BotaMAIN

Pse disa tubime masive bëhen të dhunshme? 

Nga Benedict Carey

Mbretërimi i mbretit Louis Philippe, mbreti i fundit i Francës, mori papritur fund më 24 shkurt 1848, pas disa ditësh protesta gjithnjë e më të dhunshme në Paris, dhe muajve të kundërshtimit të fortë popullor të politikave të qeverisë.

Në fillim protestuesit ishin mjaft të rregullt:studentë që brohorisnin, burra dhe gra të veshur mirë që shëtisnin, dhe vetëm disa hajdutë përfituan nga situata duke thyer xhamat e dyqaneve dhe plaçkitur. Por në orët e vona të mbrëmjes së 23 shkurtit, situata ndryshoi.

Ushtarët kishin qëlluar mbi turmën afër Hôtel des Capucines, duke plagosur rëndë shumë burra dhe gra. Disa blloqe më tutje, një gazetar “u trondit nga sjellja e një zotërie, që vraponte si i marrë pa kapelën e tij, duke filluar t’u thoshte kalimtarëve. “Rrëmbeni armët. U tradhtuam!”.

“Efekti ishte elektrizues”- shkroi më vonë gazetari. “Secili e shtrëngoi për dore atë që kishe më pranë,kudo nëpër rrugë u përhap thirrja se duhet të rrëzohet i gjithë sistemi”.Disa dekada më vonë, në vitin 1895, ato ngjarje u bënë thelbësore për një nga përpjekjet e para shkencore të bashkërenduara për të kuptuar mentalitetin e turmës “Turma:Një studim i mentalitetit popullor” të Gustave Le Bon.

Që atëherë, sociologët janë përpjekur të përshkruajnë sjellje e njerëzve në mesin e turmave. Pavarësisht nga provokimi i policisë, çfarë e nxit një grup njerëzish në dukje paqësorë të kthehen në të dhunshëm? Sa koherente janë turmat në qëllimin e tyre? Pse dhe si një turmë bëhet e tillë?

Marshimi i javës së kaluar dhe sulmi vdekjeprurës mbi Capitol Hill, i ka ngritur sërish këto pyetje, dhe madje shumë të tjera. Mediat kanë debatuar fort për të gjetur gjuhën e duhur me të cilën t`a përshkruanin. A ishte ajo një turmë e zemëruar, një demonstratë kaotike, një protestë e shëmtuar apo një kryengritje e qëllimshme, apo ndonjë kombinim i të gjithave?

Duke pasur parasysh mungesën e kronistëve neutralë, një përshkrim i plotë i episodit mund të mos dalë kurrë. Por pamje të shumta video janë tashmë në dispozicion, dhe ekspertët kanë nisur t’i analizojnë imazhet në kontekstin e një studimi të gjerë mbi dinamikën e turmës.

Dhe ngjarjet e 6 janarit ka të ngjarë të studiohen dhe referohen për vitet që do të vijnë.

Nëse skenat nga Capitol Hill zbulojnë një gjë, ajo është shumëllojshmëria. Kishte njerëz me veshje ushtarake që mbanin armë, zinxhirë dhe harta të korridoreve; individë me kapele të ”Xhaxha Semit”, dhe kostume me lëkure kafshësh.

Të tjerët vendosnin pajisje shpërthyese, thyenin xhamat, sulmonin gazetarët; dhe qindra të tjerë vetëm sa silleshin vërdallë, duke mbajtur në duar simbolet pro-Trump. Ndoshta për t’i rënë shkurt, shumë gazetarët kanë përdorur termin “turmë”, por ajo vështirë se e rrok tërësinë e ngjarjeve, dhe aq më pak atë që studiuesit kanë mësuar rreth sjelljes së turmës 150 vitet fundit.

“Turmat nuk veprojnë me një mendje irracionale”- thotë James Jasper, sociolog në Universitetin e Nju Jorkut, dhe autor i librit “Emocionet e protestës”. “Aty ka shumë grupe, që bëjnë gjëra të ndryshme, për arsye të ndryshme. Dhe kjo është thelbësore për të kuptuar se pse ata sillen në atë mënyrë”-thekson ai.

Gustave Le Bon, një intelektual dhe shkrimtar francez, nuk kishte mbushur ende 7 vjeç gjatë rebelimit të vitit 1848 në Paris, dhe ka shumë të ngjarë të mos ishte dëshmitar i ditëve të tij më të përgjakshme. Por dëshmitë mbi rebelimin e prekën shumë. Mbi atë ngjarje, ai ndërtoi një teori mbi sjelljen e turmës, e cila nuk e ka humbur kurrë rëndësinë.

“Një grumbullim njerëzish,paraqet karakteristika të reja shumë të ndryshme nga ato të individëve që e përbëjnë turmën. Ndjenjat dhe idetë e të gjithë personave në atë tubim, marrin të njëjtin drejtim dhe personaliteti i tyre i ndërgjegjshëm. Aty formohet një mendje kolektive”- shkruan Le Bon.

Koncepti i tij ndikoi për dekada në mesin e sociologëve. Por filloi të dilte disi nga moda gjatë lëvizjeve protestuese në mesin e shekullit XX-të, si në Evropë po ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara. Kjo për një arsye:shumë sociologë nuk po i shihnin më ato demonstrata në televizion ose në letërsi; ata ishin vetë pjesëmarrës aktivë.

A ishin ata vërtet dele pa mend, të dehur nga një mentalitet i turmës që e mbyste gjykimin e tyre individual? Nuk ndihej kështu nga një vëzhgues brenda turmës. “Një turmë është si një pacient tek mjeku, si i hipnotizuari tek hipnotizuesi”-shkroi Bill Buford, duke parodizuar këto supozime në librin e tij të vitit 1990 “Midis vagabondëve”, një tregim mbi kohën e tij të kaluar në shoqërinë e huliganëve të futbollit anglez.

Një ndryshim i madh në të menduarit mbi sjelljen e turmës ndodhi në mesin e shekullit të kaluar, dhe ai integroi dy parime konkurruese mes tyre. I pari është që në kushte specifike, protestuesit me mendësi paqësore mund të reagojnë dhunshëm kur për shembull thyhet një barrikadë nga të tjerët, apo kur policia godet dikë afër tyre.

“Shumë shpesh incidente të tilla shkaktohen nga policia. Por sigurisht që mund të vijnë edhe nga dinamika e turmës”- thotë Xhasper. Njëherazi, si rregull dhuna impulsive ka më pak të ngjarë të ndodhë në turmat që kanë një strukturë sociale dhe organizim të brendshëm.

Protestat e lëvizjes për të drejtat civile në SHBA ishin taktike dhe të organizuara që në vitet 1950. Po kështu shumë protesta “sit in” (ku protestuesit ulen diku përtokë në një ambient publik)në vitet 1960-1970, kundër energjisë bërthamore dhe Luftës së Vietnamit.

Thuheshin dritare, kishte përplasje me policinë, por këto trazira spontane nuk kishte një rregull. “Që nga ajo kohë, protestat, qofshin të dhunshme ose jo, kanë përfshirë taktika, strategji, dhe trajnim, pikërisht për t’u siguruar që turma të mos e humbë fokusin nga kauza që mbron”- thotë Calvin Morrill, një profesor i drejtësisë dhe sociologjisë në Universitetin e Kalifornisë.

Sigurisht, veprimet masive nuk zhvillohen në vakum. Ato janë ndërveprime të zgjeruara me policinë dhe zyrtarët e tjerë të sigurisë. Ashtu siç ka ndryshuar kuptimi i dinamikës së turmës, po kështu ka ndodhur dhe me taktikat e policisë dhe vlerësimin e kërcënimeve.

Në protestat e viteve 1960-1970, qasja ishte të tregohej forca, e pasuar nga arrestimet e shumta masive. Tani, strategjia fillestare është shpesh përmbajtja. Policia ose zyrtarët e sigurisë zakonisht japin leje për protestat, duke bllokuar zonën përreth.

Gjithashtu, forcat e sigurisë janë stërvitur të injorojnë fyerjet apo gjestet e vogla të armiqësisë, si shtyrjet apo goditjet me shishe uji nga ana e turmës. Dhe ata trajnohen vazhdimisht si të shmangin radikalizimin e turmave, duke zhvendosur njerëzit sa më butë që të jetë e mundur, dhe duke iu përgjigjur shpejt episodeve të vogla të dhunës dhe izolimin e autorëve. Nëse një turmë është një “bombë” potenciale, puna e forcave të sigurisë është t`a neutralizojnë atë vazhdimisht.

Sot studiuesit kanë një varg mjetesh të reja për të parashikuar sjelljen e turmave. Për shembull, shkencëtarët mund të modelojnë sjelljen e turmës duke “populluar” në mënyrë dixhitale një rrugë ose park me një turmë, dhe duke programuar numrin e mundshëm të provokatorëve, si dhe duke simuluar të gjithë skenarët e mundshëm, bazuar në taktikat e ndryshme të policisë. Por gjithmonë do të ketë surpriza.

Marrë me shkurtime nga “The New York Times”

Back to top button