Bota

Pse u bë edhe Gjermania objekt sulmesh?

Autoritetet gjermane llogarisin prej vitesh me një sulm terrorist – kryesisht për shkak të politikës së jashtme. Por ky nuk është shkaku i vetëm pse dhe Gjermania u bë objekt sulmesh

“Pse na urrejnë?” kjo qe një pyetje që shfaqej vazhdimisht në mediat amerikane pas sulmeve të 11 shtatorit 2001. Në Gjermani situata sot është e ndryshme: këtu jo vetëm organet e sigurisë, por edhe publiku e ka prej vitesh të qartë se Gjermania mund të jetë në çdo kohë objekt sulmesh terroriste. Ministri i Brendshëm Thomas de Maiziere ka paralajmëruar vazhdimisht prej “kërcënimit abstrakt”.

Lorenzo Vidino nga Instituti për Studime Politike Ndërkombëtare në Milano sheh si shkak të madh politikën e jashtme gjermane. “Që nga fillimi i operacionit ushtarak në Afganistan, Gjermania është – sikurse e konsideron atë lëvizja xhihadiste – pjesë e përpjekjeve të kryesuara nga SHBA kundër Islamit” Kjo përforcohet edhe më tepër, pasi qeveria gjermane merr pjesë në luftën kundër grupit terrorist “Shteti Islamik”. Edhe pse militantët islamikë e kanë pasur gjithmonë Perëndimin në tërësi në shënjestër, thotë eksperti gjerman për terrorizmin Rolf Tophoven: “qëkurse ne mbështesim me armë dhe trajnime milicët kurdë Peshmerga në Irak kundër IS-it, Gjermania është një destinacion i rëndësishëm për sulme.”

“Mendo globalisht, vepro lokalisht”

Por nuk është vetëm politika e jashtme që e ka bërë Gjermaninë objekt sulmesh, mendon Lorenzo Vidino. Studiuesi thekson se edhe në vende që mbajnë qëndrim të rezervuar si Suedia dhe madje edhe Zvicrën neutrale ka pasur plane për sulme. Kjo ka të bëjë me strukturën gjithnjë e më të decentralizuar të terrorizmit xhihadist. Kjo lëvizje përbëhet nga individë të shumtë me lidhje të ndryshme me grupe si Al-Nusra, al-Kaida apo IS-i. Mbështetësit janë shumë të lirë që të veprojnë në mënyrë të pavarur, thotë Vidino. “Nëse ata jetojnë në Suedi dhe janë – operativisht apo ideologjikisht – pjesë e lëvizjes, ata veprojnë sipas motos: mendo globalisht, vepro lokalisht”. Për xhihadistët që janë rritur në Perëndim, motivet e brendshme politike – si një ndjenjë e përgjithshme diskriminimi – janë po aq të rëndësishme sa motivet politike të jashtme.

Asiem El Difraoui, një nga njohësit më të mirë të propagandës xhihadiste, kujton se sulmet ndaj Perëndimit janë prej kohësh një komponent qendror i ideologjisë. IS-i përbënte fillimisht një përjashtim në këtë pikë, sepse pasuesit e tij donin të përqëndroheshin në ndërtimin e “shtetit” të tyre në Siri dhe Irak, thotë El Difraoui. “Kjo është arsyeja pse ata thoshin për arsye taktike, se nuk do ta sulmojnë Perëndimin – me shpresën se do t’i linin në qetësi.” Kur doli se ky ishte një iluzion dhe Shtetet e Bashkuara filluan të bombardojë pozicionet e IS-it, IS-i ka ndryshuar linjën e tij. “Që nga fillimi i sulmeve ajrore shteti islamik i ka kërcënuar në mënyrë të qartë të gjitha vendet perëndimore,” thotë politologu.

Objektivi polarizimi

Këto sulme ndjekin dy objektiva kryesore, thotë El Difraoui: njëri lidhet me frikësimin. Kështu kjo lëvizje pa se qeveria spanjolle i tërhoqi trupat nga Iraku pasi në sulmet e vitit 2004 në Madrid u vranë rreth 200 vetë. Objektivi i dytë konsiston në polarizimin e shoqërive perëndimore. Për shkak se si rezultat mund të zhvillohen demonstrata kundër fesë islame dhe sulme, prej të cilave të rinjtë muslimanë armiqësohen me shoqërinë shumicë dhe mund bien pre e fundamentalistëve.

Rolf Tophoven e sheh motivin kryesor të sulmeve në një mesazh të mëtejshëm. IS-i ka arritur që me shkatërrimin e kufijve perandorake në mes të Sirisë dhe Irakut ta vërë gjeografikisht në hije grupin terrorist Al-Kaida. Me sulme të mëdha jashtë vendit IS-i demonstron se lufta e tij nuk është e kufizuar vetëm në Lindjen e Mesme.

Deutsche Welle

Leave a Reply

Back to top button