Bota virtuale e rrjeteve sociale funksionon vetëm nëse është e filtruar. Gjithmonë nëse nuk kërkohet zhbllokimi i një iPhone. Në atë rast hidhen të gjithë kundër. “A do ia jepje çelësat e shtëpisë atij që ta ka shitur?” thonë ata të Apple. Sigurisht që jo. Por a do i lejoje gjithë qytetit që të hynte e të dilte nga ajo shtëpi përmes vetratave, që shfaqin gjithçka? Në atë pikë, dera e mbyllur mirë shërben vërtetë pak. Por edhe ky është marketing
Rrjeti, dhe mediat sociale që në mënyrën e tyre po shndërrohen në vetë rrjetin, na kërkon vazhdimisht të formulojmë pyetje. Google ka një dritare ku shkruhet një frazë, kërkohet diçka, dhe pritet përgjigja. Shpesh herë janë vetëm fjalë të reshtuara që shërbejnë për një argument. Të tjera herë janë pyetje që nuk mund të kenë asnjë përgjigje me mend, por mund të gjenerojnë një ide përgjigjeje, e që tashmë është bërë sinonim i zgjidhjes. Përgjigja nuk është një mënyrë për të bashkëbiseduar, por duhet të më zgjidhë problemin. Për këtë arsye, kur pyes Google se në cilën kinema më pranë meje shfaqen filmat që dua të shkoj të shikoj, dhe Google më përgjigjet në mënyrë të saktë, kam zgjidhur një problem. Por nëse e pyes se cili autor e ka shprehur më mirë dashurinë në një poezi, përgjigja është gjithmonë e gabuar, edhe sikur Google të më përgjigjej: Catullo. Sepse të të kërkosh një zgjidhje kur duhet në fakt të vendosësh një dialog, është gabim i pandreqshëm.
Prej vitesh debatohet për rreziqet e rrjetit dhe mediave sociale. Në javët e fundit ka një debat nëse është korrekte të publikohen fotografitë e fëmijëve. Dhe Rrjeti, si gjithmonë është ndarë (a thua ka qenë ndonjëherë i integruar dhe bashkuar). Janë probleme të rëndësishme, dihet që të shfaqësh fëmijët minorenë është rrezik, dhe do të ishte më mirë të kishim privatësi. Por në të njëjtën kohë, Mark Zuckerbergu i shpall botës, nga Kongresi Botëror i Celularëve, se e ardhmja do të jetë video, internet për të gjithë, rrjetet gjithmonë e më të shpejtë 5G, realiteti virtual. Dhe kështu mund të shfaqemi edhe më mirë.
Por mes pyetjeve që Google me siguri nuk di t’u përgjigjet është natyrisht, jo ajo e shkeljes së të gjithë privatësive, por shpërthimi nga brenda. Teknologjia ka zhvendosur boshtin e vet, nga instrument për të zgjidhur problemet, në furrnaltë ku gatuhet gjithçka që ekziston, duke e transformuar realitetin në tjetër gjë, që më parë nuk ka qenë. Nuk bëhet fjalë për t’i mundësuar një gjyshi islandez që të bashkëbisedojë përditë me nipin në Tansmani, sikur ta kishte tek shtëpia përballë. Bëhet fjalë për të krijuar zakone që më parë nuk kanë ekzistuar.
NUK ESHTE REALITET
Publikimi i fotografive të familjes në Facebook, të fëmijës në djep apo të sushit që sapo ke gatuar, nuk është njësoj si të tregosh albumet e familjes tek miqtë, apo të ftosh të afërmit për darkë dhe ta ekspozosh gjellën me entuziasëm dhe krenari.
Eshtë tjetër gjë: është realiteti virtual. Dhe ndoshta për këtë arsye është ende e komplikuar që të bindësh njerëzit të vënë syzet, të cilat të projektojnë në një botë virtuale, e cila duket e vërtetë. Dhe kjo për një arsye: që është ajo e vërteta që duket virtuale, dhe pikërisht këtu qëndron basti i të ardhmes.
Zuckerbergu nuk e di. Aq sa ka blerë kompaninë Oculus për të shpikur një formë të re virtualiteti. Ndërsa prindërit që publikojnë fotografitë e fëmijës e dinë mirë: mendojnë se jetojmë në një botë që nuk ka më nevojë për privatësi, thjeshtë sepse nuk është një botë e vërtetë. Ashtu sikurse nuk janë të vërteta fotografitë e profileve të Facebookut, edhe kur janë të vërteta. Në kuptimin që të zgjedhësh një profil, një shprehje, një lloj poze do të thotë të vendosësh se çfarë lloj gënjimi identitar do të hedhësh në mediat sociale.
Në këtë botë virtuale të mediave sociale nuk ka hapësirë për privatësinë: sepse është një pengesë bardhëezi në një botë shumëngjyrëshe. Rrjetet sociale funksionojnë nëse nuk janë të filtruara. Nëse i mbyll, nuk mbajnë më. Dhe privatësia është armike e sistemit. Gjithmonë nëse nuk kërkon që të zhbllokosh një iPhone. Në atë rast gjërat ndryshojnë. Të gjithë solidarizohen me Apple: nga Google tek facebook.
“A do ia jepje çelësat e shtëpisë atij që ta ka shitur?” thonë ata të Apple. Sigurisht që jo. Por a do i lejoje gjithë qytetit që të hynte e të dilte nga ajo shtëpi përmes vetratave, që shfaqin gjithçka? Në atë pikë, dera e mbyllur mirë shërben vërtetë pak. Por edhe ky është marketing. Eshtë mirë të bësh të gjithë të mendojnë se sekretet tona janë të pashkelshme, edhe nga FBI, në një kohë kur kompanitë e mëdha botërore që kontrollojnë Internetin, e kanë bërë këtë botë, më të shkelshmen dhe pa privatësi që ka ekzistuar ndonjëherë. “Sette” – Bota.al