Magazine

Pse nuk duhet të jemi kaq të shqetësuar për ankthin

Nga Jemima Kelly

Një herë kur isha ende praktikante, një reporter veteran më tha se nëse do të më bënin  ndonjëherë pyetjen klasike “Çfarë mendoni se e bën një gazetar të mirë?” në një intervistë pune, kishte vetëm një përgjigje të saktë: paranoja. Unë e pranoj se në atë kohë u hutova ca.

Por 10 vjet më vonë, e kuptoj fare mirë domethënien e saj. Nuk po inkurajohesha që të imagjinoja se të gjithë mezi prisnin të më merrnin në punë. Përkundrazi, po më kujtohej përgjegjësia e një gazetari për të publikuar një informacion të saktë dhe të drejtë.

Ajo këshillë ishte një paralajmërim kundër vetëkënaqësisë. Apo një shtytje, nëse dëshironi ta quajmë kështu, për të mbajtur nën kontroll ankthin. Por ai nuk duhej të shqetësohej dhe aq shumë për mua: Unë jam shumë e familjarizuar me ndjenjat e ankthit që shpejtojnë pulsin dhe të rëndojnë frymëmarrjen, të cilat janë pjesë e punës time. Por njëkohësisht ai po përdorte  një ide që po e konfirmojnë një numër studimesh në rritje:ankthi nuk është diçka që ne mund apo duhet të përpiqemi gjithmonë që ta zhdukim plotësisht nga vetja.

Përkundrazi, ne kemi nevojë për një pjesë të ankthit për të pasur një ecuri të mirë në një detyrë që na është caktuar, madje na ndihmon që të kemi një jetë të lumtur dhe të përmbushur. Natyrisht, duhet thënë se përtej një pike të caktuar ankthi mund të bëhet problematik, dhe nevojitet një ndërhyrje klinike për të trajtuar çrregullimet serioze të ankthit.

Por ne duket se jetojmë në një shoqëri, e cila është gjithnjë e më e shqetësuar për vetë ekzistencën e ankthit. Javën e kaluar kjo ishte tema kryesore e javës së ndërgjegjësimit të shëndetit mendor e drejtuar nga Fondacioni i Shëndetit Mendor në Britani.

Në faqen “statistikat e ankthit” të fondacionit na thuhet se në vitet 2022-2023, 37 për qind e grave dhe 30 për qind e burrave në Britaninë e Madhe raportuan nivele të larta të ankthit, nga 22 për qind dhe 18 për qind që ishin respektivisht në vitet 2012-2015.

Kjo rritje shpjegohet shpesh me rritjen e përdorimit të mediave sociale, si dhe shqetësimeve nga kërcënimet e jashtme nga ndryshimet klimatike, Inteligjenca Artificiale dhe pandemitë. Por përtej statistikave, ka një paralajmërim: “Kjo përmbajtje përmend ankthin, të cilin disa njerëz mund ta shohin si shkaktar”.

Por sikur një pjesë e problemit të burojë nga fakti që po mendojmë për ankthin në mënyrën e gabuar? Një studim i publikuar në revistën “Emotion” në muajin mars, zbuloi se gjykimi i emocioneve si pozitive apo negative mund të ketë një ndikim vendimtare në mirëqenien tonë psikologjike.

“Meta-ankthi, ose ankthi mbi ankthin, është pikërisht gjëja që po na shkatërron”,- thotë Tracy Dennis-Tiwary, psikologe klinike dhe autore e librit “Pse ankthi është i mirë për ju”. “Kjo është arsyeja pse po përballemi aktualisht me këtë krizë të shëndetit mendor. Sepse ne po flasim gabimisht për ankthin”- thekson ajo.

Dennis-Tiwary thotë se në vend që të përpiqemi të shmangim ankthin, duhet të përballemi me të për të ndërtuar aftësi dhe qëndrueshmëri emocionale, të cilat do të na ndihmojnë që ta menaxhojmë. Ndërsa duke e parë në një këndvështrim negativ, ne e humbim mundësinë për të shfrytëzuar veçoritë më pozitive që mund të sjellë ai: vigjilencë, fokus, motivim dhe një shpërthim energjie që mund të na ndihmojë të performojmë më të mirën tonë.

Nëse nuk e konsiderojmë gjithmonë akthin si diçka negative, mund të përjetojmë atë që disa neuroshkencëtarë e quajnë “ankth i mirë”. “Ankthi i mirë është situacional, i kufizuar në kohë dhe shumë motivues”- thotë ekspertja Morra Aarons-Mele.

“Ky është lloji i ankthit që na duhet për të bërë gjëra të mëdha, por shpesh edhe ankthi që ndiejmë sepse kujdesemi për gjërat që bëjmë, sepse jemi të investuar emocionalisht tek rezultati, sepse duam që të jemi të shkëlqyer. Sepse jemi të frikësuar nga dështimi”- nënvizon ajo.

Po si mund ta arrijmë këtë gjendje? Një mënyrë është të përgjigjemi fiziologjikisht: pra të bëjmë ushtrime të frymëmarrjes, të cilat na nxitin të kuptojmë që jemi të sigurt duke e stimuluar sistemin nervor parasimpatik, ose duke u marrë me aktivitet fizik, që çliron endorfinë dhe serotoninën, hormone që na bëjnë të ndihemi mirë.

Por një teknikë tjetër, është ajo që psikologia e Shkollës së Biznesit të Harvardit, Alison Wood Brooks e ka quajtur “rivlerësim i ankthit”. Kur ndihemi të shqetësuar, trupi dhe truri ynë janë në një gjendje zgjimi dhe vigjilence të shtuar, e cila është e ngjashme – dhe ndonjëherë e padallueshme – nga eksitimi.

Rrahjet e zemrës shpejtohen, adrenalina rritet dhe ne përgatitemi për veprim. Hulumtimi i Brooks sugjeron që riformulimi i ankthit me disa rregullime të thjeshta – për shembull si të thuash “Ndihem i emocionuar” në vend të “Po ndihem i shqetësuar” – mund të jetë çuditërisht efektiv.

Sigurisht, kur ankthi mbërrin në një pikë ku është e vështirë të përballosh jetën normalisht, teknika të tilla nuk ka gjasa që të jenë të mjaftueshme. Por nëse e përjetojmë në një nivel më të moderuar, ne duhet të përpiqemi ta shohim atë që është vërtetë ankthi: një emocion njerëzor normal, madje i shëndetshëm, mbi të cilin është mbështetur vetë mbijetesa jonë si specie. Nëse nuk jeni kurrë në ankth, atëherë ndoshta nuk jeni gjallë. / “Financial Times” – Bota.al

Back to top button