Sidomos pas sulmeve të Parisit presidenti Asad u përpoq t’i ofrohet Perëndimit si partner në luftën kundër IS-it. Por ai nuk duket të jetë pjesë e zgjidhjes, por e problemit
Që nga fillimi i luftës civile në Siri, para thuajse pesë vjetësh presidenti sirian Bashar al-Asad u ofrohet vendeve perëndimore si aleat i mundshëm në luftë kundër terrorizmit xhihadist. Së fundi ai u përpoq të hynte sërish në lojë një ditë pas sulmeve të 13 nëntorit me 130 të vdekur në Paris. “Ne kishim paralajmëruar para tre vjetësh se çfarë mund të ndodhë në Europë,” tha ai për stacionin televiziv Europe 1. “Për fat të keq, udhëheqësit evropianë nuk na kanë dëgjuar. Të bësh vetëm deklarata kundër terrorizmit nuk ka kuptim. E nevojshme është ta luftosh atë,” – tha presidenti sirian.
“Ne do t’i zhdukim”
Në thelb në mënyrë të ngjashme e shohin këtë gjë edhe qarqet politike dhe të sigurisë në Perëndim. “Ne do t’i zhdukim ata, do t’i vrasim”, citon gazeta franceze “Le Monde” një këshilltar të Presidentit François Hollande. Në zgjedhjen e mjeteve nuk jemi të butë, citon gazeta një burim tjetër. “Ne do të vazhdojmë të kryejmë veprime sekrete, për të cilat nuk mund të na vënë publikisht para përgjegjësisë. Është e rëndësishme të vazhdojmë me to.” Presidenti Hollande, tha agjenti i sigurisë për gazetën “Le Monde”, është në pajtim të plotë me këtë strategji. Për këtë u ra dakord para sulmeve në Paris. Gazeta “Le Monde” e botoi këtë strategji në fillim të nëntorit, disa ditë para sulmeve në Paris.
Presioni për të luftuar terroristët, është shtuar sërish. Prej dy javësh presidenti francez po përpiqet për një koalicion ndërkombëtar kundër IS-it. Pengesa më e madhe këtu, pavarësisht gjithë fushatës reklamuese të Damaskut, është vetë Bashar al-Asadi. Franca nuk do të bashkëpunojë me të, edhe pas sulmeve në Paris. Edhe pse në parim mund të imagjinohet një bashkëpunim me ushtrinë siriane. Por, para se të bëhet kjo, tha ministri i Jashtëm Laurent Fabius në kanalin francez Inter France, Assadi duhet ta ketë dorëzuar komandën e ushtrisë. “Nën Assad kjo nuk është e mundur,” tha ai.
“Një bretkocë tepër helmuese”
Edhe qeveria gjermane, e cila dëshiron të marrë pjesë me avionë zbulues dhe dërgimin e rreth 1.200 trupave në luftë kundër IS-it, ka të njëjtin qëndrim në lidhje me personin e Assadit, si dhe francezët. Diskutimi në lidhje me çështjen, nëse lufta kundër IS-it mund të fitohet edhe pa mbështetjen e Asadit, vazhdon. Ish-diplomati dhe kryetari i Konferencës së Sigurisë në Mynih, Wolfgang Ischinger, tha të hënën (3011.) për gazetën “Handelsblatt” se “të vetmet trupa tokësore që mund të merren në konsdieratë janë forcat qeveritare të Asadit”. Prandaj na duhet ta “gëlltisim ende bretkocën Asad”.
Po Asadi është një bretkocë tepër helmuese, i komentoi gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung” fjalët e Ischingerit. Sepse Asadi u la për një kohë të gjatë fushë xhihadistëve, të cilët sikurse ai vetë luftonin opozitën laike. Pra bashkëpunimi me Asadin do t’i zemëronte forcat slaike që kanë mbi katër vjet që luftojnë presidentin sirian dhe mund t’i bënte ato armike të Perëdnimit, shkruan gazeta.
Rreziqe të pallogaritshme
Aleanca me Asadin përmban dhe rreziqe të tjera të pallogaritshme, sepse në Siri është aktive edhe Rusia, partnerja më e angazhuar e Asadit. Rusia vepron me rigorozitet kundër të gjithë kundërshtarëve të Asadit – edhe kundër opozitës laike. Po ashtu Rusia nuk e vret mendjen për popullsinë civile dhe gjatë bombardimeve ndaj pozicioneve të xhihatistëve kanë gjetur vdekjen edhe mjaft civilë.
Edhe aviacioni ushtarak sirian nuk e vret shumë mendjen për civilët gjatë bombardimeve të pozicioneve të xhihatistëve. Sipas medieve këtë vit prej bombave të Asadit duhet të jenë vrarë rreth 3000 civilë. Me këtë qëndrim ndaj popullsisë civile
Asadi rrezikon që në radhët e xhihadistëve të kalojnë edhe më shumë përkrahës.
Prandaj për Perëndimin bashkëpunimi me Asadin nuk është vetëm një çështje morale por edhe strategjike. Në rast se Perëndimi prezantohet si partner i regjimit që nuk merr parasysh jetën e civilëve, ai humbet reputacionin në rajon, dhe jo vetëm në Siri, sepse në sytë e opinionit publik arab prezantohet si partner i një diktatori kriminel.
Linku: Deutsche Welle