“Të mendosh se futbolli është vetëm 22 mercenarë që godasin një top, është sikur të thuash se një violinë është thjesht dru dhe qime maceje, dhe se Hamleti është thjesht letër dhe bojë. Futbolli është përplasje dhe art “, ka thënë një herë John Priestley, romancier dhe dramaturg anglez.
Mbi të gjitha, ky është rituali më i rëndësishëm tribal i kohës sonë, shton Desmond Morris, një zoolog dhe etolog, i cili i ka kushtuar një libër temës një çerek shekulli më parë, duke e ri-përditësuar atë sot (The Football Tribe). Dhe është pikërisht esenca e tij tribale që shpjegon intensitetin e pasioneve dhe dimensionet e mëdha ekonomike.
Të gjitha sportet, sipas antropologëve, kanë një origjinë tribale, por futbolli, specifikon Morris, më mirë se të gjithë i riprodhon disa nga ritualet themelore për specien tonë.
Ideja fillestare është se ajo që na ndryshon nga kafshët e tjera, veçanërisht majmunët, ka qenë aftësia e gjuetisë, e cila ka zhvilluar karakteristikat tona fizike dhe mendore, duke na bërë të shkathët, të zhdërvjellët, të fortë, të saktë dhe të zgjuar. Kjo na detyron të bashkëpunojmë me të ngjashmit tanë.
Kur nuk ishte më e nevojshme për mbijetesë, falë kultivimit dhe bujqësisë, gjuetia vazhdoi për qëllime rekreative, thotë Morris. Dhe, me shfaqjen e qendrave urbane, ajo u zhvendos në arena, si Koloseu, ku vetëm në ditën e përurimit, në vitin 80, ngordhën të paktën 5.000 kafshë.
GJAK DHE ARENE
Suksesi i këtyre formave të argëtimit vazhdoi për të paktën 500 vjet dhe gjeneroi të tjera, duke përfshirë edhe ndeshjen me dema dhe e pati ndalesën e vet më të rëndësishme në vitet njëzetë të tetëqindës, kur nisi të përhapet një qëndrim më human ndaj kafshëve.
Së bashku me Revolucionin Industrial, i cili përqendroi në qytete të mëdha, masa që dëshironin argëtim dhe sipërmarrje, u hapën dyert për suksesin e lojërave me top, të praktikuara tashmë në kohët klasike, por deri atëherë të mbetura dytësore.
Atëherë, si përfaqëson futbolli një pseudogjueti? “Megjithëse duket sikur lojtarët po bëjnë luftë, ata nuk po përpiqen të shkatërrojnë njëri-tjetrin, por thjesht ta kalojnë. Me qëllim të realizojnë një vrasje simbolike duke goditur në portë”, shpjegon Morris.
PSEUDOGJUETI
Praktikisht, lojtari është gjuetari, topi është arma dhe porta është preja. Por duke qenë se porta është e palëvizshme, duhet diçka që e bën gjuetinë më impenjuese: “Zgjidhja është ajo që të vendoset në mbrojtje të presë një tjetër skuadër, e cila i bën më të vështirë goditjen dhe ‘vrasjen’”, përfundon Morris.
Pra, popullariteti ekstrem i futbollit në krahasim me sportet e tjerë i detyrohet faktit që riprodhon një numër më të madh fazash dhe elementesh të gjuetisë, si për shembull marrja e shenjës, rreziku fizik, përplasja dhe ndjekja, bashkëpunimi. /Bota.al