Shendeti

Pse ndodhin alergjitë e pranverës dhe si t’i lehtësoni ato

Mund të jetë e vështirë për ta besuar, por nuk keni pse të vuani nga kruajtjet e syve dhe hundët e zëna që sjellin alergjitë sezonale. Sepse sipas një eksperti të alergjive disa hapa të thjeshtë mund të bëjnë një ndryshim të madh.

Predispozicioni, i kombinuar me ndryshimet në stilin e jetesës dhe dietës ushqimore, si dhe përdorimi i tepërt i antibiotikëve, është ajo që ndoshta ndihmon në përcaktimin e shanseve tona për t’u prekur nga këto lloj alergjish”-thotë dr.Timoti Kreig, drejtor i Kërkimeve Klinike mbi Alergjinë dhe Imunologjinë në Penn State Health Milton S.Hershey Medical, SHBA.

Sipas tij shumë variabla mund të ndikojnë që dikush të bëhet alergjik. “Disa sëmundje nuk bazohen tek një gjen i vetëm. Shumë gjene kombinohen me ekspozimet mjedisore për të shkaktuar alergjitë”- thekson ai. Një histori familjare e alergjive, dermatitit atopik dhe astmës, mund ta predispozojë një person të vuajë nga alergjitë.

Tek simptomat mund të ndikojnë gjithashtu gjendja shëndetësore në përgjithësi, mungesa e ushtrimeve fizike, mbipesha dhe dieta e dobët ushqimore. Edhe ekspozimi i hershëm ndaj tymit të duhanit nga personat duhanpirës që jetojnë me ju, mund ta bëjë një person të prekshëm ndaj alergjive. Hipoteza e higjienës është një tjetër konsideratë, duke sugjeruar se të qenit shumë i pastër, ka çuar në një zhvillim të dobët të sistemit imunitar dhe me më pak tolerancë ndaj shkaktarëve të alergjive.

Ja cilat janë disa nga metodat për të reduktuar simptomat e alergjisë:

Bëni dush në fund të ditës, për të hequr polenin nga flokët dhe trupi juaj.

Lani rrobat që kishin veshur gjatë ditës, përpara se t’i vishni sërish.

Shpëlajeni hundën me kripë para gjumit për të hequr mbeturinat.

Përdorni rregullisht sprajin për hundët. Edhe antihistaminat me efekte të buta funksionojnë mirë, por nuk janë aq të mirë sa sprajet për hundën.

Po ashtu mund të shërbejë ilaçi me pika për sytë, sërish me bazë antihistaminat, që mund të merret pa recetë.

Kreig thotë se nëse vazhdoni të vuani, duhet të shkoni tek mjeku specialist që mund t’iu rekomandojë marrjen e injeksioneve ose tabletave. Por simptomat mund të zbuten edhe falë një dietë ushqimore të shëndetshme, ushtrimeve fizike dhe një gjumi cilësor gjatë natës. Po ashtu, rekomandohet të shmangni aktivitetin në natyrë në orët e vona të pasdites kur erërat zakonisht mbledhin dhe shpërndajnë më shumë polene. / medicalxpress – bota.al

Back to top button