërthamore gjatë Krizës Kubane të Raketave, dhe më pas me nënshkrimin e marrëveshjes së parë të kontrollit të armëve bërthamore. Por ai dhe Lindon Xhonson e zhytën vendin në fiaskon e panevojshme të Luftës së Vietnamit.

Në dekadat e fundit të shekullit XX, forcat ekonomike shkaktuan dobësimin e madh të Bashkimit Sovjetik, dhe veprimet e Mikail Gorbaçovit e përshpejtuan kolapsin e bllokut sovjetik. Por rindërtimi i mbrojtjes amerikane dhe aftësia negociuese e Ronald Reganit, por edhe aftësia e Xhorxh H.W Bush në menaxhimin e krizave, luajtën një rol të rëndësishëm në pasjen e një fundi paqësor të Luftës së Ftohtë, me një Gjermani të ribashkuar në NATO.

Pra, udhëheqësit dhe aftësitë e tyre kanë rëndësi, dhe kjo do të thotë se Trump nuk mund të shpërfillet lehtë. Më të rëndësishme se sa “cicërimat” e tij në Twitter është dobësimi që ai i ka bërë institucioneve, aleancave dhe fuqisë së butë të Amerikës, të cilën sondazhet tregojnë se ka rënë që nga viti 2016.

Shkathtësitë makiavelike dhe organizative janë thelbësore për presidentët e suksesshëm amerikanë. Por edhe inteligjenca emocionale, e cila çon në vetë-ndërgjegjësim, vetëkontroll dhe analizë të thellë kontekstuale, nuk është kurrkund e dukshme tek Trumpi.

Pasardhësi i tij, qoftë në vitin 2021 apo 2025, do të përballet me një botë të ndryshuar, pjesërisht për shkak të personalitetit dhe politikave idiosinkretike të Trumpit. Se sa i madh do të jetë ky ndryshim, kjo do të varet nga fakti nëse Trump është një president me një mandat apo me dy mandate. Ne do të mësojmë pas 3 nëntorit, nëse jemi në një pikë kthese historike apo në fundin e një “aksidenti” historik.

Shënim: Joseph S. Nye, është profesor në Universitetin e Harvardit, dhe autor i librave “A ka mbaruar shekulli amerikan?”  dhe “A ka rëndësi morali në politikë? Presidentët dhe politika e jashtme nga Ruzvelti tek Trump”.

“Project Syndicate” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button