
Sipas dy kërkuesve të universiteteve të Wageningen dhe Radboud në Holandë, arsyeja lidhet ngushtë me cilësinë shumë të lartë të jetesës. Studiuesit kanë gjetur një lidhje mes gjendjes së përgjithshme shëndetësore dhe gjatësisë trupore të një popullsie.
Duke analizuar të dhënat historike, ata zbuluan se deri në vitet 1800, gjatësia mesatare e europianëve varionte nga 165 cm në 170 cm. Por në dy shekujt e fundit ka ndodhur një rritje e madhe, e vërejtur kudo në botë. Holandezët janë rritur më shumë se të gjithë, me një shtesë prej 18 centimetrash në 200 vjet: nga 166 cm në vitin 1810, në 184 cm sot. Dhe sipas studiuesve, ky është një interval shumë i shkurtër kohor për t’u shpjeguar me evolucionin e natyrshëm.
Jetesa e shëndetshme bën diferencën
Të dhënat tregojnë se gjatë dy shekujve të fundit standardet e jetesës së njerëzimit janë përmirësuar në mënyrë dramatike, falë ushqimit më të mirë, reduktimit të sëmundjeve infektive dhe uljes së vdekshmërisë.
Një mjedis më i shëndetshëm gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës lidhet drejtpërdrejt me rritjen e shpejtë të gjatësisë trupore. Studiuesit theksojnë se gjatë fazës së zhvillimit, ushqimi i shëndetshëm, mungesa e sëmundjeve kronike dhe niveli më i ulët i stresit kanë ndikim të madh mbi lartësinë finale të individëve. / bota.al





