BotaMAIN

Pse Trump i “qepet” Groenlandës dhe ambiciet e Rusisë dhe Kinës…

Në vitet e fundit, Arktiku është shndërruar në një arenë të re për rivalitetin global. Me shkrirjen e akujve si pasojë e ngrohjes globale, fuqitë e mëdha po luftojnë për kontrollin e një zone që premton jo vetëm pasuri natyrore, por edhe një rrugë detare strategjike. Në këtë kontekst, pretendimet e ish-presidentit amerikan Donald Trump për Groenlandën marrin një kuptim të ri.

Rruga Veriore: Një “autostradë” e re globale

Rusia, e pajisur me flotën më të fuqishme të anijeve akullthyese në botë, po përgatitet të shfrytëzojë avantazhin që i jep ngrohja globale. Që prej shpalljes së një “doktrine detare” më 2022, Moska ka bërë të qartë qëllimin e saj për të krijuar një Rrugë Veriore të hapur gjatë gjithë vitit, duke e shndërruar atë në një korridor detar konkurrues në nivel global.

Pse kjo është kaq e rëndësishme? Aktualisht, rruga kryesore për transportin detar nga Kina në Evropë kalon përmes Kanalit të Suezit, një udhëtim që zgjat rreth 34 ditë. Por tensionet në Lindjen e Mesme dhe sulmet ndaj anijeve në Detin e Kuq e kanë bërë këtë kalim gjithnjë e më të pasigurt. Si alternativë, shumë anije po detyrohen t’i bien rrotull Afrikës, duke zgjatur udhëtimin në 48 ditë. Rruga Veriore e Arktikut, megjithatë, do ta bënte të njëjtin udhëtim për vetëm 23 ditë, me kosto shumë më të ulëta.

Problemi i kontrollit të Rusisë

Moska pretendon se Rruga Veriore i përket ekskluzivisht asaj dhe ka vendosur rregulla që kërkojnë leje të posaçme për çdo anije të huaj që dëshiron ta përdorë. Kjo shkel ligjet ndërkombëtare, por Rusia nuk e fsheh qëllimin e saj për të përfituar ekonomikisht dhe strategjikisht nga ky korridor.

Ambiciet e Kinës

Ndërkohë, Kina, që e quan veten një “shtet thuajse arktik”, po kërkon të konsolidojë marrëdhëniet e saj me Rusinë për të siguruar akses të privilegjuar në këtë rrugë. Që prej vitit 2018, Pekini ka shpallur një plan për të krijuar një “Rrugë të Re Polare të Mëndafshit”, që do t’i mundësonte Kinës të transportonte mallrat e saj drejt Evropës me shpejtësi rekord. Në këmbim, Rusia do të përfitonte të ardhura të qëndrueshme dhe do të forconte marrëdhënien e saj me Kinën.

Për Kinën, kjo rrugë nuk është vetëm një mundësi tregtare, por edhe një alternativë strategjike për të importuar gaz dhe naftë nga Rusia, duke shmangur pikat e dobëta siç është Ngushtica e Malakës, e kontrolluar nga fuqitë perëndimore.

Pse Groenlanda është në qendër të lojës?

Pretendimet e Trump për blerjen e Groenlandës më 2019 u panë fillimisht si një lëvizje e çuditshme. Por Groenlanda ka një rëndësi të madhe strategjike. Duke qenë e pozicionuar midis Amerikës së Veriut dhe Arktikut, ajo ofron një bazë ideale për të mbikëqyrur dhe konkurruar në zonën ku zhvillohet kjo garë globale për burime dhe rrugë detare.

Ndërsa SHBA përpiqet të sigurojë një pozicion dominues në Arktik, Rusia dhe Kina vazhdojnë të mbeten ambigue ndaj ndryshimeve klimatike. Për ta, ngrohja globale është një “e keqe e nevojshme” që hap dyert për fitime të mëdha. Ky qëndrim e ka bërë edhe më të vështirë bashkëpunimin global për të luftuar krizën klimatike.

Një arenë e re për rivalitetin global

Në fund të fundit, interesat në Arktik nuk janë vetëm për pasuritë e tij natyrore apo rrugët e reja detare. Ato pasqyrojnë ndryshimin e ekuilibrave të fuqive në botë dhe rritjen e një rivaliteti të ri global. Pretendimet e Trump për Groenlandën, ambiciet ruse për Rrugën Veriore dhe planet kineze për një Rrugë të Re të Mëndafshit Polare janë vetëm disa nga elementët që tregojnë se Arktiku po bëhet “fronti i ri” i gjeopolitikës botërore. / bota.al

Back to top button