MAINSport

Pse titulli i 15-të mund të jetë vetëm fillimi për Realin

Ka qenë një kohë kur la decima ishte obsesion; rreth një dekadë, pak a shumë. Por njeriu që i dha Real Madridit të shumëpriturin titull të 10-të të Champions League, fitoi gjithashtu të 15-tin dhe ata do të fillojnë sezonin e ardhshëm si favoritë për të 16-in. Ashtu siç bëri midis viteve 1956 dhe 1966, Reali ka fituar gjashtë nga 11 finalet e fundit.

Edhe për një klub të përmasave të tyre, me pasurinë së tyre dhe me kalibrin e lojtarëve që kanë pasur në 10 vitet e fundit, është befasuese. Vlen të kujtojmë se kur filloi epoka e artë moderne e Realit, ata ishin forca e dytë e Spanjës. Barcelona fitonte gjithmonë La Ligën. Filozofia dominuese ishte ajo e Pep Guardiolës. Barcelona kishte Lionel Messin, jo thjesht një talent edhe më i madh se Cristiano Ronaldo, por dy vjet më i vogël në moshë se ai. Nëse ndonjë ekip kishte shanse të fitonte Champions-in gjashtë herë në 11 sezone, ajo ishte Barca.

Por, që nga viti 2014 Reali fitoi gjashtë, Barcelona, ​​Bayern, Chelsea, Liverpool dhe Manchester City fituan nga një. Reali ka qenë dinastia e madhe, me lojtarë konstantë si Dani Carvajal dhe Luka Modric. Por tani po tregojnë se mund të fitojnë pa Karim Benzema dhe Gareth Bale, pa Ronaldo dhe Sergio Ramos, por me një brez shumë më të ri si Vinicius Junior dhe Jude Bellingham, që mendojnë se titujt e Ligës së Kampionëve Reali i ka në xhep.

Kishte arsye për të menduar se të paktën tre nga fituesit e tjerë mund ta kishin përsëritur këtë sukses: Barcelona kishte Messin, Neymar dhe Luis Suarez, sulmin më të mirë ndonjëherë, në vitin 2015; Bayern Munich fitoi çdo ndeshje të Ligës së Kampionëve, 8-2 kundër Barcelonës, në 2019-2020; City fitoi tre tituj në 2022-23. Asnjë nuk e vazhdoi lavdinë e vet evropiane. Ndërsa është shumë herët të thuhet se skuadra e Cityt të Guardiolës nuk do të arrijë përsëri lartësi të tilla, historia tregon se vetëm Reali është në gjendje ta bëjë.

Rënia e Barcelonës ishte më e fortë. Triumfi i fundit i Messit në Ligën e Kampionëve erdhi në moshën 28-vjeçare. Një pasuri e madhe u shpërdorua për Philippe Coutinho, Ousmane Dembele, Antoine Griezmann, Miralem Pjanic, Clement Lenglet. Kontrasti u ofrua nga Reali: ndërsa Eden Hazard dhe Luka Jovic ishin gabime të kushtueshme, blerjet e tjera ishin të shkëlqyera, duke identifikuar Galacticos e ardhshëm tek moshat e reja, si Vinicius Junior dhe Rodrygo.

Ata shpenzuan shumë për talentët e rinj më të mirë në Evropë, për Bellingham, Eduardo Camavinga dhe Aurelien Tchouameni, ndërsa morën shumë lirë Valverde dhe siguruan transferime falas për Antonio Rudiger dhe David Alaba. E kanë përdorur me mjeshtëri joshjen e Real Madridit; Kylian Mbappe dhe Alphonso Davies mund ta vërtetojnë.

Humbja e këtij të fundit, ashtu si Alaba, do ta dobësonte Bayernin. Rudiger ishte fitues i vitit 2021 me Chelsean. Thirrja e Realit mund të jetë e parezistueshme. Dhe nëse Bayern në vitin 2020 dukej si një ekip i aftë për të dominuar, ata u bënë një ilustrim që ndonjëherë një ekip ka një pikë të fortë, një ose dy vjet, si për shembull kulmi i Liverpool-it nën drejtimin e Jurgen Klopp. Por Realit i ka zgjatur 11 sezone. Ka qenë donkishoteske. Ata mund të luajnë dobët dhe të fitojnë. Vendosini në një finale dhe ata e fitojnë.

Kjo i bën antidot për të gjithë të tjerët, për skuadrat që e kanë jashtëzakonisht të vështirë të fitojnë Ligën e Kampionëve. City ka një mori historish fatkeqe, eliminimesh mizore që nënkuptojnë se rekordi i Guardiolës në Mançester, pavarësisht të gjithë titujve anglezë, qëndron vetëm në një kurorë evropiane në tetë sezone. Paris Saint-Germain ka koleksionin e vet të dështimeve. Juventusi, një nga viktimat e fundit të Realit, ilustron se, duke gjuajtur për yjet, është shumë e mundur të qëllosh veten në këmbë: ata ranë si ekip, pasi blenë Ronaldon nga Reali.

Liverpool ka qenë ndoshta skuadra e dytë më e mirë e Ligës së Kampionëve gjatë epërsisë së Realit në shekullin e 21-të: vetëm ata dhe Reali kanë arritur në tre finale, në ato 11 sezone. Megjithatë, sezoni i tyre i fundit ishte në Europa League dhe Klopp është larguar. Me Bayernin në tranzicion, gjithashtu, me disa nga fuqitë e zakonshme që pengohen, deri diku për fajin e tyre – shikoni Barcelonën, Juventusin, Chelsean dhe Manchester United – madje edhe me shfaqjen e Interit, Arsenalit dhe Bayer Leverkusenit, Reali mund të përballet me më pak sfida se në disa vite të mëparshme.

Edhe pse Toni Kroos largohet, Modric qëndron edhe një vit. Shpejt mund të ketë një vend të lirë për një tjetër lojtar elitar. Pra, Reali është i pozicionuar mirë për të ardhmen.

E tashmja ka qenë e mrekullueshme. Aa kanë humbur vetëm dy ndeshje këtë sezon, janë mundur vetëm nga një ekip, fqinjët e tyre Atletico. Ata nuk humbën kurrë në Champions League. Është një arsye tjetër pse ata ishin fituesit e saj. / bota.al

Back to top button